Një muaj nga përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, shkëmbimet e sulmeve nuk kanë të ndaluar mes Iranit dhe SHBA-Izrael. Një sulm iranian në drejtim të bazës ajrore amerikane Prince Sultan në Arabinë Saudite ka lënë të plagosur 12 ushtarakë amerikanë, dy prej tyre në gjendje të rëndë.
Sakaq, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump thotë se bisedimet me palën iraniane po vijojnë dhe se këta të fundit po i luten Amerikës për një marrëveshje.
"Ata po negociojnë. Po luten për një marrëveshje. Po luten për një marrëveshje”, tha Trump.
Trump vijon me thirrjet për hapjen e Ngushticës së Hormuzit e bllokuar nga regjimi i Iranit që në fillim të marsit. Presidenti i SHBA-së i ka kërkuar ndihmë edhe NATO-s, por këto të fundit i janë përgjigjur se kjo nuk është luftë e Aleancës. Trump ka vijuar me sulmet drejt NATO-s duke paralajmëruar shkurtim të fondeve.
"Mendoj se ishte një gabim i madh që NATO të mos ishte atje. Kjo do t'u sjellë Shteteve të Bashkuara shumë para sepse ne shpenzojmë qindra miliarda dollarë në vit për NATO-n për t'i mbrojtur ata, dhe ne gjithmonë do të kishim qenë aty për ta, por tani, duke pasur parasysh sjelljen e tyre, mendoj se kjo nuk është më e nevojshme, apo jo? Pse duhet të jemi aty për ta nëse ata nuk janë aty për ne?”, tha Trump.
Ndër të tjera, Trump është shprehur se kanë ende "3,554 objektiva të tjera" për të goditur në Iran. Ndërkohë Jemeni ka lëshuar raketën e parë kundër Izraelit në një luftë njëmujore në Lindjen e Mesme të shkaktuar nga sulmi ndaj Iranit. IDF njoftoi në Telegram se kishte "identifikuar një lëshim rakete dhe kishte aktivizuar sistemet e saj të mbrojtjes kundërajrore për të kapur kërcënimin". Rebelët shiitë Huthi pro-iranianë kanë kërcënuar të bashkohen me konfliktin nëse sulmet kundër Iranit nuk ndalen.
Lajmi në përditësim...

Sipas agjencisë së lajmeve kuvajtiane KUNA, sulme të shumta me dronë kanë goditur Aeroportin Ndërkombëtar të Kuvajtit, duke shkaktuar dëme "të konsiderueshme" në sistemet e radarëve. Autoritetet e aviacionit civil konfirmuan se nuk u raportuan të lënduar, pavarësisht dëmeve në infrastrukturën kryesore të aeroportit.

Huthët kanë marrë përgjegjësinë për sulmin e tyre të parë kundër Izraelit që nga fillimi i luftës. Grupi politik dhe ushtarak shiit tha se sulmi kundër Izraelit "vjen pas sulmeve të vazhdueshme kundër infrastrukturës në Iran, Liban, Irak dhe territoret palestineze" dhe se "operacionet ushtarake" do të vazhdojnë derisa të arrihen "të gjitha objektivat".

Tajlanda njoftoi se ka arritur një marrëveshje me Iranin për të lejuar anijet e saj të naftës të kalojnë nëpër Ngushticën strategjike të Hormuzit, e cila është praktikisht e paralizuar që nga shpërthimi i luftës në Lindjen e Mesme.
"Është arritur një marrëveshje për të lejuar anijet e saj të naftës të kalojnë në mënyrë të sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit, duke ndihmuar në zbutjen e shqetësimeve në lidhje me furnizimin me karburant të Tajlandës", tha kryeministri tajlandez Anutin Charnvirakul në një konferencë për shtyp.
Komente











