Kryeministri izraelit në largim, Benjamin Netanyahu, dhe rivali i tij politik, Gadi Eisenkot, kanë nisur këtë të diel (29 nëntor) negociatat për formimin e një qeverie të unitetit kombëtar. Takimi po zhvillohet në Ministrinë e Mbrojtjes në Tel Aviv, një ditë pasi Netanyahu propozoi ndarjen e pushtetit mes tyre, me rotacion në postin e kryeministrit.

Izraeli zhvilloi zgjedhjet parlamentare më 27 tetor, por asnjë prej dy kampeve kryesore politike nuk arriti të siguronte shumicën e nevojshme për të qeverisur. Presidenti izraelit, Isak Herzog, ngarkoi me formimin e qeverisë së re Eisenkotin, ish-shefin e ushtrisë izraelite dhe kreun e partisë së qendrës Yashar.

Që prej asaj kohe, Eisenkot është përpjekur të formojë një koalicion për të larguar Netanyahun nga pushteti, por negociatat janë vështirësuar për shkak të mosmarrëveshjeve mbi bashkëpunimin me partitë arabe dhe ato ultraortodokse hebraike.

Të shtunën, Netanyahu propozoi që Eisenkot të merrte i pari drejtimin e qeverisë, ndërsa ai vetë të mbante postin e kryeministrit alternativ, deri në rotacionin e parashikuar nga marrëveshja.

“Përgjegjësia ime si lider më kërkon të lë gjithçka mënjanë dhe të pranoj që Gadi Eisenkot të shërbejë i pari si kryeministër, ndërsa unë të shërbej si kryeministër alternativ”, deklaroi Netanyahu.

Eisenkot iu përgjigj propozimit duke u shprehur i gatshëm për negociata me partinë e djathtë Likud të Netanyahut.

“Nëse Likud është gati për një unitet të vërtetë, jam i gatshëm të shoh se sa seriozisht e ka gjatë 24 orëve të ardhshme”, tha ai.

Megjithatë, sipas mediave izraelite, Netanyahu kërkon të qëndrojë në detyrë për një periudhë të papërcaktuar përpara se t’ia dorëzojë drejtimin e qeverisë Eisenkotit, për shkak të një incidenti të mundshëm sigurie që përfshin Iranin. Eisenkot raportohet se e ka refuzuar kategorikisht këtë kusht.

Propozimi i Netanyahut është kundërshtuar nga disa prej partive opozitare. Ish-kryeministri izraelit, Yair Lapid, e ka akuzuar Netanyahun për mashtrim, duke kujtuar se ai ka shkelur marrëveshje politike edhe në të kaluarën.

Eisenkot ka afat deri më 6 dhjetor për të formuar qeverinë e re. Megjithëse ligji i jep mundësinë ta zgjasë këtë afat edhe me 14 ditë, ai ka deklaruar se nuk do ta shfrytëzojë këtë mundësi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:51
Plani i Trump për Gazën, Netanyahu mbledh sot kabinetin e sigurisë! Pritet miratimi i vendosjes së forcës ndërkombëtare

Benjamin Netanyahu, do të mbledhë mbrëmjen e kësaj të diele kabinetin e sigurisë për të diskutuar zbatimin e planit me 20 pika të presidentit amerikan Donald Trump për Rripin e Gazës.

Sipas medias izraelite Ynet, kabineti pritet të miratojë vendosjen e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) në Gaza, si dhe dërgimin e rreth 4 mijë palestinezëve në Egjipt për t’u trajnuar si pjesë e forcave të reja policore. Për këtë të fundit nevojitet paraprakisht miratimi i shërbimit izraelit të sigurisë së brendshme, Shin Bet.

Ministrat pritet të japin gjithashtu dritën jeshile për hyrjen në territorin palestinez të materialeve dhe pajisjeve të nevojshme për projektet humanitare dhe infrastrukturore.

Sipas televizionit izraelit Channel 12, këto masa pasqyrojnë marrëveshjet e arritura gjatë një bisede telefonike mes Netanyahut dhe Jared Kushner, dhëndrit dhe të dërguarit të presidentit amerikan.

Mes projekteve që pritet të zbatohen është ndërtimi i banesave të përkohshme në Rafah, në jug të Rripit të Gazës, me financim nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Gjithashtu, parashikohet nisja e punës së Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës, një organ i përbërë nga teknokratë palestinezë, që do të marrë përsipër administrimin e territorit në vend të Hamasit.

Mbledhja e kabinetit izraelit vjen një ditë përpara se i dërguari i Këshillit të Paqes, Nikollaj Mlladenov, të flasë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Mlladenov e ka paralajmëruar Netanyahun se Këshilli i Paqes mund të heqë dorë nga mandati për menaxhimin e rindërtimit të Gazës, nëse Izraeli nuk respekton angazhimet e marra në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit të tetorit 2025.