1 qershori, fëmijët festojnë në rrugët dhe sheshet e Tiranës! Inaugurohet akademia e çiklizmit, Veliaj: Më e madhja në Ballkan! Molotovi nuk i ndal dot punët e Tiranës

Rrugët dhe sheshet e qytetit të Tiranës i ishin rezervuar fëmijëve për 1 qershorin, festën e tyre.

Qarkullimi i makinave ishte bllokuar, e në bulevardin Dëshmorët e Kombit në Kryeqytet ishin organizuar me dhjetëra aktivitete të ndryshme. Diku pikturohej, diku fryheshin tullumbace, e diku lodrohej. Të gëzuar, të vegjlit shprehen se do donin më shpesh aktivitete të tilla. Njëjtë dëshirojnë edhe gjyshërit.

Një festë e veçantë u organizua edhe për fëmijë të familjeve në nevojë, komunitetit rom dhe egjiptian, nga shtëpia e fëmijës “Zyber Halluli”, Shtëpia e Foshnjës ”Hana dhe Rozafa” dhe fëmijë pa kujdes prindëror. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se 1 qershori është një ditë reflektimi për të gjitha institucionet.

“Ne kemi detyrimin që të mbushim hendekun mes ëndrrës, imagjinatës dhe bërjes realitet. Ky është detyrimi ynë dhe për këtë do punojmë çdo ditë”, tha Koçiu.

Për 1 qershor, fëmijëve ju dhurua edhe një ambient gjigant vetëm që ata të kalojnë një kohë të lirë dhe cilësore. Sot u inaugurua shkolla e çiklizmit pranë stadiumit Air Albania. Një hapësirë prej 10 mijë metrash katror përveç se për të mësuar biçikletën, pasdite do jetë ambient i lirë.

“Kjo është zyrtarisht shkolla e biçikletave më e madhe në Ballkan, 10 mijë metra katrorë. Ju kujtohet protesta te Kodrat e Liqenit kundër këndit të lodrave?! I njëjti grup njerëzish sot janë me molotovë, dje ishin me pistoletë. Ka tetë vite, në çdo punë të bashkisë së Tiranës, vetëm të pengojë, vetëm të bllokojë. Pas 8 vitesh që ne kemi bërë 41 shkolla, 101 kopshte dhe çerdhe, kemi sot 81 kënde lodrash në çdo lagje të Tiranës, jo vetëm që nuk dorëzohemi, por kemi energji për të shkuar më tej dhe për të bërë punë shumë herë më të mira. Fëmijët mund të jenë 20% e popullsisë, por janë 100% e të ardhmes tonë. Dhe një qytet që nuk mendon për fëmijët, është një qytet që nuk mendon për të ardhmen. Edhe në kushtet më të vështira, logjika e familjes tonë ka qenë fokusi te fëmijët. Sot që Tirana është në ditët më të mira të veta, është absolutisht koha për ta mbajtur fokusin te fëmijët”, deklaroi Veliaj.

Për fëmijët ishte menduar edhe një panair për “Art, Zeje dhe Sport”. Në këtë program tha ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu, u angazhuan 200 shkolla dhe synimi është që të shtrihet në të gjithë vendin.

“Programi kombëtar “Art dhe Zeje” është një prej programeve që lindi dy vote më parë dhe që ka bërë të mundur që në 200 shkolla në të gjithë vendin nga veriu në jug ne të mundemi që të stimulojmë dhe promovojmë kreativitetin e fëmijëve. Të mundemi që të transmetojmë kulturën dhe traditën shqiptare”, tha Manastirliu.

1 qershorin e kanë uruar edhe kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, si dhe ministrja për Rininë dhe Fëmijët.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:55
Burgjet hapin dyert për festën e 1 qershorit, takime mes fëmijëve dhe prindërve të dënuar

1717261081_FEMIJET.jpg

Ky 1 Qershor është bërë tepër e veçantë për një grup fëmijësh, të cilët patën mundësinë që të takonin prindërit e tyre të cilët vuajnë dënimin në burgjet e vendit.

Në burgun e Rrogozhinës, Tepelenës dhe IMK janë organizuar takime mes fëmijëve dhe prindërve në konflikt me ligjin.

Institucionet e sigurisë së lartë kanë hapur dyert në mënyrë që vogëlushët të kalonin një ditë të bukur, në këtë 1 Qershor në praninë e  prindërve të tyre.

Fëmijët shihen teksa janë duke u argëtuar me lojëra të ndryshme, ndërsa kjo ditë për ta ëshë kthyer në një ditë të paharrueshme.  

Teksa ka ndarë në rrjetet sociale disa nga fotot që janë realizuar gjatë këtij aktiviteti, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka uruar të gjithë fëmijët për festën e 1 qershorit.

1 Qershori është dita kur fëmijët duhet të mbushen plot me dashuri, buzëqeshje dhe dhurata. Kur prindërit nuk janë pranë tyre, i pari gëzim mbetet përqafimi. Gëzuar gjithë fëmijëve 1 Qershorin”, thuhet në postim.  

Ora 13:01
Ministrja Bora Muzhaqi uron fëmijët për 1 Qershorin, festë në Librazhd

Bora Muzhaqi, Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët zgjodhi që festën e 1 Qershorit këtë vit ta festojë me fëmijët e Librazhdit. Në aktivitetin e organizuar në Parkun e Qershive për më shumë se 4 orë fëmijët luajtën dhe u argëtuan duke mësuar së bashku, mbi kujdesin ndaj bimëve, edukimit financiar, sigurisë rrugore, artit dhe sportit.

Përveç Kryetarit të Bashkisë së Librazhdit Mariglen Disha, Zv. Ministres së Shëndetësisë Denada Seferi, Drejtoreshës së ASHMF Alma Tandili, Drejtoreshës së World Vision Albania Eljona Elmazi, Edina Kozma nga UNICEF, Anila Meço nga Save the Children, Enkelejda Kallçiu nga Terre des Hommes, kësaj feste iu bashkua edhe zonja e parë, Amanda Begaj e cila vizitoi këndet e organizuara dhe u njoh nga afër me fëmijët me të cilët diskutoi edhe mbi pasionet e dëshirat e tyre.

Muzhaqi u shpreh se institucioni që ajo drejton synon që të nxisë edukimin tek fëmijët dhe të rinjtë përmes argëtimit.

“Ky 1 Qershor na gjeti me fëmijët e mrekullueshëm të Librazhdit ku kishim organizuar një sërë aktivitetesh për të festuar këtë ditë. Kishim një kënd shumë të bukur të bujqësisë ku fëmijët mësuan si të mbjellin dhe të kujdesen për ambientin, kishim një kënd shumë të bukur të edukimit financiar ku ne mësuam sesi duhet të kursejmë para, por edhe ti investojmë ato, por dhe shumë organizime sportive të cilat nuk mungojnë asnjëherë në aktivitetet tona, si volejboll, basketball, ping-pong e karate”.

Sipas Muzhaqit, të gjitha këto projekte synojnë që fëmijët të angazhohen në aktivitete me vlerë për edukimin e tyre pa e ndjerë këtë si detyrë apo kërkesë nga të rriturit. Një tjetër projekt shumë  I rëndësishëm është “Tradita në Valle”, i mbështetur nga Agjencia Kombëtare e Rinisë, përmes të cilit 100 të rinj nga gjithë Shqipëria mësojnë vallet tona të bukura duke kontribuar kështu në ruajtjen dhe përcjelljen e tyre në breza. Në këtë 1 Qershor këta të rinj ndaluan në Librazhd dhe përshëndetën fëmijët dhe të rriturit me vallet popullore nga të gjitha trevat të sjella aq bukur dhe me mjeshtëri prej tyre. 

Ora 11:29
Sot 1 qershori/ Nikolla: Duhet të reflektojmë për më shumë kujdes për mirërritjen dhe shëndetin e fëmijëve

1717234227_1711562211nikolla.jpg

Lindita Nikolla

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, me rastin e festës së 1 qershorit është shprehur se në këtë ditë duhet të reflektojmë të gjithë për më shumë kujdes për mirërritjen dhe shëndetin e fëmijëve.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, të reflektojmë të gjithë:

Për më shumë kujdes për mirërritjen dhe shëndetin e fëmijëve.

Për shkollimin dhe edukimin e tyre, me dije bashkëkohore, shprehi të qëndrueshme, vlera shoqërore e demokratike, si qytetarë aktivë e të denjë të shoqërisë.

Për një mjedis të sigurt, duke i rrethuar fëmijët me dashuri e ndjenja njerëzore, për t’i mbrojtur prej varfërisë, padijes, dhunës dhe rreziqeve të tjera.

Investimi për fëmijët është më largpamësi dhe më dobiprurësi investim i familjes, komuniteteve, institucioneve dhe shoqërisë”,-është shprehur Nikolla.

Ora 09:04
Kryebashkiaku Veliaj uron 1 Qershorin: Fëmijët janë frymëzimi që ne të punojmë më shumë


1717225668_1qershori.jpg

Përmes një video të postuar në rrjete sociale, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj u ka uruar 1 Qershorin të gjithë të vegjëlve. Veliaj thekson se ata janë frymëzimi për të punuar gjithmonë e më shumë. 


“Gëzuar 1 Qershorin kalamaja! 

Ju jeni frymëzimi që ne të punojmë gjithmonë e më shumë për t’u dhënë një të ardhme plot dashuri dhe mundësi”,shkruan Veliaj.

 

M.Q./E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 02/06/2024 01:57

    Me pelqeu ideja e lejimit te burgosurve dhe femijeve te tyre te festojne se bashku 1 Qershorin.Duhet bere tradite.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ngjarja më e pabesueshme dhe e jashtëzakonshme, në një Krishtlindje

Ngjarja më e pabesueshme dhe e jashtëzakonshme, në një Krishtlindje