Eurodeputeti holandez Sander Smit ka marrë sërish shkas nga paraburgimi i Erion Veliajt për të kundërshtuar anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke akuzuar drejtpërdrejt presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos, se po mbyllin sytë përballë asaj që ai e konsideron shkelje të parimeve të shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Në një reagim në rrjetin social X, Smit vë theksin te kohëzgjatja e paraburgimit të Veliajt, i cili, sipas tij, prej 655 ditësh mbahet në qeli pa një vendim dënimi.

“Të kalosh pothuajse dy vjet në burg ‘parandalues’, pa një vendim dënimi dhe mbi bazën e akuzave të paqarta: kjo nuk ka vend në një shtet të së drejtës. Në Shqipëri, kryebashkiaku i zgjedhur i Tiranës, një socialdemokrat dhe rival i brendshëm partiak i kryeministrit Rama, ndodhet prej pothuajse dy vjetësh (655 ditësh) në paraburgim, mbi baza të paqarta dhe pa asnjë vendim dënimi”, shkruan eurodeputeti holandez.

Smit e lidh çështjen e Veliajt me procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke akuzuar drejtueset e Komisionit Europian se po shpërfillin situatën.

“Një vend ku shteti i së drejtës, të drejtat themelore dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut janë nën një presion të tillë, nuk e ka vendin në Bashkimin tonë Europian. Megjithatë, Ursula von der Leyen dhe Marta Kos thjesht mbyllin sytë, ashtu siç bën faktikisht edhe qeveria e pakicës. Një vend kandidat për në BE, ku diçka e tillë është e mundur, nuk mund dhe nuk duhet të anëtarësohet kurrë në BE”, përfundon Smit.

Nuk është hera e parë që Smit, përfaqësues i partisë holandeze Lëvizja Qytetare-Fermerët (BBB) në Parlamentin Europian, përdor çështjen e Veliajt si argument kundër anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Në fund të tetorit, ai ngriti pretendimin se paraburgimi në Shqipëri përdoret në raste të caktuara si instrument politik. Eurodeputeti kundërshtoi përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Ukrainës pa përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara nga BE-ja.

Erion Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025 dhe përballet me 13 akuza të ngritura nga SPAK, mes të cilave korrupsioni dhe pastrimi i parave, të cilat ai i kundërshton. Më 15 shtator 2026, Gjykata e Lartë la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”.  Procesi gjyqësor ndaj kryebashkiakut po ecën me ritme të ngadalta

Reagimi i Smit, i cili prej marsit të këtij viti bën pjesë në grupin e Konservatorëve dhe Reformistëve Europianë (ECR), përkoi me vizitën dyditore të Marta Kos në Tiranë, më 26 dhe 27 nëntor.

Komisionerja dha sinjale pozitive për ecurinë e integrimit europian të Shqipërisë, duke deklaruar se vendi mund të mbyllë të gjithë kapitujt e negociatave në vitin 2027 dhe të nënshkruajë traktatin e anëtarësimit në vitin 2028, nëse përmbush reformat e kërkuara dhe merr miratimin e vendeve anëtare.