Në 1 qershorin, festën e fëmijëve nuk kanë munguar urimet e politikanëve shqiptarë! Nisur se kjo festë përkon me një situatë të pazakontë, për shkak të pandemisë, edhe urimet kanë qenë jo aq të zakonshme, ku dominohen nga apelet e politikanëve për më shumë vëmendje ndaj tyre pas ditëve të vështira që kanë kaluar.
"Sot festa e 1 qershorit është vetë rikthimi në kopsht dhe çerdhe", shkruan kryeministri Edi Rama. Ndërkohë, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka mesazh për politikën, duke i thënë që të lënë pas mëritë në emër të buzëqeshjes së fëmijëve e ndërsa vë theksin që në këtë vit shkollor duhet pasur shumë kujdes që të reflektohen të gjitha mangësitë e këtij viti.
Me rastin e hapjes së kopshteve dhe çerdheve për rreth 3 muaj mbylljeje ministrja e Arsimit Besa Shahini është shprehur se të vegjlit kanë të drejtë të jetojnë të shëndetshëm, të sigurtë, pa dhunë, pa diskriminim, me mirëqenie sociale dhe të mirë-arsimuar.
"Ne, të rriturit dhe institucionet shtetërore, kemi detyrimin të sigurojmë këto të drejta për të vegjlit tanë. Për këtë arsye, sot në shkollë mësuesi ndihmës ndihmon nxënësit me aftësi të kufizuara të arrijnë potencialin e tyre maksimal akademik. Politika e librave falas ndihmon në përfshirjen e të gjithë fëmijëve në arsim. Rregulloret e ndryshuara të shkollave mbrojnë fëmijët nga diskriminimi dhe dhuna në shkollë", tha Shahini.
Ajo ka shtuar se 6 muajt e fundit kanë qenë shumë të vështira për të gjithë, pasi tërmeti mori jetë njerëzish, shtëpi dhe shkolla, ndërsa pandemia që pasoi na detyroi të mbyllim shkollat plotësisht.
"Përkundër vështirësive, fëmijët treguan qëndrueshmëri dhe fleksibilitet. Bashkëpunuan me prindërit dhe mësuesit, duke kuptuar rëndësinë e shkollimit të tyre dhe punuan nga shtëpia që të mos mbesin prapa me mësime. Sfida e 6 muajve të fundit na ka mësuar shumë se si të përballojmë së bashku edhe vështirësitë më të mëdha. Kemi arritur shumë, por kemi edhe shumë punë për të bërë. Le të shërbejë kjo festë si zotim për të mos reshtur së bëri më të mirën për juve fëmijë, gjithmonë. Gëzuar 1 Qershorin!", tha Shahini.
Edhe Presidenti Ilir Meta ka uruar 1 Qershorin. "Në Ditën e Festës së tyre, një urim të ngrohtë e të përzemërt për të gjithë fëmijët shqiptarë: Gëzuar 1 Qershorin!
Të ecim gjithmonë dorë për dore me fëmijët, për të mos u dorëzuar deri në realizimin e ëndrrave të tyre shumëngjyrëshe, për t’ju ruajtur buzëqeshjen e çiltër, për të mësuar nga sinqeriteti dhe dashuria e tyre, për të ndërtuar Shqipërinë e vërtetë europiane!
Të mbrojmë të drejtat e fëmijëve çdo ditë me vepra dhe jo me fjalë, dhe t’ju garantojmë një të ardhme të sigurt dhe frymëzuese në Atdheun tonë!" shkruan Meta.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka uruar 1 Qershorin, festën e fëmijëve. "Buzëqeshja në fytyrat e fëmijëve tanë është gëzimi dhe motivimi ynë për të bërë gjithçka që ata të kenë një jetë sa më të lumtur. Është forca për të tejkaluar sfidat në këto kohë të vështira dhe për të ecur përpara për ditë më të mira e për tu dhënë të gjithë prindërve sa më shumë mundësi për të plotësuar dëshirat e tyre.
Le të jetë dashuria dhe mirësia që na dhurojnë çdo ditë fëmijët tanë shtysa, shpresa dhe besimi për të bërë gjithçka që e ardhmja e tyre në Shqipëri të jetë më e mirë, dhe ata të rriten me mundësi si gjithë fëmijët e tjerë europianë! Gëzuar1 Qershorin Ditë më të mira" shkruan Basha.
Ministrja e mbrojtjes, Olta Xhaçka ka uruar të gjithë fëmijët në festën e tyre të 1 qershorit, veçanërisht për fëmijët e ushtarakëve shqiptarë.
“Gëzuar 1 Qershorin të gjithë fëmijëve! Por një urim të veçantë për fëmijët e familjes sonë të madhe, për fëmijët e ushtarakëve shqiptarë! Si në çdo familje edhe për ne ata janë të parët. Janë ata për të cilët ne do të bëjmë gjithçka për t’i parë të rriten të lumtur, të shëndetshëm, të suksesshëm! Gëzuar!”, shkruan Xhaçka.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka sot një mesazh me rastin e 1 Qershorit, Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve. Në fjalën e tij, Ruçi nuk ka munguar që të përcjellë edhe mesazhe për palët politike, duke i ftuar që të ulen mëritë mes njëri- tjetrin, për të ardhmen e tyre. E ndërsa u ka bërë thirrje autoriteteve që në fillimin e vitit të ri shkollor të merren të gjitha masat që të kompesohen të gjitha mangësitë e këtij viti.
“Me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, u uroj gjithë fëmijëve shqiptarë shëndet dhe gëzime, në familjet dhe shoqërinë e tyre. Ky 1 Qershor i gjeti fëmijët shqiptarë në dalje nga një gjendje e vështirë për ta, familjet dhe atdheun. Kopshtet dhe shkollat mbyllën dyert përkohësisht, për shkak të pandemisë. Vogëlushët shqiptarë, si miliarda vërsnikët e tyre në të gjithë botën, nuk shkojnë në shkollë, por zhvillojnë mësime nga shtëpia; janë të përmbajtur të përqafohen me gjyshet e gjyshërit; kanë të kufizuara lojrat me shoqet e shokët e tyre; dhe i janë nënshtruar një disipline që nuk është e zakonshme për ta. Por kjo ndodhi në emër të mbrojtjes së jetës së tyre. Tashmë që pandemisë po i vjen fundi, fëmijët do t’u kthehen jetës normale, mësimeve, lojrave dhe gëzimeve të saj. Në mbledhjen e Grupit të deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”, para disa ditësh, porosita Qeverinë dhe deputetët të bëjnë kujdes që me fillimin e vitit të ri shkollor të marrin masa për të kompensuar të gjitha mangësitë e këtij semestri të vështirë, duke qenë të vetëdijshëm për mangësitë dhe pamjaftueshmërinë praktike të mësimit virtual; të sigurojnë mbështetje funksionale e produktive për fëmijët e familjeve të varfëra dhe me nevoja të veçanta; të marrin masa që shërbimet sociale për fëmijët dhe nënat të shtrihen në të gjitha bashkitë dhe në të gjithë territorin, sidomos në fshat; të përfundojnë reformën e deinstitucionalizimit të fëmijëve. Ne, shtetarët, qeveritarët dhe politikanët duhet të bëhemi të vetëdijshëm që të tresim mëritë dhe konfliktet tona, në emër të së ardhmes dhe buzëqeshjes së fëmijëve tanë.”, shkruan Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në mesazhin e tij me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.
TIRANË- Kryeministri Edi Rama e ka nisur mëngjesin e sotëm me një urim për fëmijët e vegjël në festën e tyre. Ky 1 qershor përkon me rikthimin e tyre në kopësht dhe çerdhe, duke e bërë më të gëzueshme këtë ditë!
"Mirëmëngjes! Sot festa e 1 qershorit është vetë rikthimi në kopsht dhe çerdhe. Gëzuar fëmijëve, prindërve, gjysheve e gjyshërve", shkruan Rama, teksa publikon një foto të disa fëmijëve duke pikturuar.