“Mafia e rrezikshme shqiptare që ble drogë kolumbiane”, kështu e nis shkrimin radioja kolumbiane Caracol. Mediat kolumbiane zbardhin detaje të reja për mafien shqiptare që furnizohej me kokainë në Amerikën Latine, ndërsa e transportonte me avionë të vegjël në Spanjë. Baza e grupit ishte në Madrid, ndërsa sipas mediave spanjolle, dy shqiptarët janë me përgatitje ushtarake dhe kanë marrë pjesë në disa luftëra në Ballkan.
'Shumë nga anëtarët e bandës morën pjesë në luftën e Ballkanit dhe për këtë arsye ata veprojnë me profesionalizëm ushtarak, janë brutal dhe efektivë. Ata fitojnë besnikërinë e komuniteteve të tyre dhe anëtarëve nëpërmjet kontrollit ekonomik dhe kërcënimit. Ata arrijnë të kontrollojnë familjet e anëtarëve në Shqipëri me të holla duke i mbajtur me para, por në të njëjtën kohë duke i kthyer në pengje, ndërsa zgjerojnë rrjetin në të gjithë Europën. Anëtarët pranohen në organizatë në bazë të gjakut ose pasi kanë provuar besnikërinë për krerët e organizatës' thonë mediat kolumbiane.
Sipas medieve, rrjeti i ri i avionëve ‘Narco Jet ’ ishte klient i ri për trafikantët kolumbianë. Autoritetet spanjolle thonë se emrat e shqiptarëve janë Dritan Gradica dhe Julian Deblini. Por, nga verifikimet e bëra nga Report Tv rezulton në Shqipëri me këtë identitet vetëm një shtetas. Dritan Gradica, që korrespondon me identitetin e të arrestuarit në Spanjë, është 43 vjeç lindur në Kukës dhe banues në Tiranë. Ai rezulton se është djali i ish-gjyqtarit të Apelit, Shaqir Gradica, i cili tashmë ka dalë në pension. Report TV kontaktoi me telefon ish-gjyqtarin Gradica, por ai ka mohuar që personi i kapur në Spanjë është djali i tij. Dyshimet e ngritura deri më tani janë se një tjetër person të ketë përdorur identitetin e Dritan Gradicës.