Mes kompanive në zotërim, trojeve, vilave, apartamenteve dhe llogarive bankare,  janë mbi 220, pasuritë, të cilat i janë sekuestruar Isa Aliut, vëllait të Salvadore Aliut, ‘bosit të bosëve’ të drogës. Emrat e të dyve, ishin pjesë e 10 urdhër arresteve të lëshuar me vendim të GJKKO-së, ndaj një prej rrjeteve më të rrezikshme të trafikut ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine në vende të ndryshme të Evropës. Pasuritë në emër të Isa Aliut, dyshohet të jenë fryt i pastrimit të parave të narkotrafikut, përmes aktiviteteve tregtare e kryesisht ndërtimit dhe sektorit imobiliar. Sipas dosjes hetimore, të dy vëllezërit mendohet të kenë ricikluar 30 milionë euro, të futura në Shqipëri përmes rrugëve të ndryshme, kryesisht transportit në cash.

Aktivitetin e tij, si sipërmarrës, Isa Aliu e nis me kompaninë “Aliu Road House” shpk, në vitin 2008, me aktivitet të përmbledhur në "Eksport-import”.

Në vitin 2022 ai e zgjeron aktivitetin. Fillimisht duke blerë kompaninë e sigurisë “A.R.H. Security” në muajin mars, e më pas, në maj, 50 përqind të aksioneve në kompaninë “Green Invest” shpk me aktivitet në fushën e bujqësisë, blegtorisë e pemëtarisë. 

Ndërsa në tetor të vitit 2024, ai themelon shoqërinë “Seavieu Development” Shpk, me një objekt të përcaktuar qartë “Projektimi, ndërtimi, vënia në shfrytëzim e një kompleksi turistik, një strukture hotelerie dhe e objekteve turistike sezonale në Jalë”.

Ajo që bie në sy, është fakti, se periudha e zgjerimit të aktivitetit, 2022-2025, përmes kompanive të reja, shoqërohet me një ekspansion të vëllezërve Aliu, në blerje pronash e pasurish të patundshme, si dhe në angazhimin në sektorin e ndërtimit.  

Në vitin 2020 sipas dosjes hetimore, Isa Aliu në një komunikim me vëllanë Salvadoren, thotë se kishte gjendje 6 milion euro. Dhe dy javë më pas, Salvadore e njofton se do t’i mbërrinin dhe 20 milion euro të tjera. Po të shohësh dhe bilancet e kompanisë kryesore “Aliu Road House”, deri në vitin 2019, deklaronte humbje. Në 2020, fitimi para tatimit është 2.6 milionë lekë, ndërsa në 2021 kërcen në mbi 129 milionë lekë, duke u shumëfishuar dhe në vitet pasuese. Vlera e aseteve  dhe të ardhurave përllogaritet në 13.6 milionë euro.

Në vitet 2024-2025, kryesisht përmes kësaj kompanie (Aliu Road House), regjistrohet një shpërthim blerjesh të pasurive të patundshme. Në korrik të vitit të shkuar Isa Aliu, blen një “Godinë banimi, shërbimi dhe hotelerie deri në 41 kate”, në Tiranë në rrugën “Muhamet Gjollesha”, nga kompania “Ferro Beton & Construction CO”. Ndërtesa që ishte ende në fazën e karabinasë do t’i kushtonte 2.9 milionë euro, ndërsa vijimi i punimeve do të kryhej nga kompania e tij “Aliu Road House”. Në këtë transaksion shfaqet Ilir Shtufi, aksioner me 50 përqind i “Ferro Beton & Construction CO”, e njëjta kompani e cila në 2022-shin i kishte shitur Isa Aliut mbi 1 mijë metra katrorë në ndërtesën shumë katëshe “Garden Building”, po në Tiranë. Shtufi u arrestua javën e shkuar për një tjetër dosje të SPAK, pikërisht për lidhjet e tij me narkotrafikantë, të cilëve dyshohet se u ofronte, përmes kompanive të tij të ndërtimit, mundësinë e pastrimit të parave.

Vetëm në periudhën prill 2022-shkurt 2023 Isa Aliu investon në 2 godina 5-6 katëshe, 11 vila, 47 apartamente dhe 9 të tjera duplex si dhe në 41 poste parkimi në “Lalzi Marina Seaside”. Ndërsa në vitin 2025 realizon dy kontrata sipërmarrjeje për ndërtimin e një hoteli në Borsh, dhe për kryerjen e punimeve për ndërtimin e një hoteli luksoz me 5 yje, me 200 dhoma, në Himarë. Në këmbim të punimeve ai do të përfitonte pjesë nga hoteli.

Në total, përveç 63 llogarive bankare, përllogariten mbi 160 prona në zotërim të Isa Aliut dhe kompanive të tij, mes trojeve, kullotave, sipërfaqeve me pemë, godinave, pallateve, vilave dhe apartamenteve. Ato përfaqësojnë më shumë se gjysmën e pasurive të patundshme që SPAK i sekuestroi të 10 anëtarëve të rrjetit i cili u godit pak ditë më parë. Vlera e përgjithshme mendohet se arrin në rreth 150 milionë euro.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë