10 arsye pse Basha dhe Berisha janë të dy me faj

10 arsye pse Basha dhe Berisha janë të dy me faj

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Askush nuk e mendonte se pas tetë vitesh në krye të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Sali Berisha do ktheheshin në armiqtë më të egër politikë të njëri-tjetrit. Vendimi për ta përjashtuar Berishën nga grupi parlamentar, ka sjellë një reagim “in extremis” nga ana e tij duke premtuar se do luftojë për të sjellë sovranitetin e PD-së dhe duke e cilësuar Lulzim Bashën të pabesë. Po cili është fajtori i madh mes të dyve në këtë histori? A ka të drejtë Lulzim Basha që e përjashtoi dhe a ka të drejtë Sali Berisha që reagon kaq ashpër? Nëse e analizon me kujdes raportin mes tyre, rezulton se si Lulzim Basha, por edhe Sali Berisha, janë të dy të shoqëruar me faje të mëdha. Me faje që nisin që nga hyrja në politikë e Bashës me bekimin e Berishës, e deri te mbështetja pa kursim që Berisha i ka dhënë Bashës dhe që përfundon me vendimin për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar i PD nga Basha. Janë të paktën 10 faje që kur i rendit, mund të nxjerrësh shumë lehtë konkluzionin se si Lulzim Basha dhe Sali Berisha janë dy fajtorët e mëdhenj të PD-së që nga vitit 2013 kur Berisha u largua nga drejtimi i saj e deri më sot që këtë parti e drejton Lulzim Basha.

1.Lulzim Basha është fajtor për faktin se që në start të karrierës e deri më sot ka patur si bekues, mbështetës dhe baba politik Sali Berishën dhe si mirënjohje mori si dhuratë përjashtimin nga grupi parlamentar. Berisha ishte ai që në vitin 2004 e mori Bashën nga Kosova, e solli në PD, e bëri tre herë ministër, e bëri kryetar të bashkisë së Tiranës dhe kryetar të PD dhe pas 17 vitesh nga ky produkt ekskluziv politik, Basha e përjashtoi nga grupi parlamentar.

Sali Berisha është fajtor pse e zgjodhi dhe investoi kaq shumë për Lulzim Bashën kur në këto 17 vjet në politikë jo vetëm nuk ka shkëlqyer, dhe kurrë nuk u bë lider politik i PD, por ka bërë faje të rënda që i kanë shkaktuar një dëm të pallogaritshëm PD-së dhe politikës shqiptare. Dhe në fund mori si shpërblim prej tij përjashtimin nga grupi parlamentar i PD.

2.Lulzim Basha është fajtor që pavarësisht bekimit dhe mbështetjes që Sali Berisha i dha duke e katapultuar në politikën e lartë, në momentin kur u zgjodh kryetar i PD, nuk arriti ta vrasë babain e tij politik por punoi me një hije që e ka ndjekur pas. Në shumë raste kjo hije i shërbeu Bashës si alibi për që shumë dështime që kanë shoqëruar PD në këto 8 vite, por në asnjë rast ai dështimet nuk i ka marrë si faturë personale. Basha krijoi perceptimin se Berisha ishte dominues, që merrte vendime, ndikonte dhe diktonte te Basha në çdo aspekt të punës së tij si kryetar të PD.

Sali Berisha është fajtor që pasi dha dorëheqjen si kryetar i PD në qershor 2013 duhet të ishe larguar plotësisht nga politika aktive. Nëse Berisha do ishte në pension politik, Lulzim Basha nuk do kishte kurrë alibinë “se mua nuk më lë Berisha të bëj si duhet punët në PD”. Çfarëdo të ndodhte Luzlim Basha duhet të ishte një kryetar që duhet të drejtonte vetëm vetë. Ky dualizëm real apo duke krijuar percetim të gabuar i ka sjellë një dëm jo të vogël Partisë Demokratike por edhe vetë Berishës.

3.Lulzim Basha është fajtor që gjatë drejtimit të PD arriti të marrë dy vendimet më absurd, të rënda, të gabuara dhe fatale si heqja dorë nga mandatet e deputetëve dhe mosmarrja pjesë në zgjedhjet lokale të vitit 2019. Kjo solli që për herë të parë PD dhe e para parti politike kryesore në vend të dalë jashtë sistemit, një praktikë e padëgjur dhe e panjohur në Shqipëri dhe në botën perëndimore me pasoja të rënda për demokracinë. Për më tepër te faktori ndërkombëtar PD mori një faturë negative pasojat e të cilës po i vuan edhe sot.

Sali Berisha është fajtor përse e lejoi dhe e mbështeti Lulzim Bashën kur ai mori këto dy vendime. Kurrë Sali Berisha nuk tha që heqja e mandateve dhe mosmarrja pjesë në zgejdhjet lokale ishin gabime me pasoja të rënda për PD dhe vendin. Kurrë Sali Berisha nuk bëri përpjekjen më të vogël për t’i ndaluar këto vendime aq sa një pjesë e opinionit publik krijoi perceptimin se ishte Berisha ai që i kishte dhënë urdhër Bashës që të merrej ky vendim, një gjë kjo që nuk është fare e vërtetë.

4.Lulzim Basha është fajtor që në 8 vite si kryeatr i PD drejtoi një parti aspak me vlera reale profesionale, por klienteliste dhe jodemokratike. Nga vitit 2013 e deri më sot, Partia Demokratike ka bërë hapa pas në drejtim të demokracisë, në drejtim të rritjes së numrit të mbështetësve dhe në drejtim edhe të ardhjes së saj në pushtet.

Sali Berisha është fajtor pse e lejoi që kjo PD të arrinte në këto nivele të demokracisë dhe kurrë nuk u angazhua të ndërhynte, apo të prononcohej përse partia që ai themeloi dhe drejtoi për 24 vjet u katandis kështu. Në këto 8 vjet Sali Berisha ka bërë vetëm dy kritika me vlerën e pickimit të mushkonjës ndaj Lulzim Bashës: Në zgjedhjet e vitit 2017 tha që këshilltarët e Bashës ishin mizerabël dhe në shkurt 2018 kur tha se protesta e Kukësit për vendosjen e traut në rrugën e Kombit tregoi se strukturat e bazës së PD ishin jashtë loje.

5.Lulzim Basha është fajtor që edhe pse humbi tre zgjedhje elektorale në garën me Partinë Socialiste vijoi të ishte kryetar i PD në kundërshtim me çdo normë statutore dhe me cdo normë morali politik, të gjitha këto në gara shumë të dyshimta ndaj kandidatëve të tjerë. Në të tre garat për kryetar si në vititn 2013, në 2017 dhe në 2021, Lulzim Basha është zgjedhur kryetar me shumë dyshime dhe kontestime.

Sali Berisha është fajtor që që pavarësisht këtyre humbjeve, lejoi me heshtjen apo mbështetjen e tij që Lulzim Basha të vijonte të drejtonte PD sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Në të tre garat për zgjedhjen kryetar të Bashës, është krijuar bindja se Berisha e ka mbështetur atë si në garën ndaj Sokol Olldashit, si në garën ndaj Eduard Selamit dhe së fundi ndaj Agron Shehajt, Fatbardh Kadillit dhe Edith Harxhit.

6.Lulzim Basha është fajtor sepse nuk arriti të krijojë marrdhënie normale me SHBA. Takimet e tij me personalitete dhe diplomatë amerikanë në momente të rëndësishme për PD kanë qenë jo vetëm të ndera për shkak të piruetave të Bashës. Nuk harrohet kurrë kërcënimi që SHBA bëri gjatë protestave të dhunshme të PD dy vite më parë kur Departamenti i Shtetit kërcënoi se nëse kjo vijonte, PD do përfshihej në listën e organziateve terroriste. Ky është një nga gabimet më të pafalshme të Lulzim Bashës. Ai kurrë nuk krijoi marrëdhënie të besueshme, luajale, parteriteti me SHBA dhe përfaqësuesit e saj në Tiranë duke sjellë pasoja të rënda që u shoqërua me presione të diplomatëve amerikanë ndaj tij dhe PD.

Sali Berisha është fajtor pikërisht se nuk arriti që pas 31 viteve karrierë politike nuk arriti që të ruante raporte pozitive me SHBA. Shpallja non grata nga Derpartamenti i Shtetit pikërisht atëherë kur nuk është më kryetar i PD, kur nuk është më president, kryeministër dhe nuk mban asnjë post shtetëror, është një goditje e rëndë ndaj tij pavarësisht çdo bilanci pozitiv që ai ka patur gjatë karrierës së vet. Berisha nuk arriti që këtë bilanc pozitiv ta konservonte si një nga asetet e tij më të mira, por që iu hodh poshtë me vendimin e sekretarit Antony Blinken.

7.Luzlim Basha është fajtor sepse nuk krijoi kurrë mundësi që Partia Demokratike të funksiononte për të gjithë, të hapur, jo selektive por një parti të personalizuar. “One man show” është simbolika se si PD me kryetar Lulzim Bashën ka funksionuar dhe funksionin në këto tetë vite.

Sali Berisha është fajtor pse vetë krijoi një model që PD të ishte kryetari dhe e gjithë partia të ishte në vartësi të kryetarit të radhës dhe jo e të gjithëve. Kjo i mbushi mendjen Lulzim Bashës se PD mund të drejtohej vetëm në këtë mënyrë.

8.Lulzim Basha është fajtor sepse largoi nga PD një radhë të gjatë personalitetesh që kanë patur një kontribut në vite në këtë parti. Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Arben Imami, e shumë të tjerë u larguan nga PD ekskluzivisht nga Lulzim Basha vetëm e vetëm se ishin kundështarë të tij brenda PD. Ai kurrë nuk arriti të bëjë bashkimin e madh aq shumë të mirëpritur në këto tetë vite.

Sali Berisha është fajtor pikërisht pse e lejoi këtë largim masiv. Berisha nuk bëri asgjë për ndaljen e hemoragjisë më të madhe që ka ndodhur në këtë parti që nga themelimi i saj. Sa herë që Berishës iu kërkua që të paktën të fliste, ai kurrë nuk e bëri këtë dhe tashmë vetë Berisha është i përjashtuari i fundit. Fraza e Berishës se PD tashmë është parti e brezit tjetër, nuk justifikon as largimin e shumë e shumë kontribuesve në vite por edhe të vetë Berishës.

9.Lulzim Basha është fajtor që nuk krijoi kurrë një staf dhe grup bashkëpunëtorësh të besuarish me karakter dhe me dinjitet. Me raste përjashtimorë, bashkëpunëtorët e Bashës kurrë nuk kanë arritur të kthehen në personalitete politikë, me autoritet që dikur PD i ka patur me shumcië. Sot në lidershipin e PD mungojnë nivele të larta të shkencës, artit dhe medias. Edhe ata që iu atashuan PD kanë dhënë dorëheqjen duke e lënë PD në mëshirën inteletuale të disa servilëve politikë që as nuk prodhojnë e as vlejnë derisa një ditë të mos i shërbejnë as vetë Bashës.

Sali Berisha është fajtor që me autoritetin e tij lejoi të ndodhte ky lloj zëvendësim brezash. Kurrë Berisha nuk reagoi me autoritetin e tij se u bënë pjesë të PD njerëz pa vlera dhe pa asnjë lidhje.

10.Lulzim Basha është fajtor pse krijoi një raport të çuditshëm me PS që nga marrëveshja e 17 majit të vitit 2017. Aspak transparente dhe dështuese në inters të PD, ajo është marrëveshja më e turpshme që kjo parti ka bërë që nga themelimi i saj. Pasojat e saj ndjehen dhe sot kur në shumë raste opinion krijon perceptimin se Basha vijon të bashkëpunojë me Ramën fshehtas.

Sali Berisha është fajtor që lejoi që të realizohej kjo marrëveshje dhe nuk u angazhua që ajo të mos realizohej. Kur drejtonte PD Berisha ka qenë vetë pjesë e disa marrëveshjeve me PS. Por ato marrëeshje kanë qenë të hapura, në sy të publikut, pa fshehur asgjë dhe PD ka arritu të përfitojë shumë prej tyre. Mjafton të kujtojmë marrëveshjen e vitit 2002 që solli jo vetëm zgjedhjen e presidentit konsensual të propozuar nga PD, por edhe një sërë reformash të tjera institucionale që favorizonin PD. Berisha kurrë nuk e tha hapur që 17 maji i vitit 2017 për PD mbetet një ditë e keqe dhe me pasoja sikur vetëm për faktin që Lulzim Basha qendroi me Edi Ramën 4 orë vetëm për vetëm dhe kurrë nuk ka bërë publike se çfarë bisedoi me të./Fjala.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille