10 ditëshi i KQZ s’i mjafton postave: Duhet mbi 1 muaj! Zarfi i diasporës të pritet edhe pas votimit

Regjistrimi i emigrantëve që duan të votojnë për herë të parë nga jashtë vendit pritet të nisë në fillim të janarit dhe të mbyllet në fillim të marsit. Por, sfida e 60 ditëve për të bindur sa më shumë shqiptarë të regjistrohen, nuk është e vetmja e këtij procesi e barrën më të madhe e kanë vetë partitë. Një peshë të rëndë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve po zënë aspektet teknike të realizimit në kohë të këtij procesi. Afatet nga prodhimi i fletës së votimit, dërgimi i tyre tek adresa e emigrantit, plotësimi dhe kthimi i votës në KQZ, janë një test i vështirë.

KQZ zhvilloi një takim me Postën Shqiptare dhe Postat private me mbulim ndërkombëtar, për të kuptuar si mund të kryhet ky operacion që Shqipëria e ka për herë të parë, shpejt, dhe sigurt. Operatorët deklaruan se problem nuk do të ishin kostot, pasi shteti paguan dërgimin dhe votuesi kthimin, e një votë, në varësi nga distanca mund të kushtojë për emigrantin 10-40 euro.

Siç ka mësuar Report TV, KQZ u tha shërbimeve postare, se llogaritet të ketë vetëm 10 ditë kohë, nga hyrja e fletës së votimit në zarf, dërgimi i saj jashtë e kthimi në KQZ brenda ditës së zgjedhjeve. Operatorët mësohet të kenë thënë se kjo është e pamundur, dhe se koha optimale do të ishte 30-45 ditë.

Shërbimet postare morën si shembull shtetet e Bashkuara, nga ku një zarf mbërrin në Shqipëri për 3 javë, kur propozuan që emigrantëve fleta  e votimit t’u dërgohet më herët. Por, Komisioni e sheh të pamundur, pasi, si për ata që votojnë në Shqipëri, ashtu edhe për votuesit jashtë, duhet të pritet miratimi final i përmbajtjes së fletës së votimit me emrat e kandidatëve brenda, e më pas ajo të prodhohet.

Në këto kushte postat kërkuan që KQZ ta presë votën e emigrantëve disa ditë pas mbylljes së votimit në Shqipëri, mjafton që ata ta kenë dorëzuar në postën e vendit të huaj brenda ditës së zgjedhjeve në Shqipëri.

Ligji parashikon të mos pranojë asnjë zarf vote që hyn në territorin tonë pas orës 19:00 kur këtu mbyllet votimi. Kjo duhet të ndryshojë sipas operatorëve postarë, në mënyrë që zarfet me vota të dërguara nga larg, të numërohen.

Ata shohin si zgjidhje edhe pagesën nga KQZ të kostos së kthimit të votës, në mënyrë që ajo të kryhet nga i njëjti operator, i cili e sjell më lirë dhe më shpejt, duke e trajtuar me prioritet. Kjo pasi qytetari, për të paguar më pak, mund të zgjedhë rrjete postare të shpejtësisë së zakontë, duke rrezikuar ta djegë votën e tij.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve është në Kosovë, për të marrë prej aty praktikat më të mira, pasi Kosova e aplikon prej vitesh me sukses votën e Mërgatës.Ngelen për tu parë zgjidhjet ligjore që do të gjejë ky institucion në këtë situatë.

G.M./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë