Pas përfundimit të afatit të aplikimit për vendin vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, i krijuar për shkak të mbarimit të mandatit të gjyqtarit Përparim Kalo, në Presidencë kanë aplikuar plot 10 kandidatë.

Bëhet fjalë për emra të njohur të sistemit të drejtësisë, si kryetari aktual i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi apo edhe prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku, apo edhe Komisionerit për Mbrojtjen e Të drejtës së Informimit dhe të Dhënave Personale, Besnik Dervishi.

Ndërkohë që ka aplikuar edhe Arta Vorpsi, gjyqtarja e famshme e përplasjes së Metës me Kuvendin në nëntor 2019.

Kandidatët: Ardita Buna, Arta Marku, Arta Vorpsi, Besnik Dervishi, Elida Take, Gent Ibrahimi, Juliana Latifaj, Maksim Qoku, Manjola Xhaxho, Sandër Beci.

Presidenca njofton se lista e aplikantëve të mësipërm dhe dokumentacioni për secilin kandidat i përcillen menjëherë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, për verifikim dhe vlerësimin e tyre në përputhje me kërkesat e Kushtetutës dhe të ligjit.

“Institucioni i Presidentit të Republikës, referuar pikës 2 të nenit 7/b, të ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, gjen rastin të kujtojë se, të gjitha institucionet publike që kanë lidhje me sistemin e drejtësisë, organizata të shoqërisë civile me veprimtari në mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose të krijuara për mbrojtjen e interesave të përdoruesve të sistemit të drejtësisë, mund të paraqesin opinionet e tyre në lidhje me kandidaturat pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”, thuhet në njoftim.