'10 kufomat në katedrën e Anatomisë, që ishin me vrimat e plumbave në kokë, u vërtetua se u përkisnin…'/Dëshmia e rrallë e profesorit të Mjekësisë Ligjore

'10 kufomat në katedrën e Anatomisë, që ishin me vrimat e plumbave në kokë, u vërtetua se u përkisnin…'/Dëshmia e rrallë e profesorit të Mjekësisë Ligjore

Prof. Çipi: “Ju tregoj rastet kur jam thirrur për të bërë ekzaminimet mjeko-ligjore të personave të vrarë në kufi, në tentativë për t’u arratisur nga Shqipëria”!

PROVA SHKENCORE TË VDEKJEVE MBRESËLËNËSE

Bardhyl Çipi, një nga specialistët më me përvojë në vendin tonë në fushën e Mjekësisë Ligjore dhe Bioetikës, mësimdhënies së tyre dhe përgatitjes së ekspertëve të rinj mjeko-ligjorë. Disa nga pacientët e tij, janë: viktima që u vranë në kufi për të shpëtuar nga diktatura komuniste, por i ndihmuar nga qeni i tij besnik, për zbulimin e kufomës së tij të fshehur, gruaja e internuar që vrau veten nga dëshpërimi, qytetarët e Kosovës të vrarë nga serbët, sepse kërkonin të jetonin të lirë, për të mos u poshtëruar dhe torturuar prej tyre, banorët që kanë jetuar 1500 vjet më parë në Shqipëri, profesori i universitetit të Tiranës i grabitur dhe i vrarë, etj. Një libër mbi vdekjen dhe provat shkencore për zbulimin e llojeve të ndryshme të saj: vrasje, vetëvrasje, të stimuluara dhe të detyruara nga regjimi komunist, vrasje dhe gjenocide ndaj Shqiptarëve nga fqinjët e tyre, kufoma të freskëta apo të dekompozuara dhe të skeletizuara. Dokumentet e vdekjeve të personave të shquar; Kenedit, Linkolnit, Napolonit, Leninit, Trockit, etj., dhe ngjarje të tjera të vdekjeve të njerëzve të zakonshëm. Njohuri mbi ndryshimet që ndodhin pas vdekjes dhe ekzaminimit të kufomave në botë dhe në vendin tonë, nga pikëpamja historike, etike, mjekoligjore, juridike. Disa nga librat e tij të fundit janë; “Manuali i Mjekësisë Ligjore” (2015), “Bioethics in Albania nowadays” (2016), “Tranzicioni shqiptar në lupën e mjekësisë ligjore” (2018), “Mjekësia Ligjore Kriminalistika” (2020).

Krimet: vrasjet, vetëvrasjet dhe të tjera ndaj personave të persekutuar nga regjimi komunist

Në vendin tonë, në kërkimet pas viteve 1990 të kufomave të disidentëve politikë të varrosura në vende të panjohura, të pasuara me ekzaminimet e tyre, morën pjesë aktive të gjitha shërbimet mjekoligjore të vendit tonë, për të cilat unë kam qenë drejtuesi kryesor i tyre. Por në këto kërkime, që kryheshin më tepër me iniciativën e familjeve të viktimave, u hasën mjaft pengesa:

-Regjimi i mëparshëm për ta bërë sa më të pamundur zbulimin e kufomave të disidentëve e kundërshtarëve politikë, pas varrimit të parë të tyre kryente zhvarrosje dhe rivarrosje të fshehta, shpesh të përsëritura dy tri herë, si p.sh., me kufomën e kryeministrit Mehmet Shehu, apo kufomat e drejtuesve të lartë të ushtrisë: gjeneralëve Beqir Balluku (ministër i Mbrojtjes), Petrit Dumes dhe Hito Çakos.

Për këtë arsye, në mjaft raste, pavarësisht përpjekjeve të mëdha, nuk arrihej gjetja e trupave të këtyre viktimave.

Kështu p.sh., kërkimet për zbulimin e mbetjeve kufomore të Bahri Omarit dhe disa personave të tjerë të shpallur armiq dhe të dënuar me vdekje, nuk patën rezultat. Në atë kohë u bënë gërmime të shumta në një zonë pranë Kryegjyshatës Bektashiane në Tiranë, ku mendohej se ato ishin varrosur. Po atje u zbuluan vetëm disa eshtra të pakta kafshësh.

Në një rast tjetër, prokuroria dërgoi në Shërbimin Qendror Universitar të Mjekësisë – Ligjore në Tiranë, mbetje kockore njerëzore, të zbuluara në rrethin e Përmetit, që mendohej që i përkisnin një të riu nga Shkodra, i diplomuar në Itali në një universitet Teologjie dhe i pushkatuar nga komunistët. Nga ekzaminimi mjeko-ligjor dhe antropologjik i hollësishëm, që bëra, rezultoi se ato i përkisnin një personi të moshuar, mbi 50 – 60 vjeҁ, duke u përjashtuar që ato të ishin të këtij djali të ri.

Një ngjarje tjetër që më kujtohet, ka qenë ajo e përpjekjeve të pashpresa për gjetjen e mbetjeve të një viktime të pushkatuar shumë vite më parë. Pas viteve 1990, në një ditë rreth vitit 1993, në orët e mëngjesit vjen të më takojë në zyrë, një person trupmadh, që më tha se ishte me shtetësi amerikane, jetonte në Nju Jork që prej shumë vitesh, pas arratisjes nga një fshat i Veriut të Shqipërisë.

Kishte ardhur për të gjetur varrin e xhaxhait të tij dhe m’u lut që ta ndihmoja në identifikimin e mbetjeve kockore.

Ai më tregoi se xhaxhai, shumë kohë më parë, në vitet 1950,  kryente shërbimin ushtarak në një repart të Ushtrisë në zonën e “Qytetit të Nxënësve” në Tiranë, atje ku kanë qenë “Kazermat e Ali Rizait”. Shumë i pakënaqur nga regjimi komunist, tentoi të arratisej, por u kap dhe u dënua me vdekje.

Ekzekutimi i tij u krye përpara gjithë batalionit, për t’u bërë shembull dhe frikësuar të gjithë ushtarët e tjerë. Pas kësaj, ai u varros në një grope të madhe dhe të thellë, të hapur pranë vendit ku u pushkatua. Shoku i tij i ngushtë, ushtar edhe ai në atë repart, tani në moshë të kaluar, e mbante mirë mend vendin e varrimit.

Disa ditë më pas, në një mëngjes me kohë të mirë, së bashku me nipin dhe shokun e xhaxhait, shkojmë në vendin ku ishte varrosur viktima, për të asistuar në gërmimet për zbulimin e kufomën, që më pas të kryeja ekzaminimin e saj.

U gërmua gjithë ditën pëllëmbë për pëllëmbë dhe në thellësi ai vend, por nuk u gjet asgjë, me përjashtim të disa eshtrave të pakta kafshësh. Në këto gërmime asistonte dhe i gjithë fisi, prej më shumë se 20 personave, që kishin ardhur nga fshati i viktimës, për ta nderuar atë dhe më pas të organizonin ceremoninë e varrimit. Më erdhi shumë keq për dëshpërimin e tyre nga mos gjetja e trupit të të afërmit të tyre.

-Një e metë tjetër e këtyre ekzaminimeve ka qenë mungesa e të dhënave të sakta dhe të plota krahasuese. Siҁ dihet, identifikimi antropologjik (forensic anthropology) i skeleteve të panjohura, në vetë-vete është një krahasim, ku të dhënat nga ekzaminimi i mbetjeve kufomore, krahasohen me ato të personit që mendohet se i përkasin këto mbetje.

Nëse këto të dhëna krahasuese do të mungojnë, identifikimi do të jetë i pamundur.

Mbaj mend një rast, kur nga shoqata e ish-të Përndjekurve dhe Burgosurve Politikë, u sollën në Shërbimin e Mjekësisë Ligjore, në vitet e para pas 1990-ës, pesë kafka, që mendohej se u përkisnin viktimave politike të rrethit të Beratit. Unë kam kryer një ekzaminim antropologjik të hollësishëm të tyre, në përcaktimin e seksit, moshës, racës, shenjave të veçanta individuale.

Nga ana e organizatës së ish-të Përndjekurve dhe Burgosurve Politik, nuk na u dha asnjë informacion krahasues, pavarësisht insistimit nga ana jonë. Në këto kushte nuk u arrit të përcaktohej identiteti i tyre.

Vështirësia për marrjen e të dhënave krahasuese mund të ketë ardhur edhe nga koha e e largët që ka kaluar pas këtyre vdekjeve, kur dhe të afërmit e këtyre viktimave, mund të jenë shumë të moshuar ose dhe kanë vdekur. Kështu mund të ketë ndodhur me 13 mbetjet kufomore të gjetura në një varrezë masive, afër malit të Dajtit. Ekzaminimi i tyre është kryer prej meje dhe kolegëve të tjerë mjeko-ligjorë. Në mungesë të të dhënave krahasuese, ato vazhdojnë të jenë ende të paidentifikuara.

Sa më shumë kalon koha, aq më të vështira bëhen gjetjet e të dhënave krahasuese, të domosdoshme për identifikimin e mbetjeve skeletike, pavarësisht se sot ka hyrë në përdorim edhe metoda shumë e saktë e ADN-së. Me gjithë këto vështirësi, Shërbimi Qendror Mjeko-Ligjor, i drejtuar prej meje, arriti të realizoj me sukses shumë identifikime të këtyre rasteve.

Kështu, u krye identifikimi i kufomave, të cilat pas dënimit me vdekje me anën e pushkatimit, në vend që të varroseshin në vende të panjohura, ishin dërguar në katedrën e Anatomisë Normale të fakultetit të Mjekësisë në Tiranë, për t’u përdorur nga studentët, për t’u njohur sa më mirë ndërtimin e trupit të njeriut.

Mesa më kujtohet, nga ana e Shërbimit të Mjekësisë-Ligjore, u kryen ekzaminimet mjeko-ligjore dhe kriminalistike të më shumë se dhjetë kufomave që ndodheshin atje. Ato u përkisnin personave të pushkatuar, me vrimat e plumbave në kokën e secilës kufomë. Pas përfundimit të procesit të identifikimit, ku një ndihmë të madhe dha ekzaminimi daktiloskopik i shenjave të gishtave, u vërtetua se ato u përkisnin personave të dënuar me vdekje, që kishin kryer krime ordinere, kryesisht vrasje.

Po në atë kohë, ekzaminova një kufomë tjetër që ndodhej në katedrën e Anatomisë Normale të fakultetit të Mjekësisë, e cila i përkiste një të burgosuri për arsye politike. Ai, i prekur nga një sëmundje e rëndë, gjatë qëndrimit në burg, në vitet 1970, ka qenë dërguar në repartin e reanimacionit të spitalit të kirurgjisë të Tiranës. Me gjithë ndihmën mjekësore, ai kishte vdekur dhe kufoma e tij nuk i ishte dhënë familjes por ishte dërguar fshehurazi në katedrën e anatomisë normale.

Pas ekzaminimit, nga ana ime të shenjave identifikuese të kufomës, të krahasuara me ato të të marra nga familjarët, u arrit identifikimi i saktë. Pas kësaj kufoma ju dha familjes për të kryer ceremoninë e varrimit.

Rasti më i spikatur, ka qenë ai i 22 viktimave të pafajshme, të pushkatuara pa gjyq në vitin 1951, nën pretekstin se kishin marrë pjesë në vendosjen e një bombe në ambasadën sovjetike në Tiranë.

Në vitin 1992, në një gropë të madhe pranë fshatit Menik të Tiranës, jo shumë larg lumit Erzen, u zbuluan pjesë të shumta kockore. Një banor i moshuar tregoi se në atë vend, në muajin janar të vitit 1951, kishte dëgjuar mjaft zëra dhe qarje njerëzore në këtë vend.

Menjëherë lindi dyshimi se ato mund t’u përkisnin 22 viktimave të kësaj ngjarjeje tragjike, që kishte ndodhur në atë kohë. Për këtë, me interesimin e drejtpërdrejtë të familjarëve, filluan gërmimet për zbulimin dhe nxjerrjen e të gjitha këtyre mbetjeve kockore.

Për këtë u thirr prej tyre një kolegu dhe miku im, mjek i specializuar në fushën e antropologjisë, për të ndihmuar në gjetjen dhe nxjerrjen sa më të kujdesshme të tyre dhe me shpresën që ai do të arrinte t’i identifikonte me sukses, mbetjet e secilës prej 22 viktimave.

Kur ai nuk mundi ta realizonte këtë gjë dhe ndarje të mbetjeve për secilën viktimë, u thirra dhe unë për të parë gropën me kocka. Më pas të gjitha këto mbetje skeletike i sollëm në Shërbimin Qendror të Mjekësisë-Ligjore, ku i vendosëm duke i radhitur sipas llojeve të kockave në bangat e një salle të katit të tretë të këtij shërbimi. Atje filluam ekzaminimin e hollësishëm mjeko-ligjor dhe antropologjik të tyre.

Me këtë rast dua të kujtoj se pikërisht në këtë sallë, shumë vite më parë, kisha vendosur mbi bangat e saj shumë seri kockore, të qindra eshtrave të katedrës së Anatomisë Normale, të marra nga një kishë e fshatit Kreshovë të rrethit të Përmetit. Unë i studiova ato me hollësi, gjatë disa muajve, për të përcaktuar dhjetëra shenja antropologjike përshkruese dhe matëse, rezultatet e të cilave i paraqita me sukses në mbrojtjen e disertacionit në vitin 1981.

Po në atë periudhë, kam ekzaminuar atje me hollësi, gjatë një periudhe dy-mujore, mbetjet kufomore të 23 dëshmorëve të rrethit të Beratit. Emrat e tyre njiheshin, por nuk ishte përcaktuar se cilave pjesë kockore i përkiste secila prej tyre. Për këtë, bashkë me mjekun ligjor të rrethit të Beratit, i kemi nxjerrë këto mbetje nga ҁdo varr.

I kam sjellë në Tiranë, ku i kam vendosur po në këtë sallë. Atje bashkë me kolegë të tjerë mjeko-ligjorë, i ekzaminuam me shumë hollësi për rreth dy muaj; në disa prej tyre u aplikua edhe metoda e super-pozimit fotografik. Në përfundim u krye identifikimi i saktë i tyre dhe rivarrimi ceremonial në Varrezat e Dëshmorëve të rrethit të Beratit.

Më vonë, po në këtë sallë, kam ekzaminuar shumë raste të tjera të ngjashme, por që s’kishin lidhje me persekutimet politike të regjimit komunist. Por le të kthehem përsëri në ekzaminimin e 22 viktimave, të pushkatuara pa gjyq nga regjimi komunist.

Pjesët skeletike përbëheshin nga:

-15 kafka të thyera e të copëtuara, me një pjesë të dhëmbëve dhe dhëmballëve të ruajtura në përgjithësi; në një kafkë janë të ruajtura të dy nofullat;

-rreth 30 dhëmbë dhe dhëmballë të veçuara;

-rreth 300 vertebra, një pjesë e të cilave të thyera e të shkatërruara, nga të cilat janë 9 atlase dhe 9 aksise;

-rreth 285 brinjë dhe pjesë brinjësh, në përgjithësi të ngrëna dhe të shkatërruara;

-3 sakrume të plota në përgjithësi të ruajtura;

-rreth 15 copa të ngrëna dhe të shkatërruara pjesësh të kockave të baçinit;

disa copa skapulash dhe pjesëve të tyre;

14 klavikula në përgjithësi të ruajtura;

18 humeruse; në një rast u gjet humerusi i djathtë, i lidhur me të majtin me një kordon të forte elektriku;

-44 ulna dhe radiuse në përgjithësi të ruajtura, por midis tyre edhe disa të ngrëna dhe të copëtuara; në një rast 2 kockat e djathta të parakrahut, ishin të lidhura me dy të majtat krejt të ngjashme me kordon të fortë elektrik;

-30 femure ose pjesë të tyre të copëtuara e të ngrëna;

-22 tibie në të njëjtat kushte;

-20 patela të plota;

-25 taluse dhe 15 kalkaneuse të të dy anëve por që nuk arrihet që të bëhet çiftëzimi i plotë i tyre;

-830 kocka të imëta të duarve dhe të këmbëve (karpe, metakarpe, tarse, metatarse dhe falange);

-rreth 500 fragmente kockash të thërrmuara./ Memorie.al

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Eri: 21/04/2024 08:23

    Doktor ku ishe tash 34 vite ?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Dyndje për festat! 'Bien' linjat ajrore amerikane, bllokohen mijëra fluturime

Dyndje për festat! 'Bien' linjat ajrore amerikane, bllokohen mijëra fluturime