Ministri Naço, duke u ndalur fillimisht në simbolikën e kësaj dite, u shpreh se "origjina e saj lidhet me Kanunin e Zhurisë, i cili daton më datë 10 maj 1913 dhe se sot vlen të reflektohet mbi rëndësinë e kësaj dite për sistemin e drejtësisë në Shqipëri".
Ministri i Drejtësisë, Naço, i pyetur nga mediat se si do të zgjidhet ngërçi me KLD për emërimin e zv/kryetarit të këtij institucioni, u shpreh se "ky është një problem që duhet të zgjidhet dhe se propozimi i tij duhet të shqyrtohet nga kreu i KLD, i cili ende nuk e ka miratuar. Ata që bëhen pengesë për reformat në drejtësi, nuk bëjnë gjë tjetër veçse shtyjnë në kohë qeverisjen e tyre. Ne do të vazhdojmë të insistojmë në denoncimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve të korruptuar, siç kemi bërë së fundmi, por ka ende raste të tjera dhe ky është vetëm fillimi".
Në fund të konferencës për shtyp, ministri Naço u dhuroi mediave dhe të pranishmëve një botim të Kanunit të Zhurisë, të firmosur nga vetë ministri i Drejtësisë, si dhe i ftoi të vizitonin ekspozitën e botimeve të legjislacionit shqiptar ndër vite, mundësuar nga Qendra e Publikimeve Zyrtare dhe Biblioteka Kombëtare. /atsh/
