Burgu i Fierit i ka dhënë dy arsye Komitetit Shqiptar të Helsinkit se përse Erion Veliajt nuk i është dorëzuar urdhri i transferimit nga Durrësi. Në një intervistë për Report Tv, monitoruesi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit Zylyftar Bregu, i cili e takoi personalisht kryebashkiakun më 30 tetor, tha se drejtuesit e burgut të Fierit pretenduan se dokumenti duhej t'i jepej nga institucioni që e kishte hartuar dhe se as Veliaj dhe as avokati nuk kishin bërë kërkesë me shkrim për t'u njohur me të.

“Autoritetet e burgut të Fierit më dhanë dy arsye pse nuk ia kishin bërë të ditur këtë akt të paraburgosurit Erion Veliaj. Arsyeja e parë ishte se, sipas tyre, ky është një dokument që nuk është hartuar prej tyre dhe detyrimin për t'ia dhënë zotit Veliaj këtë dokument e ka ai që e ka hartuar. Arsyeja e dytë ishte që, sipas tyre, avokati ose dhe vetë i pandehuri nuk ka bërë një kërkesë me shkrim për ta pasur këtë document”, tha Bregu në një intervistë për “Sot Live në Shqipëri” me gazetarin Nertil Agalliu. 

Bregu tregoi se Veliaj kishte ngritur shqetësimin për largësinë nga familja dhe gjykata, duke thënë se mund të ishte transferuar në një institucion në Tiranë, Krujë ose Elbasan.

“Në rastin konkret, zoti Veliaj pretendonte që mund të ishte një institucion në Tiranë, Krujë, në Elbasan. Ndërkohë, largimi për në qytetin e Fierit e vështirëson komunikimin e tij me familjen. Bashkëshortja e tij ka një fëmijë të vogël, të mitur. Nëna është në një moshë madhore, por përveç komunikimit me familjen, sipas tij, vështirësohet dhe komunikimi me avokatin”, tha ai.

Bregu tha se ishin normale dhe se Veliaj qëndronte i vetëm, ndërsa konfirmoi se kryebashkiaku ishte ankuar për moskryerjen e një grafie të këmbës, të planifikuar për më datë 11. Ekzaminimi nuk i ishte mundësuar as në Durrës, ndërsa drejtuesit e burgut të Fierit i kishin premtuar realizimin e tij gjatë kësaj jave.

“Zoti Veliaj vuan nga një problem në këmbë, për të cilën shfaqi ankesa se nuk është lejuar që të bëjë periodicitetin e grafive për ecurinë e këmbës. Sipas tij, duhet të bënte një grafi në datën 11, por as në IEVP-në e Durrësit dhe as në atë të Fierit nuk ia kishin lejuar. Por në atë të Fierit është e kuptueshme, sepse kishte vetëm dy ditë që kishte shkuar dhe autoritetet e Fierit më thanë se brenda kësaj jave do t'ia mundësojnë atë grafi për këmbën.

Për sa i përket kushteve në qeli, janë kushte të pranueshme, normale. Zoti Veliaj qëndronte i vetëm për shkak të kujdesit që ka treguar drejtoria e IEVP Fier. Qëndronte i vetëm në qeli, në sektorin e paraburgimit”, vijoi Bregu.


Lajmi kryesor:

Transferimi i Veliajt në burgun e Fierit, Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Nuk iu treguan arsyet, urdhri ‘sekret’ pa një bazë të qartë ligjore s'lejon ankimin! Pa telefonata me familjen