Një shtetas kosovar është vënë në prangat e policisë kufitare në pikën e Morinës, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Policia njofton se ka arrestuar shtetasin Istref Tahirukaj, 49 vjeç, banues në Deçan të Kosovës.

49-vjeçari është dënuar me 10 vite burg në Norvegji për veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike.

Njoftimi i policisë:
Policia Kufitare arreston një shtetas kosovar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Arrestimi provizor u bë me qëllim ekstradimin e tij në shtetin Norvegjez. Specialistët e Policisë Kufitare bënë arrestimin provizor me qëllim ekstradimin e shtetasit kosovar të shpallur në kërkim ndërkombëtar, konkretisht;

-Istref Tahirukaj, 49 vjeç, banues në Deçan, Kosovë.

Ky shtetas u kap në hyrje të P.K.K Morinë, ku gjatë përpunimit të dokumentacionit, rezultoi person në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet Norvegjeze.

Gjykata e Borgating Norvegji, me vendim Nr.03-01299M/03, më datë 12.12.2003, e ka dënuar me 10 vite burg, për veprën penale në fushën e narkotikëve. Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës.