Qytetarëve serbë dhe pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian që jetojnë në Kosovë dyshohet se po u ofrohen nga 100 euro për të votuar partinë e Aleksandër Vuçiç në zgjedhjet parlamentare në Serbi. Sipas KosovaPress, e cila ka siguruar dëshmi nga qytetarë që kanë folur në kushte anonimiteti, përveç pagesave po organizohet edhe transporti i votuesve drejt Serbisë, ndërsa disa prej tyre pretendojnë se po përballen me presione dhe kërcënime.

Një qytetar nga Plemetini ka treguar se një autobus, pasi kishte dërguar një grup votuesish drejt Serbisë, ishte kthyer për të marrë të tjerë. Sipas tij, shpenzimet e udhëtimit mbulohen nga organizatorët, ndërsa 100 eurot u premtohen votuesve pasi të kenë votuar për Partinë Përparimtare Serbe (SNS).

Burime të KosovaPress brenda institucioneve të sigurisë pretendojnë se ndaj disa serbëve që jetojnë në Kosovë po ushtrohet presion edhe përmes ndihmave që marrin, duke i kushtëzuar ato me votën për partinë e Vuçiç.

“Paratë për këto pagesa janë siguruar nga Milan Radoiçiç. Mesazhet kërcënuese, presionet dhe shantazhet ndaj votuesve në Kosovë po përcillen nga struktura ilegale serbe dhe përfaqësues të Listës Serbe”, ka deklaruar një burim për KosovaPress.

Sipas të njëjtave burime, në organizimin e transportit dhe lëvizjen e votuesve në zonën kufitare janë përfshirë edhe persona të një grupi të lidhur me Radoiçiçin, të njohur si “MC”.

Votuesve u janë dhënë gjithashtu udhëzime se si të votojnë dhe u është thënë se vota e tyre mund të kontrollohet për të verifikuar nëse kanë mbështetur SNS-në.

KosovaPress raporton edhe për një rritje prej më shumë se 20 mijë personash të regjistruar si votues nga Kosova, sipas burimeve të saj.


Lajmi kryesor:

Zgjedhjet në Serbi, pjesëmarrja arrin në 43%! Incidente në qendrat e votimit, shqiptarët e Luginës së Preshevës garojnë të bashkuar: Sot është ditë vendimtare