Qendra e Boboshticës në Korçë, e cila është përfshirë në Programin e 100 Fshatrave do të rrjetëzohet falë projektit të qeverisë për rikualifikimin urban të kësaj zone mjaft të rëndësishme që do ta shndërrojë tashmë atë në një atraksion të vërtetë turistik.
Kryeministri Edi Rama ka parë nga afër projektin, pjesë e të cilit është edhe muzeu i rakisë i cili pritet të shtojë edhe më tepër interesin e vizitorëve për fshatin turistik. Bizneset private në Boboshticë janë zhvilluar përmes mbështetjes financiare të programit të qeverisë. Nga kjo zonë kryeministri Rama ka thënë se këta biznese duhet të gjejnë mënyrën për t'u lidhur me pika të përpunimit.
“Është e rëndësishme edhe për t’i lidhur me pikat e përpunimit, që të mos i shesin në rrugë,” theksoi ndër të tjera Kryeministri.
Ndërsa ministrja e Kulturës Elva Margariti ka thënë: “Ideja është të krijojmë ato funksione që i japin jetë gjithë fshatit, rikualifikohet e gjithë zona përreth dhe jepet një shembull i mirë se si mund të përdoren të gjithë këto shtëpi që janë deri diku një pjesë të abandonuara, ose thjesht për përdorim familjar në minibujtina edhe në shërbim të muzeut. Përveç muzeut, ideja është që të unifikohen disi edhe fasadat. I jep një funksion edhe turistik, edhe një atraksion që s’është përdorur më parë,”
Kryeministri Edi Rama ka vizituar edhe një fermën e përpunimit të, në Korçë, e cila, përmes mbështetjes financiare të programit të zhvillimit rural ka investuar në pajisje për modernizimin e teknologjisë prodhuese, si dhe të cilësisë së produktit final, djathit në disa varietete të ndryshme.
Programi 100 fshatra përfshin së bashku me investimet në agroturizëm, me mbështetjen e AZHBR, edhe shndërrimin e këtij fshati të njohur për pemët shumëshekullore të manit e për prodhimin tradicional të rakisë, në një pikë tërheqëse të hartës turistike të vendit.
VIDEO-Rama vizitë te Muzeu i Rakisë
Mbështetja për agroturizmin dhe Programi i 100 Fshatrave kanë nxitur investitorët të ngrenë struktura akomoduese për vizitorët, të cilët, bashkë me natyrën tashmë mund të shijojnë edhe ushqimet tradicionale. Nëpërmjet programit mbështetës të zhvillimit rural synohet evidentimi i produkteve lokale tradicionale të çdo zone, drejt një ekonomie lokale të konsoliduar. Mbështetja financiare ndihmon prodhuesit e vegjël në rritjen e kapaciteteve prodhuese, plotësimin e standardeve dhe siguruar cilësi, për të mundësuar që këto produkte të gjenden kudo. Në të njëjtën kohë fuqizohen zonat rurale, nëpërmjet orientimit të investimeve në këto zona.