TIRANË- Dy vëllerëzit Basho, Tesilvan dhe Satilno, anëtar të bandës së Llanajve në Vlorë janë lënë në burg. Seanca për dy vëllezërit është zhvilluar e ndarë, Tesilvani në Gjykatën e Vlorës nën masa të rrepta sigurie, ndaj të cilit është caktuar 'arrest me burg' me qëllim ekstradimi pasi ishte në kërkim nga Italia, e ndërsa për Satilnon në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, me akuzën e 'shtrëngim me dhunë për dhënie për dhënie pasurie'.  

Gazetarja e Report Tv, Xhensila Kodra ka zbardhur dëshminë e këtij të fundit, i cili akuzohet se ka gjobitur dajën e mamasë, biznesmenin Sulejman Hoxha me 100 mijë euro. Ai i ka mohuar këto akuza, sipas së cilit ato para i takonin për shkak të një toke të përbashkët.

"Nuk kam lidhje me këtë akuzë. Unë kam shumë marrëdhënie të mira me dajën. Më ka ndihmuar sa herë që kam pasur nevojë. Ai kërkoi vetë që të shkoja e ta takoja unë për të marrë lekët dhe kur e kam marr vesh që është ankuar në polici i kam thënë "pse më fut mua në këtë mesele". Atëherë e kam takuar edhe dajën dhe më ka thënë "nëse ti arrestohesh unë do vij të deklaroj se ti s'ke lidhje me këtë gjë. Më pas ky konflikt pronësie u zgjidh mes familjeve tona", tha Satilno Basho në gjykatë.

Në fund të seancës, avokati mbrojtës tha se do të ankimojnë vendimin, me argumentin se Basho nuk ka kryer asnjë vepër penale. "Nuk është gjobvënie. Biznesmeni ka zënë tokën e këtyre dhe ai ka paguar pronën e zënë. Paratë ia ka dhënë disa herë në shuma të ndryshme. Do të ankimojmë vendimin sepse nuk ka vepër penale", tha avokati. 

Nga ana tjetër, Basho përballet me dy masa sigurie, atë të cilën kërkohet nga shteti shqiptar dhe ai italian. Gjyqtarja Esmerilda Habilaj ka vendosur' arrest me burg' me efekt ekstradimin në Itali për vrasjen e dy prostitutave dhe arratisjen nga burgu ndërsa aktualisht po mbahet masa e sigurisë për veprat penale në shtetin shqiptar, Armëmbajtja pa leje”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”. Gazetari Armand Xhelili raporton se të pranishëm në ambientet e gjykatës familjarë të Tesilvanit, ose Tesi siç ai njihet në Vlorë. Kur ka dalë Tesi i shoqëruar nga 5 efektivë në furgonin e parë dhe 7 të tjerë në furgonin e dytë e kanë përshëndetur.

Tesi është një person me rrezikshmëri të lartë, i dënuar në Itali me burgim të përjetshëm për vrasje, si dhe me precedent të theksuar kriminal në Shqipëri, në fushën e krimeve kundër personit dhe në fushën e narkotikëve. Ai ka vrarë dy vajza që ushtronin prostitucion në qytetin e Torinos, një prej të cilëve e shfrytëzonte edhe vetë. Ai ishte arrestuar në vitin 2016 në Itali, por vetëm pak kohë më vonë duke shfrytëzuar transferimit e tij pas tërmetit që "shkundi" Italinë, së bashku me dy shok të tjerë qelia u arratis nga dritarja e burgut, me çarçaf dhe shkopa fshese.