100 vite nga themelimi i Republikës së Turqisë

100 vite nga themelimi i Republikës së Turqisë

100 vite më parë Mustafa Kemal Ataturku shpalli Republikën e Turqisë. Duhet të ishte perëndimore, moderne, laike dhe paqësore. Po si është sot?

A ka festa të mëdha kombëtare në Turqi apo jo? Javë më parë, turqit laikë kanë spekuluar se si qeveria konservatore islamike nën Presidentin Rexhep Tajip Erdogan do të festojë 100 vjetorin e themelimit të republikës.

Deri pak ditë më parë nuk kishte asnjë program zyrtar në rend dite. Dyshohet se edhe diplomatë të huaj kanë shkëmbyer informacione nëse dikush ka marrë ftesë apo jo.

Vetëm të premten e kaluar, departamenti i komunikimit i Erdoganit njoftoi një seri ngjarjesh që nxjerrin në pah epokën e Erdoganit. Turqit laikë tani janë të bindur se frika e tyre është konfirmuar: Erdogan po përpiqet të fshijë trashëgiminë e themeluesit Ataturk, po përpiqet ta zë vendin e tij dhe të krijojë një kult Erdogan, në një vend islamik.

Erdogani dëshrion të zërë vendin e Ataturkut

"Shekulli turk” ishte slogani parazgjedhor i Erdoganit me të cilin fitoi sërish zgjedhjet në maj dhe siguroi pushtetin edhe për pesë vite të tjera. Ai ka qenë në pushtet për më shumë se 20 vjet. Tani Erdogani dëshiron të hyjë në histori si një burrë shteti që e futi republikën në shekullin e dytë.

Beate Apelt, kreu i zyrës turke të Fondacionit Friedrich Naumann, në fakt sheh shumë simbolikë në prag të jubileut të rëndësishëm, duke e vendosur Erdoganin në të njëjtin nivel rëndësie me Ataturkun. Termi "shekulli turk" dhe shfaqja e portreteve identike të dy liderëve krah për krah, sugjerojnë se Ataturku është iniciatori, ndërsa Erdogani përfunduesi i projektit të madh të shekullit, thotë Apelt.

Ajo vë në dukje edhe pakënaqësinë në rritje midis shumë turqve që 100 vjetori nuk po festohet me madhështi. Përveç kësaj, siç thotë, manifestimet e shumta festive janë të lidhura me elemente fetare. "Sigurisht jo në frymën e Ataturkut”, shton Apelt.

Babai i Turqisë moderne, Mustafa Kemal Ataturk, prezantoi një ndarje të qartë të shtetit nga feja. Sipas parimit të të ashtuquajturit të sekularizmit, ai shfuqizoi edhe vëllazëritë fetare dhe kalifatin, prandaj islamistët e urrejnë edhe sot. Kurse Erdogan mbështet grupe të tilla që kur erdhi në pushtet dhe u jep atyre privilegje të shumta. Ai nuk e thotë kurrë emrin e plotë të Mustafa Kemal Ataturkut. Për të, ai është gjithmonë "veterani Mustafa Kemal". Ataturk do të thotë paraardhësi i turqve. "Ai duket se nuk e pranon këtë", është një prej kritikave të përhapura. Jeta private liberale e Ataturkut dhe konsumimi i tij i alkoolit janë gjithashtu të përbuzur në jetën e Erdoganit dhe në qarqet e AKP-së.

Turqia e Ataturkut, makthi i Erdoganit

Themeluesi i Turqisë moderne, Ataturku, ëndërronte për një republikë perëndimore, moderne dhe laike. Brenda pak vitesh ai urdhëroi shumë reforma. Shkrimi arab u zëvendësua nga latinishtja, u miratuan kodet ligjore perëndimore, ndërsa grave iu dha e drejta e votës. Madje ekzistonte një ligj për mbulesat, me qëllim që të garantohet që njerëzit t'i thoshin lamtumirë mbulesave fetare osmane si fesi ose çallma dhe të visheshin në një mënyrë moderne, si në Londër, Berlin dhe Paris.

Qëllimi i largët ishte krijimi i një kombi turk nga rrënojat e strukturës multietnike të Perandorisë Osmane.

Megjithëse këto reforma tani janë të lidhura kryesisht me Ataturkun, ato ishin të një rëndësie dytësore në atë kohë, sipas Salim Cevik, një ekspert turk në Fondacionin e Berlinit për Shkencën dhe Politikën (SWP). Sipas tij, pas disfatës në Luftën e Parë Botërore, rënies së Perandorisë Osmane dhe luftës rraskapitëse çlirimtare kundër fuqive fitimtare, Ataturku dhe pasuesit e tij kishin vetëm një qëllim në mendje: të shpëtonin strukturën e mbetur shtetërore nga kolapsi total dhe të krijonin një republikë të fortë që mund t'i rezistojë çdo sulmi si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. "Dhe në pjesën më të madhe ata ia dolën," thotë Cevik, një ekspert për Turqinë. Gjatë 100 viteve të fundit, shteti turk, siç thotë ai, është shndërruar në një fuqi të fortë rajonale, ekzistenca e të cilit nuk është vënë në dyshim apo kërcënuar nga jashtë. Nëpërmjet anëtarësimit në NATO ose aleanca të tjera, tani, thotë Cevik, është pjesë e fortë e sistemit politik ndërkombëtar.

Mes Evropës dhe Lindjes së Mesme

"Turqia është një lojtar i rëndësishëm, veçanërisht në zonën midis Evropës dhe Lindjes së Mesme", thekson Beate Apelt nga Fondacioni Friedrich Naumann. Kjo rrjedh nga pozicioni i saj gjeostrategjik si një vend i NATO-s midis Detit të Zi dhe Mesdheut me kontroll të rrugëve detare përmes Bosforit dhe Dardaneleve, por edhe midis BE-së e Rusisë, e cila kufizohet me Detin e Zi, dhe zonës jashtëzakonisht problematike në juglindje.

Apelt tregon gjithashtu rolin e Erdoganit në vitet e fundit. Ai, sipas saj, po e ofron veten si ndërmjetës midis palëve në një konflikt rajonal, për shembull midis Ukrainës dhe Rusisë ose aktualisht Izraelit dhe Hamasit. Sipas saj, Erdogani mund të luajë një rol konstruktiv edhe atje, si në rastin e marrëveshjes së grurit për Ukrainën.

Në të njëjtën kohë, ajo tërheq vëmendjen për politikën e Erdoganit me të cilën ai përpiqet të nxjerrë përfitimin maksimal për veten dhe Turqinë nga çdo zonë. Shembulli i fundit është bllokimi i anëtarësimit të Suedisë në NATO nga Erdogani, të cilin ai e kushtëzoi këtë verë me vazhdimin e negociatave të Turqisë për anëtarësimin në BE.

Kur bëhet fjalë për migracionin ilegal, Apelt e sheh vendin duke luajtur një rol të rëndësishëm pavarësisht marrëveshjes së diskutueshme të refugjatëve të vitit 2016, ndërsa ajo e sheh të ardhmen e marrëveshjes si më të vështirë. Pranimi i refugjatëve nga Siria dhe vende të tjera ka rënë ndjeshëm në Turqinë e dobësuar ekonomikisht gjatë viteve të fundit, ndërkohë që diskriminimi dhe urrejtja ndaj tyre po rritet me shpejtësi.

Politika e jashtme paqësore

Pasi themeloi republikën 100 vjet më parë, Ataturku filloi një politikë të jashtme paqësore. Sipas shkencëtarit politik Cevik, qëllimi i tij ishte të mbronte republikën ende shumë të re nga krizat ndërkombëtare. Me përjashtim të konfliktit të Qipros në mesin e viteve 1970, Turqia i qëndroi besnike këtij kursi.

Erdogani i shmangu edhe konfliktet në politikën e jashtme në vitet e para të pushtetit. Vetëm gjatë Pranverës Arabe, siç thotë Cevik, ai e pranoi përballjen me botën arabe si një të keqe të domosdoshme dhe ra në anën e rebelëve. Por edhe atëherë politika e tij e jashtme ishte paqësore.

Cevik thotë se vitet e fundit ka vënë re një ton agresiv dhe një militarizim në rritje. Arsyeja për këtë, thotë ai, është se instrumentet e fuqisë me mjete të buta të Ankarasë janë bërë gjithnjë e më pak të rëndësishme vitet e fundit, kështu që shfaqja e fuqisë ushtarake është mjeti i vetëm i mbetur.

Para së gjithash, sulmet ajrore turke në Irakun verior dhe Siri kanë hasur në kritika ndërkombëtare. Por armatosja e grupeve xhihadiste në Siri dhe dërgimi i mercenarëve në Libi dhe Nagorno-Karabakh shkaktuan gjithashtu zemërim në Perëndim./DW

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sarandë/ Vrau burrin, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja

Sarandë/ Vrau burrin, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja