Ceremonia festive me moton “100 vjet pavarësi” kulmoi në mbrëmje në sallën “Boris Trajkovski” ku ishin të pranishëm edhe kryeministri shqiptar Sali Berisha por dhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, si dhe zëvendëskryeministrat e Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli dhe Hajredin Kuçi, lideri i LSI-së Ilir Meta, si dhe Rifat Jashari nga familja e Jasharajve nga Prekazi i Drenicës.
Mesazhe bashkimi kombëtar erdhën nga kjo sallë e tejmbushur me shqiptarë.Për kryeministrin e Shqipërisë ky 100-vjetor na fton të realizojmë një ëndërr, atë të bashkimit kombëtar, dhe u shpreh i lumtur që festimet e nisura në Shkup, do të vijojnë në Prishtinë e më pas në Vlorë e Tiranë.
"Askush të mos druhet, të mos irritohet nga përpjekjet e shqiptarëve për bashkimin e tyre kombëtar, se kjo synon përqendrimin, shpalosjen e energjive të tyre të pafundme, për të ndërtuar atë që u mungoi. Askush nuk duhet të harrojë se, shqiptarët u takuan me shekullin e ri, të lirë, por si një komb që kishte mbijetuar si një komb që padrejtësitë e mëdha nuk e kishin lejuar të ndërtojë të ardhmen. "- tha Berisha.
Ai kërkoi përqëndrimin e të gjithë energjive në bashkimin kombëtar të shqiptarëve.
"Shqiptarët presin nga ne që në projektin tonë europian si e ardhmja më e shkëlqyer e tyre, të realizojnë njëkohësisht projektin e bashkimit kombëtar të shqiptarëve, ndaj dhe nën moton të bashkohemi njëri me tjetrin, të bashkohemi me Europën le të përqendrojmë ne të gjithë energjitë tona."
Berisha në fjalën e tij tha se ndjehet i lumtur që shqiptarët po festojnë bashkërisht këtë shekull të pavarësisë së shtetit shqiptar dhe ngriti lart dhe luftën çlirimtare të UÇK-së.
“Pavarësisht çfarë përjetuam, kemi motive për të qenë krenarë me njëri tjetrin, me trojet tona me flamurin tonë, për të pasur besim tek e ardhmja. Shekulli që lamë mbrapa ishte shekulli i një kaluari, ata të cilët shpallën në Vlorë pavarësinë, shpallën pavarësinë e Shqipërisë. Shqiptarët nuk u pajtuam kurrë me padrejtësitë, nuk pranojmë shtypjen e të tjerëve, ndaj dhe bëmë një rezistencë legjendare, UÇK-të do zhvillonin luftën e fundit çlirimtare në Evropë" deklaroi Berisha.
THACI: NDERIM TE RENEVE NE LUFTEN E KOSOVES
Kryeministri i Kosovës përkujtoi të rënët në luftën e Çlirimit të Kosovës, si shenjë nderimi në këtë 100-vjetor, ndërsa e quajti Shkupin kryeqyteti i vilajetit të Kosovës. “Sot duhet të kujtojmë vetëm ku ishim para 13 vitesh, Shqipëria në tranzicion, Kosova e pushtuar, shqiptarët në Maqedoni të diskriminuar rëndë, në Presheve edhe më rëndë, shqiptarët në Mal të Zi në përpjekje për të drejtat e tyre. Por mrekullia ndodhi nga shpresa, besimi ynë, lindi UÇK që largoi njëherë e përgjithmonë Serbinë nga Kosova, sot e kemi të lirë, të pavarur dhe sovrane. Mrekullia e UÇK erdhi jo vetëm me vullnetin e shqiptarëve të Kosovës, pati mbështetje nga gjithë shqiptarët kudo që jetonin”, tha kryeministri Thaçi
Ai shtoi se e ardhmja tregon se duhet të punojmë për një komb të vetëm
"Shqiptarët si asnjë komb në rajon i kanë dy shtete Shqipërinë dhe Kosovën, por e ardhmja na tregon se ne duhet të jetojmë në një hapësirë unike si një komb i vetëm. Do jetojmë në një hapësirë të përbashkët e të integruar”, tha ai.
AHMETI: JETESUAM AMANETIN E SKENDERBEUT
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti tha se jetësuam amanetin e Skënderbeut, Ismail Qemalit, Isa Boletinit.
"Askush të mos e keqkuptojë këtë festë kombëtare, sepse flamuri shqiptar është shumë më i vjetër se shteti shqiptar, një nga flamujt më të vjetër të Evropës. Dhe ne sot po e festojmë Ditën e Flamurit dhe të Shpalljes së Shtetit Shqiptar. Ne jemi përcaktuar drejtë që të ndërtojmë lirinë, identitetin kombëtar dhe historinë edhe të bashkëqytetarëve tanë maqedonas, sepse e kaluara është e hidhur për të dyja palët.” ka shtuar Ahmeti.
“Ne duam që në këtë vend, të vendoset mirëbesimi i mirëfilltë, duam respekt të ndërsjellë. Ai që punon për historinë dhe për gjuhën e tij, ai nderon edhe të tjerët. "- shtoi më tej ai.
DIBRA E MADHE ZBUKUROHET KUQ E ZI
Dibra e Madhe e Maqedonisë, një komunë e banuar kryesisht nga shqiptarë, është veshur nga flamuri kuq e zi, mes të cilëve njëri me përmasa gjigante 50 metra i gjatë dhe 25 metra i gjerë, i cili ka mbuluar tërësisht një prej godinave të kësaj komune. Kryetari i komunës së Dibrës së Madhe, Argëtim Fida, tha për atsh se në 28 Nëntor, ditën e madhe për shqiptarët e gjithë trojeve, Dibra e Madhe do të përfaqësohet në Vlorë e më tej në Tiranë, nga një grup delegatësh që do të përfaqësojnë komunën.
(Foto, atsh, Dibra e Madhe ne feste)
FESTIMET, NXISIN DHE ZEMËRIM
Në Maqedoni jetojnë 2.1 milionë shqiptarë, dhe festimet kanë nxitur dhe pakënaqësinë e maqedonasve. ” Është ekzagjerim” thotë një maqedonas Jovan Krtevski për AP. “Nuk kam asgjë kundër flamurit apo festimeve por vendosja e kaq shumë flamurëve dhe në një mënyrë të tillë dhe me kaq zhurmë nuk ka të bëjë fare me festime, por të kundërtën të provokojë maqedonasit. Edhe kryetari i partisë Social Demokrate të Maqedonisë përshkroi vizitën e Gruevskit, i cili është në koalicion me BDI e Ali Ahmetit, në Shqipëri si një “provokim politik”
Në Strugën e stolisur me flamujt kuq e zi qytetarët kanë njoftuar për një flamur shqiptar të djegur, njofton agjencia e lajmeve INA.
Redaksia Online
(db/ sg/shqiptarja.com)