Veriu e jugu zënë dorë për dore, bashkë me qindra mijëra shqiptarë nga Italia, Suedia, Gjermania e SHBA ishin sot në Vlorë për të marrë pjesë në ditëlindjen e madhe të shtetit amë. Ishin sot në ditën e rilindjes së Shqipërisë pas 5 shekujsh robëri. Ishin për të nderuar etërit e kombit shqiptar të cilët si sot më 1912 ngritën flamurin e Pavarësisë.
Një ceremoni madhështore ku morën pjesë krerët më të lartë të shtetit, Presidenti Bujar Nishani, kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha, ministra të kabinetit qeveritar, kreu i PS-së Edi Rama, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, përfaqësues nga Maqedonia e Mali i Zi, ambasadorë të akredituar në Tiranë por dhe personalitete të huaja që iu bashkuan Shqipërisë për festimet e shekullit të parë të Pavarësisë.
Presidenti i Republikës Bujar Nishani në fjalën e rastit. "Jemi të pandarë, si toka dhe qielli, trupi e shpirti jemi një. Flamuri ynë është ndër më të pastrit, në asnjë rast nuk i priu asnjë shkatërrimi. Flamuri na është dashur ne dhe ne i jemi dashur atij si simbol bashkimi, aspak për t'i rënë në qafë, por për të ndihmuar njëri-tjetrin, Shqipërinë e shqiptarinë“. Pas kësaj ceremonie kryeministri Berisha, Presidenti Nishani dhe kryetarja e Parlamentit u nisën drejt Tiranës dhe nuk do të jenë në drekën zyrtare që do të ngrihet nga kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika.
Pasdite në sallën e Teatrit “Petro Marko” të qytetit bregdetar, u zhvillua takimi “Kam një ëndërr”, me 100 personat e përzgjedhur mes më shumë se 10 mijë aplikantëve, në projektin online “Ngri Flamurin”, të PSSH-së.
Atmosfera festive u ndez në mbrëmje nga koncerti i madh në Sheshin e Flamurit, ku emra të njohur të muzikës shqiptare do të interpretojnë për publikun vlonjat deri në orët e para të mëngjesit të ditës së nesërme.
Pas Vlorës Tirana është kryeqendra e festimeve, e cila pret mijëra shqiptarë nga të gjitha viset dhe trevat shqipfolëse për të kujtuar ditën historike të 28 nëntorit 1912. Festimet e nisura që në mëngjes kanë vijuar në të gjitha qytetet e vendit, por dhe në Kosovë e Maqedoni.
EDI RAMA: PERVJETOR EDHE PER NJEREZIT E ZAKONSHEM
Ora 16:20 I pranishëm në aktivitetin “Kam një ëndërr”, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama theksoi se njerëzit e zakonshëm kur bëhen bashkë mund të bëjnë të jashtëzakonshmen. Ai u shpreh se ky përvjetor nuk i takon vetëm figurave të shquara, por duhet të vlerësohen gjithashtu njerëzi e thjeshtë që guxuan për të shpresuar.
“Për të parë pas është e lehtë sepse ka shumë gjëra që mund t’i shohim falë atyre që përpara nesh kaluan në këtë tokë. S’na ndihmon dot e shkuara na duhet forca e imagjinatës sonë. Një përvjetor si ky nuk duhet t’i takojë vetëm figurave të shquara por duhet t’i takojë edhe atyre që sot kanë guximin për të shpresuar. Me nismën tonë i kemi dhënë mundësinë njerëzve të zakonshëm për të ardhur sot këtu, që është e udhës t’u takojë pikërisht atyre. Njerëzit e zakonshëm kur bëhen bashkë mund të bëjnë të jashtëzakonshmen. Duke u bërë bashkë mund të bëjmë pavarësinë. Forca e një ëndrre i çoi një grusht njerëzish te pavarësia”, u shpreh Rama.
(Foto: Nga ceremonia sot paradite në sheshin Flamuri, Vlorë)
GJIKA SHTRON DREKEN ZYRTARE
ORA 13:00 Dreka zyrtare u shtrua në Vlorë nga bashkia e qytetit. Ishin 395 të ftuar, mes të cilëve gjithë trupi diplomatik. Në drekën e sotme që është dreka e vërtetë e 28 nëntorit mazhoranca qeverisëse nuk kishte asnjë përfaqësues të saj, madje as deputetet e këtij qarku. Ndërsa në darkën e djeshme të shtruar nga kryetarja e Parlamentit kanë qënë vetëm përfaqësues të qeverisë dhe disa pjestarë të trupit diplomatik. Kryebashkiaku Gjika refuzoi të merrte pjesë siç kishte paralajmëruar ditë më parë. Ne drekë ishte dhe kreu i PS-se Edi Rama, akademiku Rexhep Qosja si dhe ish ambasadori Withers. Ndërkohë që mësohet se Gjika do jetë në darkën e organizuar nga presidenti Nishani më 28 nëntor.
(Foto nga dreka e shtruar sot ne Vlore)
VLORE- HAPET EKSPOZITA "RRUGES SE FLAMURIT"
Ora 11:52 Në teatrin “Petro Marko” u hap ekspozita “Rrugës së Flamurit”. Pas një udhëtimi një mujor ekspozita e flamujve u hap sot në Vlorë. Kryetari i PS-së tha se “Është rruga qysh në momentet para se të ngrihej në Vlorë nga Ismail Qemali deri në ditët tona. “Ekspozita fillon me një flamur të ngritur jashtë kufijve shqiptarë, nga Ded Gjo Luli dhe shpaloset hap pas hapi bashkë me historinë e flamurit, që sot është po ai që ngriti 100 vjet më parë Ismail Qemali, pasi ka mbartur në vete kurora mbretërore, simbole të ideologjisë fashiste e komuniste. Sot ka ardhur me të njëjtën formë me qiellin e kuq dhe shqiponjën dy krenare, sic e kishte 100 vjet më parë në këtë qytet.”- tha Rama. Ai falenderoi dhe shprehu mirënjohje kryetarit të bashkisë së Vlorës dhe ekipit të tij që me sfidë “kapërcyen mungesat e mëdha dhe ato financiare”
“Dua të falënderoj dhe vlonjatët që e mbështetën dhe vullnetarisht hapën dyert për të pritur shqiptarët nga të gjitha anët”- tha Rama. Më pas një grua tregoi një flamur 100 vjeçar, të cilin 100 vjet më parë një emigrant nga Vlora e kishte marrë së bashku me disa sende të vogla, për tu vendosur në Aleksandria të Egjiptit.
(foto atsh: Ekspozita e flamurit)
Ekspozita "Flamuj Shqiptarë, Itinerar Historik 1912-2012", për nga vlerat historike që pasqyron, përmbledh rreth 30 flamuj të ndryshëm nga viti 1912 deri në ditët tona, rreth 50 fotografi, 20 prej të cilave publikohen për herë të parë të të gjithë epokave. 10 prej tyre paraqiten për herë të parë me ngjyra sepse janë fotografi të vjetra dhe nëpërmjet programi kompjuterik janë sjellë me ngjyra, që bëjnë një impresion tërësisht të ri, që sheh të shkuarën tërësisht me një sy tjetër përmes tyre. Po ashtu në ekspozitë janë paraqitur dhe një grup i madh dokumentesh origjinalë, që kanë lidhje me historinë e simboleve të shtetit shqiptar
NISHANI: JEMI TE PANDARE SI TOKA ME QIELLIN
Ora 10:49 Në ceremoninë e ngritjes së flamurit Presidenti i Republikës Bujar Nishani mbajti fjalën e rastit. “Ditëlindja është ngjarja më e bukur për cdo bashkëkombas kudo ku jeton. Janë përpjekur të na e zhdukun, të na ndotin, por vetëm për pak kohë. Ja ku e kemi sot atë krenar duke u valëvitur. Ne nderojmë vlerën dhe kontributin e burrave të 1912. Sot kemi me çfarë të krenohemi. Ne nderojmë Ismail Qemal bej Vlorën burrin e madh të kombit dhe fisnikët trima. Nderojmë çdo dëshmor që flijoi jetën për Shqipërinë e tij. Përulemi thellë para tyre duke kujtuar sakrificat që prej shekujsh që kanë bërë për këtë flamur. Jemi të pandarë, si toka dhe qielli, trupi e shpirti jemi një. Flamuri ynë është ndër më të pastrit, në asnjë rast nuk i priu asnjë shkatërrimi. Flamuri na është dashur ne dhe ne i jemi dashur atij si simbol bashkimi, aspak për ti rënë në qafë, por për të ndihmuar njëri tjetrin, Shqipërinë e shqiptarinë. “Fjalimi i plote i Presidentit Nishani
(Foto nga ceremonia)
GJIKA: BASHKIMI KOMBETAR I PASHMANGSHEM
Ora 10:30 “28 nëntori është pasqyra ku sot ne mund e duhet të shohim veten tonë. Sot shënohet mbyllja e 100 vjetëshit më parë për të nisur 100 vjetëshin tjetër. Ky shekull historie që sot mbyllet ka pasur padrejtësi që ende rëndojnë, por ka pasur pak nga ajo që kemi dashur liri si komb dhe të drejtat në të gjithë hapësirën mbarëkombëtare. Nëse ka një lajmtmotiv kjo fjalë është bashkim vëllazëror në të tëra dimensionet, spektrin e ngjyrave, bashkim kombëtar si proces i pakthyeshëm e i pandalshëm, shembull e model është dhe kjo që po ndodh sot këtu në këtë shesh. Vlora u bë kërthiza e pavarësisë së Shqipërisë, por dhe qyteti që e mbajti të gjallë këtë frymë lirie. Kjo është krenari vlonjate e ligjshme “ tha Gjika duke shtuar se vitin e ardhshëm në Kosvoë. Rroftë dita e madhërishme e 28 nëntor”-
Ora 10:25 Kryetari i Bashkisë së Vlorës mban fjalën e rastit
NISHANI PRET TORTEN
Ora 10:25 Presidenti Bujar Nishani preu tortën që ishte vendosur në sheshin e flamurit.
HOMAZHE NE MONUMENTIN "PAVARESIA"
Ora 10:16 Krerët më të lartë të shtetit nga Shqipëria e Kosova vendosin kurora me lule në momunentin "Pavarësia" dhe në varrin e Ismail Qemalit. Kurora me lule u vendosën në monumentin "Pavarësia" edhe nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, Kryeministri Hashim Thaçi, Kryetari i kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina topalli, Kryetari i ps-së, Edi Rama e ministra.
BERISHA SHTRENGON DUART ME EDI RAMEN
Ora 10:05 Kryeministri Berisha pas përqafimit të ngrohtë me Kryeministrin Hashim Thaçi, është përshëndetur edhe me kreun e PS-së Edi Rama. Ata kanë shtrënguar duart.
(Foto: Momenti i takimit)
NGRITJA E FLAMURIT, NE CEREMONI DHE PRESIDENTI E KRYEMINISTRI
Ora 10:00 Sheshi i Flamurit në Vlorë është tejmbushur në pritje të ngritjes së flamurit. Në ceremoni po marrin pjesë dhe ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, ambasadori i BE-së Etore Sequi, dhe ambasadori i OSBE-së, Wollfarth. I pranishëm dhe kryeministri kosovar, Hashim Thaçi dhe ministrat e kabinetit qeveritar të kryeministrit Berisha. I pranishëm dhe presidenti i Republikës Bujar Nishani dhe kryeministri Berisha dhe kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli.
VLORE, FLUKS NE MUZEUN KOMBETAR TE PAVARESISE
Agron Shehu, drejtor i Muzeut Kombëtar të Pavarësisë tha se gjatë këtyre ditëve ka pasur një fluks të madh vizitorësh në Muze. "Po punojmë me orare të zgjatura. Kemi një lum të tërë njerëzish."- tha Shehu në në lidhje direkte me Tv A1 Report. Ndërkohë që gjatë ditës së djeshme këtë muzeum e kanë vizituar 12 mijë persona.
PRITET TE NISE CEREMONIA E NGRITJES SE FLAMURIT
Ora 09:47 Kryetari i PS-së, Edi Rama dhe deputetët e PS-së dhe ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth ndodhen në Vlorë për të marrë pjesë në ceremoninë e ngritjes së Flamurit. Në ceremoni do të jetë dhe presidenti Nishani, kryetari bashkisë Shpëtim Gjika.
(Foto nga festimet në Vlorë)
100VJET PAVARESI TOPI, META, IDRIZI FESTOJNE NE VLORE
Disa prej figurave politike kanë preferuar të jenë në Vlorë për të marrë pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit. Kryetari i LSI-së Ilir Meta tha se ky bashkim është një pikënisje e mirë për zhvillimet e mëtejshme. Të njëjtin mesazh dhanë edhe kreu i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet Shpëtim Idrizi dhe ai i Frymës së re Demokratike Bamir Topi.