Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë tha se është i gatshëm të mbledhë fletëvotimet, nëse zgjedhjet parlamentare serbe do të mbaheshin edhe në komunat me shumicë serbe në Kosovë, por për këtë nevojitet miratimi i institucioneve të Kosovës.
Kështu thanë për Radion Evropa e Lirë (REL) nga OSBE-ja, duke theksuar se për kërkesën e Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë tashmë janë njoftuar institucionet përkatëse të Kosovës dhe vendimmarrësit dhe se tani po presin përgjigjen e tyre.
“Misioni është i gatshëm ta zbatojë një operacion të tillë, me të njëjtat kushte si në rastet e mëparshme. Kjo nënkupton miratimin e palëve përkatëse dhe sigurimin e kushteve të nevojshme të sigurisë”, thanë nga OSBE-ja.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, më herët i kishte kërkuar OSBE-së që misioni të ofrojë mbështetje në mënyrë që zgjedhjet parlamentare për Kuvendin e Serbisë, që janë caktuar për 25 tetor, të mbahen edhe në Kosovë.
REL-i iu drejtua Qeverisë së Kosovës me pyetjen nëse është në dijeni për këtë kërkesë të Serbisë dhe nëse ajo po shqyrtohet, por ende nuk ka marrë përgjigje.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më herët kishte kërkuar që për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës të ketë kërkesë të drejtpërdrejtë nga Beogradi zyrtar dhe jo që ndërmjetësuese të jetë OSBE-ja. Serbia e kishte refuzuar këtë, me arsyetimin se në këtë mënyrë do të njihej pavarësia e Kosovës.
Ndërkaq, Kurti në vitin 2022 e kishte ndërprerë praktikën e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës, në komunat ku jetojnë pjesëtarë të komunitetit serb.
Në janar të atij viti, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar edhe një rezolutë me të cilën kundërshtohej mbajtja në Kosovë e votimit për referendumin e Serbisë për ndryshimet kushtetuese.
Bashkësia ndërkombëtare i ka bërë thirrje disa herë Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për mbajtjen e zgjedhjeve serbe.
Në anën tjetër, Kurti ka thënë disa herë se Kosova nuk dëshiron t’ua mohojë të drejtën e votës qytetarëve të Kosovës me shtetësi të dyfishtë, por se nuk mund të veprohet në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e vendit.
Në zgjedhjet e fundit për Kuvendin e Serbisë, në vitin 2023, pjesëtarët e komunitetit serb nga Kosova votuan në qytetet pranë kufirit, në Kurshumli, Rashkë, Tutin dhe Vranjë, pasi Qeveria e Kosovës nuk lejoi hapjen e vendvotimeve në Kosovë.
Zgjedhjet e fundit parlamentare që Serbia i organizoi për komunitetin serb në Kosovë u mbajtën më 21 qershor të vitit 2020.
Këto zgjedhje u mbajtën sipas praktikës së mëparshme, ku fletëvotimet mblidheshin nga misioni i OSBE-së në Kosovë. Fletëvotimet më pas numëroheshin në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete në Serbi që gjenden pranë kufirit me Kosovën./ REL





Komente
Komento