TIRANE - Do të bëjmë çdo gjë të rikthejmë nga Stambolli kokën e Ali Pashës. Kështu ka deklaruar ditën e sotme Kryeministri Sali Berisha. Duke folur sot në Komitetin Ndërministror për 100-vjetorin e pavarësisë, Berisha ka vlerësuar lart figurën e Ali Pashë Tepelenës si një personalitet me peshë më të veçantë duke e quajtur Bonaparti i Ballkanit.

“Është një nga figurat dhe personalitetet me peshë më të veçantë, nuk mund të them në historinë tonë kombëtare se ai ishte në histori tjetër. Pas vdekjes së Skënderbeut historia jonë u transferua në Stamboll. Ne po shkonin drejt harresës historike, Ali Pasha me të gjithë veprimtarinë e tij u dëshmoi botës se shqiptarët nuk kanë vdekur se janë një komb i pamposhtur. Jo rastësisht më i fuqishmi i saj kohe dhe asaj bote Napoleon Bonaparti do të tregonte interes shumë të madh për pashain e Janinës, Bonoparti i Ballkanit. Në të gjithë përpjekjet e tij, ky strateg i madh i tha botës se ky komb është i pamposhtur, arriti të krijojë pavarësinë, gjithçka bëri ai përpiqej ta shkëpuste kombin shqiptar nga porta e lartë. Kaq e vërtetë është saqë sulltani kërkoi që t’ia çonin kokën në tepsi në Stamboll dhe kjo ndodhi, nuk është legjendë është e vërtetë. E bëri, të sigurohej se ishte vrarë, në kokën e tij duam ta kthejmë në Shqipëri. Do të varroset në Tepelenë apo në Muzeun Kombëtar do të jetë çështje diskutimi”, u shpreh Berisha.

Në kuadrin e 100-vjetorit, Berisha gjithashtu kërkoi edhe rikthimin në atdhe të eshtrave të Sami Frashërit, Mit`hat Frashërit dhe bashkëshortes së Ismail Qemalit.

“Duhet të bëjmë një përpjekje të madhe për rikthimin e eshtrave të Sami Frashërit në Shqipëri. Sami Frashëri është gjeniu i doktrinës të Shqipërisë perëndimore. Sami Frashëri ka përcaktuar rrugën më të mirë të zhvillimit perëndimor të kombit shqiptar. Gjithashtu duhet të rikthehen edhe eshtrat e bashkëshortes së Ismail Qemalit në mënyrë që eshtrat e saj të prehen pranë bashkëshortit. Është e domosdoshme që në Shqipëri të sillen në kuadër të 100-vjetorit edhe eshtrat e Mit`hat Frashërit, një publicist, një nga njerëzit më mëndjendritur të kulturës sonë. I biri i Abdyl Frashërit ka një kontribut shumë të madh, i cili mbetet simbol i atdhetarit të flaktë, gjeniut në veprat tonë, politikan për të cilin ideologjia sunduese për shqiptarët duhet të ishte ajo kombëtare. E la me dëshirë të varrosjes në oborrin e Institutit Albanologjik ku dhuroi bibliotekën më të pasur të kohës, ne duhet ta sjellim, lidhur me varrimin, pranë të atit do të ndihej më i lumtur”, deklaroi Berisha.

Kryeministri ka propozuar zgjatjen me 3 muaj të afateve të punimeve, për të realizuar projekte të rëndësishme. “Kërkoj të zgjatet afati i këtij aktiviteti dhe për 3 muaj, më pas vendi hyn në fushatë elektorale. Kjo për t'u dhënë përgjigje disa projekteve që kemi rënë darkord. Të ndërtohet muzeu i Spacit në homazh të shtypjes më ç’njerëzore që përjetuan shqiptarët, në njërin prej kampeve më të egra të Shqipërisë dhe Europës”, tha Berisha.

Sipas kryeministrit Berisha 28 Nëntori do të mbetet në histori jo vetëm si data e shpalljes së pavarësisë por edhe si dita e lëvizjes kombëtare mbarë popullore.
“Tirana dhe Vlora por edhe mbarë Shqipëria nuk kanë përjetuar kurrë më parë një lëvizje mbarë kombëtare kaq masive sa përjetuan në 28 nëntor. Këtë lëvizje nuk e organizuam ne, qeveria shqiptare apo qeveria e Kosovës dhe as forcat politike të Maqedonisë dhe Malit të Zi, por organizatorët frymëzues të saj ishin qytetarët të cilët vërshuan nga të katër anët”, deklaroi Berisha.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)