TIRANE - Në mbledhjen e Komitetit Ndërministror për 100-vjetorin e Pavarësisë,Kryeministri i vendit Sali Berisha tha se himni kombëtar duhet të rikthehet në formën e tij të plotë, ashtu siç është shkruar nga rilindësi i madh Asdreni.

"Himni kombëtar duhet të rikthehet në formën e tij të plotë. Apeli i shqiptarëve tek Zoti është apeli më i drejtë sepse Zoti dhe Kombi janë një e të pandarë. Në sensin që Kombi dhe dashuria për kombin dhe për vendin buron nga fryma e Zotit. Ndaj unë jam që të shihen të gjitha modalitetet se si të kthehet kjo strofë e përzënë nga stihia ateiste. Të bisedohet edhe me Akademinë, të bisedohet me institutin, të bisedohet edhe me kompozitorët dhe himni mendoj unë duhet të kthehet në variantin e tij të plotë ashtu sikurse e shkruajti rilindasi ynë i madh Aleksandër Sotir (Stavre) Drenova (Asdreni)", u shpreh kryeministri.

Ndërkaq, Kryeministri Berisha foli gjithashtu edhe për statusin e vendit kandidat ndërsa e vlerësoi atë të një rëndësi të veçantë në prag të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Kryeministri Berisha kërkoi respekt për të rënët për pavarësinë e kombit si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë me ngritjen e një monumenti kushtuar dëshmorëve të kombit që ranë në Kosovë në Luftën Çlirimtare të Kosovës.

"Nuk ka një memorial kushtuar dëshmorëve të kombit që ranë në Kosovë. Nuk ka një memorial kjo luftë, e cila ishte një luftë që e bashkoi kombin për të përballuar spastrimin etnik dhe dëbimin masiv të shqiptarëve nga Kosova dhe kjo duhet të bëhet element monumental", tha Berisha.

(Gre.M/Shqiptarja.com)