Forcat e Armatosura kremtuan dje 101-vjetorin e krijimit të tyre, në një ceremoni të zhvilluar në sallën e auditoriumit të Ministrisë së Mbrojtjes. Ministrja Mimi Kodheli, nënvizoi se siguria në vend sot falë punës së realizuar nga Forcat e Armatosura, si pjesë e NATO-s është e garantuar, ndërsa shtoi se Shqipëria falë angazhimit në NATO dhe politikave të fqinjësisë së mirë është garant i paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

“Është privilegj të jesh pjesë Ministrisë së Mbrojtjes së vendit të dhe të kujtosh ditën e krijimit të FA, që me patriotizmin e tyre kanë dhënë edhe jetën për lirinë e vendit”, tha Kodheli. 

Shqipëria sot është pjesë integrale e NATO-s dhe falë kësaj FA ka pësuar një reformë të thellë modernizuese, tha ministrja Kodheli, e cila bëri të ditur se integrimi i plotë në Forcat e NATO-s ka mundësuar stërvitje dhe instrumentat e nevojshëm që Forcat e Armatosura Shqiptare të jenë në nivelin e standardeve të kërkuar nga NATO dhe duke u kthyer në një aset të çmuar për vendin.

Duke kthyer shikimin mbrapa nëpër korridoret e historisë, Kodheli tha se, FA në rrugëtimin e tyre kanë hasur në shtigje, të cilat kanë vështirësuar herë pas herë qëllimin e tyre atdhedashës. 


Shkrimi u publikua sot(02.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com(print)
(v.gj/shqiptarja.com)