Në këtë 101 vjetor të Tiranës kryeqytet është çelur ekspozita “Historia e Tiranës së vjetër përmes 60 fotografive”, kartolinave , elementëve të kostumeve popullore dhe objekteve të rralla nga Arkivi Qendror i Shteti në Kalanë e Tiranës. Drejtuesi i këtij institucioni, Ardit Bido, e cilëson këtë ekspozitë një mundësi të mirë për të kujtuar të shkuarën
“101- vjetorin e Tiranës vendosëm ta kremtonim përmes kësaj ekspozite ku shfaqen imazhet e vjetra të kryeqytetit, para vitit 1945. Këtu tregohet një pjesë e historisë së tij, me ndërtesat historike me funksion publik, banesat e Tiranës, ngjarje dhe personazhe”, thotë Bido.
Kryetarja e Shoqatës “Tirana Intellectum” Mirela Bogdani u shpreh se nuk ka mbetur asgjë nga Tirana e vjetër, vecse Qendrës Historike
“Shumë nga këto fotografi që ne shohim sot kanë mbetur thjesht fotografi pasi thuajse asgjë prej tyre nuk ekziston. Kjo është jo vetëm një ditë kujtese por edhe një moment për të bërë thirrje që të ruajmë atë që ende ka mbetur në kryeqytet”, tha Bogdani.
Ekspozita “Historia e Tiranës së vjetër përmes 60 fotografive” vazhdon që të qëndrojë hapur në Kalanë e Tiranës.