Akuza të rënda ndaj PD-së dhe partive të tjera politike të opozitës hodhi deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, teksa po komentonte protestat kundër qeverisë në Tiranë, ku u shpreh se dhuna dhe e drejta për të protestuar janë 2 gjëra krejt të ndryshme.

Në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, Bido dënoi aktet e dhunës gjatë tubimeve, por theksoi se e drejta e qytetarëve për të protestuar është legjitime dhe qeveria sipas tij, ka për detyrë të reflektojë. Buxheti i vitit 2027, sipas Bidos, tregon reflektimin e Qeverisë, duke bërë një shpërndarje më të drejtë të të ardhurave, për një vend më social.

“Çështja është sesi të shmangësh ato protesta të dhunshme që ne pamë, që një pjesë janë të nxitura dhe të orkestruara nga individë të caktuar. Pavarësisht se një pjesë e mirë e njerëzve që dalin në protestë nuk e duan atë lloj dhune. Pra sesi ti të garantosh sigurinë publike.

Pra janë 2 momente krejt të ndryshme në çfarë diskutojmë. Një moment është një reflektim ndaj protestës si një e drejtë demokratike dhe detyrimi i qeverisë për ta dëgjuar dhe reflektuar ndaj protestës, që kanë të bëjnë edhe masat e parashikuara në buxhetin e shtetit, që për mua janë në drejtimin e duhur të një vendi më social, më të drejtë, me shpërndarje më të drejtë të të ardhurave. Nga ana tjetër është shmangia, detyrimi që ka shteti për të ndaluar precipitimin e dhunës, që nuk ka të bëjë me protestën demokratike që është një e drejtë legjitime”, tha mes të tjerash Bido.

Duke iu rikthyer akteve të dhunës në protestë, Bido theksoi se ngjarje të tilla nuk ishin parë as në vitin 1997 në Tiranë.

Ai shtoi se me aktet e dhunës në protestë nuk bien dakord as ata qytetarë, që kishin dalë gjatë muajve të verës në protesta paqësore për të drejtat e tyre.

Bido tha gjithashtu se nuk janë studentët ata që bënë dhunën, por eksponentë të organizuar nga PD dhe parti të tjera të opozitës.

“Ajo që pamë, sidomos në ditën e dytë të protestës, që është një dhunë që nuk ka ndodhur në Tiranë as në vitin 1997 ajo lloj dhune, është diçka që unë jam i bindur se edhe ata që dolën në fillim në protestë, sidomos në protestat e qershorit, janë kundër. Dhuna nuk është protestë. Protesta janë disa kërkesa dhe qeverisja ka detyrim të reflektojë. Dhe me buxhetin e vitit të ardhshëm është një reflektim ndaj bazës së shumicës së qytetarëve që është e drejtë. Nuk zgjodhën studentët të bënin dhunën. Zgjodhën të bënin dhunën disa eksponentë të organizuar nga PD dhe disa parti të vogla”, shtoi Bido.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:04
Kërkesa e Veliajt për të marrë pjesë në Asamblenë e PS, Bido: Duhet ta shqyrtojnë forumet e partisë! Mbajtja e tij në paraburgim, një anormalitet që rrallë e gjen në Europë

Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, është shprehur se kërkesa e kryebashkiakut Erion Veliaj për të marrë pjesë në Asamblenë e Partisë Socialiste që do të zhvillohet të shtunën, duhet të shqyrtohet nga SPAK dhe forumet e kësaj force politike.

Komentet Bido i bëri në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, ku tha se në historinë e Partisë Socialiste nuk ka ndodhur që kur dikush nuk është prezent në Asamble, të mund ta marrë fjalën përmes formave të tjera (psh. përmes letrave, duke mos qenë vetë i pranishëm).

“Janë raste përjashtimore në perëndim që një politikan do të përfundonte në arrest me burg. Në përvojën time në atë forcë politike, kur mungon dikush, nuk e ka marrë ndonjëherë fjalën në mbledhje. Në PS ka forume dhe statut”, tha mes të tjerash Bido.  

Bido e cilësoi rastin e mbajtjes në paraburgim të kryebashkiakut Erion Veliaj një anormalitet, teksa theksoi se shembuj të tillë janë shumë të rrallë në botën demokratike.

Deputeti socialist nxori në pah problematikën e numrit të lartë të të paraburgosurve në Shqipëri, teksa tha se kjo gjë duhet të ndryshojë.

“Ne marrim në debatin tonë publik një anormalitet, e justifikojmë dhe tentojmë të gjejmë atë pjesën e pazëllit të ngrehinës tonë institucionale, për të futur edhe kur s’e gjejmë dot. Nuk mundet të shmangemi nga një problematikë që Shqipëria e ka, e ka pasur gjithmonë, e ka të theksuar, që ka të bëjë me masat e ekzagjëruara që jepen nga prokuroria dhe gjykatat shqiptare. Shqipëria ka më shumë të paraburgosur në burgje sesa të burgosur. Kjo duhet të ndryshojë, sepse jemi në një pikë që nuk mban më”, theksoi Bido.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i ka bërë kërkesë Sekretariatit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste dhe SPAK-ut, që të marrë pjesë në Asamblenë e PS-së që zhvillohet të shtunën, më 14 nëntor.

Ora 21:46
‘Kjo është dhunë’- Gazetari Myzyraj nxjerr foton e personave me shkopinj që dolën për të mbrojtur selinë e PS: Qeveria duhet të ishte reformuar nga protesta e ‘flamingove’

Gazetari Isa Myzyraj ka dënuar aktet e dhunës nga të gjitha palët në protestat e zhvilluara në Tiranë, por specifikisht sipas tij, dhunë ‘e mirëfilltë’ është ajo kur disa persona me shkopinj kishin dalë para selisë së PS për ta mbrojtur nga protestuesit e dhunshëm.

“Ajo që them është që kjo dhuna e pretenduar, shumë e madhe… Unë personalisht dënoj çdo akt dhune në protestë. Edhe mundet që një 17 vjeçar të kapë një gurë dhe ta hedhë drejt një institucioni shtetëror, por ajo që nuk mund të justifikohet është kjo”, tha Myzyraj duke nxjerrë edhe fotografinë ku disa huliganë ndodhen para selisë së PS-së gjatë protestës, për të mbrojtur nga protestuesit.

Në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, Myzyraj tha se kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij kishin një shans të artë për t’u reformuar nga protesta e ‘Flamingove’, por kjo sipas tij nuk ndodhi.

“Kur nisi protesta e dhunshme, deputetët e PS dhe përfaqësuesit e Qeverisë, nisën të lavdëronin protestën e qershorit, të quajtur ‘revolucioni Flamingo’. A thua ti se këta e kanë dashur aq shumë, saqë janë të gatshëm të zbresin në shesh për ta mbështetur atë protestë. Nuk duhet harruar se që ditën e parë të protestës së revolucionit Flamingo, ajo protestë është anatemuar. Mos të harrojmë postimet e kryeministrit dhe përfaqësuesve të PS-së, që i kanë marrë emër për emër protestuesit, duke i nxjerrë me foto atë protestë paqësore e aq të bukur, që sot e vlerësojnë dhe i kanë nxjerrë në postime në Facebook, u kanë bërë listën e shtëpisë. Ai është intimidim, për të mos dalë të tjerët në protestë, sepse do të përfundonin në profilin e kryeministrit të vendit dhe pastaj në aparatin e propagandës së Qeverisë. Rama dhe qeveria e tij kanë pasur një shans të artë që të reformohen nga protesta e Flamingove”, tha mes të tjerash Myzyraj.

Ora 21:45
Protesta e ‘flamingove’/ Bido: Kërkesa për ndalimin e investimit të huaj, tipike komuniste e anti-kapitaliste! Shqipëria s’duhet të kthehet në një ‘The Green State’ se duan disa influencera

Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, duke folur për protestën ‘Flamingo’, tha se duhen ndarë kërkesat legjitime të qytetarëve nga ato për ndalimin e investimeve të huaja, në rastin konkret për atë të Zvërnecit.

Komentet Bido i bëri në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, ku tha se kërkesa për ndalimin e investimit, ishte një kërkesë tipike komuniste anti-kapitaliste.

Sipas Bidos, Shqipëria nuk duhet të kthehet në një ‘The Green State’, për shkak sepse sipas tij, disa influencera apo Organizata Jo-Fitimprurëse dalin dhe pozojnë në zona si Zvërneci, me qëllim për të marrë disa ndjekës më shumë në rrjetet sociale.

“Protesta e qershorit, që ka qenë një protestë e madhe, në të cilën patjetër që ka pasur nevojë për reflektim dhe ky reflektim ka ndodhur dhe hajde diskutojmë që të ndodhë më shumë, nuk do të thotë që ti bie dakord me kërkesën që të vinte prej asaj proteste një kërkesë tipike komuniste anti-kapitaliste që ne nuk duhet të kemi asnjë investim. Nuk do të thotë as që ne të kthehemi në një ‘The Green State’. Nuk do të thotë që ti duhet të pranosh çdo influencer apo OJF që del atje për të marrë disa follou…”, tha mes të tjerash Bido.