TIRANË- Shteti shqiptar ka vendosur që të asistojë me një shumë parash familjen e 10-vjeçarit, që humbi jetën tragjikisht në Kakavijë, teksa priste në radhë për të kaluar drejt Greqisë. Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Edi Rama. Sipas tij, familjes së vogëlushit do i akordohet një shumë prej 500.000 lekësh të reja.

"Sot vendosëm që si qeveri të asistojmë familjen e të miturit që humbi tragjikisht jetën pasi i preu rrugën autoambulancës në Kakavi, me një shumë prej 500.000 lekësh të reja, duke i rishprehur dhe njëherë familjes ngushëllimet tona më të ndjera. Engjëlli i vogël u dhëntë forcë", tha Rama.

Samuel Ndoj humbi jetën tragjikisht mesditën e 15 gushtit teksa u përplas nga një ambulancë, në pritje për të kaluar drejt Greqisë. Ndoji kishte ardhur me pushime në fshatin e tij të lindjes, Kallmet të Lezhës së bashku me familjen e  tij. Vetëm pak ditë më parë, ai kishte festuar 10-vjetorin.