Banorët e Floqit kanë filluar heqjen e çadrave nga fusha e fshatit ku ishin strehuar prej ditësh pas lëkundjeve të tërmetit që prekën pak ditë më parë fshatin e Korçës.
Anëtarët e familjes së fundit që u larguan nga çadra për t'u shpërngulur tek ambientet e shkollës shprehen se jetesa në çadra ishte tepër e vështirë dhe thuajse e pamundur duke e krahasuar me qëndrimin në sera.
"Jam unë familja e fundit që kam dalë nga çadra, arsyet janë shumë pasi në radhë të parë këtu në shkollë ambienti është më mirë si nga ambienti si nga lagështia edhe nga vapa se tani duke ditur edhe që është periudhë vere ishte shumë shumë nxehtë ditën. Jemi larguar nga çadrat për arsye motit që është mot i nxehtë atje ishte si në serat e domates" tha ai.
Kreu i Emergjencave Civile Haki Çako ishte i pranishëm në Floq ku ndoqi nga afër heqjen e çadrave teksa u shpreh se komisionet po vijojnë punën e tyre intensive për vlerësimin e dëmeve të shkaktuar nga tërmeti.
"Jemi duke punuar intensivisht me të gjitha komisionet dhe grupet e vlerësimit për të evidentuar dëmet e shkaktuara por njëkohësisht për të bërë diferencën mes banesave të shkatërruara, të dëmtuara rëndë dhe pjesërisht. Çdo banesë do të kqyret dhe do të mbikqyret dhe do të dokumentohet imtësisht pa përjashtuar asnjë lloj pretendimi, ashtu sikurse në fazën përfundimtare të vlerësimit do të bëhen edhe investimet sikurse përmendi dhe kryeministri në vizitën e vet duke rehabilituar pothuajse të gjithë zonën".
Ndërkohë prefekti i Korçes, Dhori Spirollari u shpreh se tashmë janë marrë masat për krijimin e kushteve të nevojshme dhe të përshtatshme për akomodimin e banorëve të shpërngulur në ambientet e shkollave.
"Banorët tashmë kanë filluar të zhvendosen në banesat e tyre që nuk janë dëmtuar ose në çadrat pranë banesave. Tashmë ne kemi krijuar kushtet, konviktet te studentët që banorët do të kenë të gjithë mundësinë për tu strehuar në dhoma shumë më komode. Sigurisht kjo do varet nga banorët është në vullnetin e tyre po kushtet aty do të jenë të përshtatshme deri sa të ringrihen të gjitha shtëpitë sipas planit që tashmë pritet nga dita në ditë ta kemi në dorë".
Fshati Floq i Korçës më datë 1 Qershor u prek nga tërmetet ku për pasojë u dëmtuan rreth 60 banesa të cilat priten të rindërtohen nga qeveria.