Deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj, teksa mori fjalën në Kuvend, tha se qeveria Rama i bëri “atentat” zgjedhjeve të 11 majit dhe votës së lirë. Ai tha se raporti final për zgjedhjet i OSBE/ODIHR ishte akti më zyrtar që konfirmoi se demokracia shqiptare ka vdekur. Sipas tij, atentatorët e kësaj janë në sallën e Kuvendit.

"Sot e pandehur është e gjithë qeveria, e pandehur është e gjithë mazhoranca e cila nuk e gjen fuqinë morale per katarsis! Sot ju e spostuat nga kalenadri raportimin e Komisionerit per zgjedhjet po jo Raportin Përfundimtar te OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 11 majit 2025 i cili ju rri mbi kokë si xhebraili. Ai nuk është një dokument teknik, nuk është një justifikim opozitar – është akti zyrtar ndërkombëtar politik i cili konfirmoi se demokracisë shqiptare ju bë atentat. Atentatorët janë këtu pas e para meje.

E vërteta e zgjedhjeve po del nga Tuneli i Llogarasë dhe rri këtu këmbëkryq.  Qeveria juaj ka rënë dhe rri si kadaver në mes të mexhlisit nga habia dhe apatia sociale. Pafuqia juaj për të qënë të ndershem sot është kurthi më i madh i shpresave shqiptare. Dëshira juaj për të rëndur si të çmendur pas parasë duke zaptuar çdo korsi të jetës publike eshtë virusi me vdekjeprures për çdo vlerë. Paaftësia juaj morale për tu përballur me krimin e ka kthyer Shqipërinë në një tokë të askujt, ku jeta e një pule vlen më shume se jeta e një shqiptari, i cili del në mengjes për pune e kthehesh në darkë në arkivol.", tha deputeti. 

Sipas tij, deklarata e republikanit amerikan Keith Self për sistemin e drejtësisë në Shqipëri tregon se SHBA po vëzhgon. Po ashtu, tha Gjekmarkaj, edhe Donald Trump dhe Marco Rubio, me mesazhet e tyre për 113-vjetorin e Pavarësisë ishte një mesazh i qartë për qeverinë e Ramës.

"SHBA po na vështron dhe po flet. Siç e tha këto ditë një kongresmen amerikan, pluralizmi në Shqipëri po shuhet. Dhe kur shuhet pluralizmi, nuk shuhet vetëm opozita – shuhet liria, shuhet debati, shuhet shpresa. Pa te hyme ne ujdhesat e tiranise. Ky paralajmërim është akt i rëndë politik ndaj qeverisë së Edi Ramës, sepse vjen nga tempulli i demokracise më të konsoliduara të botës. Presidenti Trump dhe Sekretari i shtetit Rubio në mënyrën më të pazakontë por edhe më të qartë ne telegramet e urimit për Festën Kombëtare cituan luftën ndaj karteleve të drogës dhe bashkëpunëtorve të tyre! Këmbanat po bien për ju", shtoi deputeti. 


Lajmi kryesor:

Debate në Kuvend për Ballukun! Rrëzohet kërkesa e PD për interpelancë me Ramën: Po i bën presion drejtësisë! PS: Çështja në Kushtetuese