Në Kuvendin e Shqipërisë janë paraqitur dy nisma ligjore, lidhur me pagat e ulëta të 11 mijë mësuesve, të cilët janë shkolluar dhe punësuar para futjes së Sistemit të Bolonjës.

Njëra nismë është paraqitur nga deputetja demokrate Ina Zhupa, ndërsa nisma tjetër nga zv.kryetarja e Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, Evis Kushi.

Kushi ka shpjeguar në fjalën e saj në Parlament nismën ligjore që ajo ka propozuar, duke theksuar se synon të barazojë trajtimin financiar të mësuesve të punësuar përpara Sistemit së Bolonjës, duke korrigjuar një diferencë të krijuar nga ndryshimet në legjislacionin arsimor.

Gjatë fjalës së saj Kushi tha gjithashtu se opozita prezanton në Kuvend projektligji populiste që nuk japin zgjidhje, ndryshe nga mazhoranca që sipas saj, prezanton projektligje që ju shërbejnë qytetarëve.

Ajo vijoi më tej ironinë e saj, duke thënë se opozita premton ‘diellin dhe hënën’ për qytetarët, pasi sipas Kushit, e dinë që nuk do të vijnë kurrë në pushtet.

“Të dashur mësues dhe veçanërisht ju që jeni diplomuar dhe punësuar përpara hyrjes në fuqi të Sistemit të Bolonjës. Keni dëgjuar shpesh javët e fundit në komisionin parlamentar të Edukimit, diskutimet dhe debatet tona në lidhje me shqetësimin tuaj për trajtim financiar të barabartë me kolegët tuaj që janë diplomuar pas kësaj date. Dhe shpesh herë debatet tona kanë degraduar në debate që lidhen vetëm me interesa të politikës së ditës apo me interesa partiake. Dhe më lejoni që t’ua shpjegoj shkurt dhe me fjalë të thjeshta. Në fakt ne të gjithë në Komision kemi rëndë dakord për t’i dhënë zgjidhje shqetësimit tuaj, edhe mazhoranca, edhe opozita.

Aty ku ndahemi është vetëm mekanizmi ligjor për t’i dhënë një zgjidhje të drejtë dhe të shpejtë. Në Kuvend janë propozuar dy nisma ligjore. Nga ana e opozitës, është paraqitur propozimi i zonjës Ina Zhupa, që nisi për t’i dhënë zgjidhje kësaj kategorie mësuesish, por më pas, me dëshirën për të bërë një ligj populist dhe për të kënaqur të gjithë mësuesit, u katandis ligji pastaj që është në mospërputhje me kornizën e kualifikimeve Shqiptare e Europiane dhe me ligjin e arsimit të lartë. Pra ky është projektligji që vjen nga Ina Zhupa. Ndërkohë ne si mazhorancë kemi propozuar në 2 shkurt një nismë ligjore që i jep zgjidhje këtij shqetësimi në mënyrë të drejtë, në përputhje me ligjin, një zgjidhje e ngjashme siç i është dhënë në vitin 2018 për të diplomuarit në institutet e larta pedagogjike. Jo në ligjin e arsimit të lartë, por në ligjin e arsimit parauniversitar. Pikërisht aty ku lidhen në fakt edhe marrëdhëniet financiare. Ky është ligji që zgjidhet kjo problematikë.

Javën e ardhshme ky projektligj do të përfshihet edhe në kalendarin e punës së Komisionit të Edukimit, për të mundësuar që brenda Marsit të miratohet në Kuvend. Ajo që dua të sqaroj është që ne nismën e Zhupës nuk e rrëzojmë për faktin se është një nismë ligjore e opozitës, por për të gjitha ato argumente që i kemi diskutuar në Komisionin e Edukimit. Sepse ne kemi përgjegjësinë të prezantojmë dhe miratojmë ligje që japin zgjidhje. Jo për ligje populiste që jo vetëm që nuk japin zgjidhje, por prishin edhe standardet. Ju të opozitës i premtoni mësuesve edhe diellin, edhe hënën, sepse e dini se nuk do vini në pushtet. Mësuesit nuk duan fjalë të bukura, por zgjidhje konkrete”, tha mes të tjerash Kushi.


Lajmi kryesor:

Kuvend/ Debate për nismën e PS-së që pengon gjykatat të pezullojë ministrat! Bardhi: Dorëzoni Ballukun! Balla: McAallister s’u erdhi te partia