11 të mirat që fituam nga protestat
kundër armëve kimike

11 të mirat që fituam nga protestat<br />kundër armëve kimike
1. Nga sot, koncepti se proteston opozita dhe qytetarët i bashkohen, i përket një epoke të kaluar

2. Nga sot, sidomos pas disa pamjeve ku gjimnazistë gëzonin si në mbrëmjen e maturës, koncepti se të rinjtë në këtë vend rrinë gjithë ditën në kafene pa asnjë qëllim, i përket një epoke tjetër (pavarësisht racionalitetit apo jo, panikut apo jo)

3. Nga sot, makineria e fuqishme e komunikimit brenda qeverisë do i shikojë mënyrat me të cilat punonte në kohën kur Rama kishte luftë në parti, luftë në Kuvend, mosbesim në ambientet ndërkombëtare, etj, si mënyra që i përkasin një epoke tjetër. Nga sot edhe komunikimi i kryeministrit me qytetarët do të jetë i bazuar te një besim i ndërsjelltë dhe jo thjesht i bazuar në taktika apo manovra që i përkisnin kohës kur opozita e dikurshme duhet të mbijetonte përballë një qeverie të paskrupullt e përballë një populli që nuk kishte si të shprehte mendimin e vet.

4. Nga sot, kemi mësuar se kemi në vend 31 pika që me mbetjet e tyre kimike rrezikojnë jetët tona. Mbetje që deri sot, ishin bashkë me ne, pjesë e një epoke që nisi diku nga mesi i viteve 50-të. Kjo epokë, nga sot ka marrë fund, por problemi mbetet.

5. Nga sot, kemi kuptuar se të heshtësh për mjedisin është si të vetvritesh ditë pas dite e në mënyrë të ngadaltë. Kjo i përket një epoke kur edhe nisma më gjenuine ambientaliste ose nuk merrej parasysh, ose asociohej me lloj lloj përfituesish e manipuluesish të opinionit publik, për përfitime politike.

6. Nga sot, kuptuam se kush cirret për të drejtat e konsumatorit, e lëpihet sa andej këndej për ndonjë përfitim, i del boja, sic i doli. Pastruam shoqërinë civile apo atë pjesë të saj që fshihet pas 7, 8 apo 13 organizatave të legalizuara në Gjykatë.

7. Dhe fituam nga sot një lëvizje të mirëfilltë ambientaliste që ka respektin dhe mbështetjen e mbi 70 përqind të popullsisë. Një legjitimim i jashtëzakonshëm i AKIP që për fat të keq nuk arriti ta shikonte një prej frymëzuesve të lëvizjes ambientaliste në Shqipëri, Ardian Klosi. Nga sot, të konsideruar si e parëndësishme e zërave për mbrojtjen e ambientit, i përket një epoke tjetër. Sepse nga sot, nuk kemi vetëm një aleancë, por një lëvizje të mirëfilltë ambientaliste.

8. Nga sot, rreth 617.000 linqe të reja në Google, rezultate që dalin brenda 7 sekondave, i janë shtuar kërkimeve për Shqipërinë. Por këto të gjitha flasin për Shqipërinë që proteston dhe fiton brenda pak ditëve. Nuk ka reklamë më të bukur. Koha e lajmëve me bunkerë, i përket nga sot një epoke tjetër.

9. Nga sot, koha e monopolit mediatik të mediave të zënë ngushtë si një sanduic, i përket një epoke tjetër. Nga sot, njerëzit kanë potencialisht rreth 1.2 milion reporterë (aq sa është përqindja e përdoruesve të internetit në vend).

10. Nga sot do të kemi një ridimensionim të marrëdhënies sonë me SHBA, që mund të jetë dhe s’ka pse mos jetë, një shans më shumë, jo një shans i humbur. Sepse nuk ka ndryshuar gjë nga dëshira apo vullneti ynë për të marrë më të mirat nga kjo marrëdhënie. Nga sot, dimë të themi edhe Jo...

11. Dhe së fundi, nga sot nuk ka asnjë arsye pse këto 10 pikat më lart të jenë një 10 me yll.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

5 netë 'roje' për të vrarë Eduard Reçin/ Shkëlqim Duka u fsheh te shkallët e një hoteli, autorët e dyshuar kyçin gojën në polici

5 netë 'roje' për të vrarë Eduard Reçin/ Shkëlqim Duka u fsheh te shkallët e një hoteli, autorët e dyshuar kyçin gojën në polici