Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përcolli sot një mesazh drejtuar Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë me rastin e 113-vjetorit të themelimit.

Begaj, njëherësh dhe Komandat i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, vlerësoi angazhimin, përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre, si dhe suksesin e arritur në shërbim të Shqipërisë dhe në të gjitha misionet e operacionet ndërkombëtare ku ata shërbejnë.

Kreu i Shtetit shprehu, gjithashtu, vlerësim për të gjitha vajzat, djemtë, gratë dhe burrat e FARSH për misionin fisnik të shërbimit ndaj atdheut.

"Sot, në ditën e themelimit të Forcave të Armatosura, nderojmë me respekt kontributin, sakrificat dhe shërbimin e vyer të të gjithë efektivëve të FARSH që me atdhedashuri, besnikëri dhe disiplinë i kanë shërbyer atdheut në këto 113 vite.

Forcat e Armatosura, me angazhimin, përkushtimin dhe profesionalizimin e tyre, kanë arritur me sukses të jenë në lartësinë e detyrës për sigurimin e pavarësisë dhe mbrojtjes së vendit.

Pjesëmarrja në misione dhe operacione të NATO-s, BE-së dhe OKB-së na bën krenarë dhe kontribues me vlera në sigurinë kolektive. Mirënjohje për çdo efektiv, vajza dhe djem, gra dhe burra të Forcave të Armatosura për shërbimin që i bëjnë atdheut! Gëzuar 113-vjetorin FARSH!", shkruan Begaj.

Mesazh mirënjohje ka ardhur edhe nga kryeministri Edi Rama, ku përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan "113 vjet Forcë e Armatosur. Gëzuar, Shqipëri!”

Ne 4 dhjetor 1912, vetëm 6 ditë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, u krijua Ushtria Kombëtare.

Për herë të parë në historinë shekullore të vendit u krijua Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, (Ministria e Luftës) e drejtuar nga Mehmet Dralla (Tetova) dhe Shtabi i Përgjithshëm i drejtuar nga major Ali Shefqet Shkupi.

Strukturat kryesore përbërëse të saj ishin forcat aktive, rezervë ato vullnetare si edhe Xhandarmëria me 12000 personel gjithsej.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:50
113 vite nga themelimi i Forcave të Armatosura, Rama: Gëzuar Shqipëri (VIDEO)

Sot shënohet 113 vjet nga themelimi i Forcave të Armatosura.

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Facebook ka ndare një video të shkurtër të Forcave të Armatosura, ndërsa shkruan “113 vjet Forcë e Armatosur. Gëzuar, Shqipëri!”