Gjykata Kushtetuese ka zbardhur sot vendimin përfundimtar të 8 tetorit 2026, për rrëzimin e kërkesës së 39 deputetëve të Partisë Demokratike, për shfuqizimin e dy dekreteve që lidhen me ministren virtuale 'Diella'.

Në vendimin e shpallur sot Gjykata sqaron se Diella është një platformë e inteligjencës artificiale dhe jo një funksionar apo organ kushtetues.

Deputetët demokratë kishin kundërshtuar nenin 2 të dekretit nr. 331, datë 12 shtator 2025, për emërimin e Kryeministrit, si dhe nenin 1, pika 1, të dekretit nr. 333, datë 15 shtator 2025, për emërimin e Këshillit të Ministrave, në pjesën ku përcaktohet se Kryeministri ushtron edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual të Inteligjencës Artificiale, “Diella”.

Sipas deputetëve kërkues, përmes këtyre dekreteve Presidenti kishte tejkaluar kompetencat kushtetuese, duke krijuar një strukturë të re ministrore dhe duke i atribuuar kryeministrit përgjegjësi që nuk parashikohen nga Kushtetuta apo ligji. Ata pretendonin gjithashtu cenimin e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, si dhe të rregullave kushtetuese për emërimin e ministrave.

Gjykata Kushtetuese vlerësoi se dispozitat e kundërshtuara nuk kanë karakter normativ, pasi i drejtohen një subjekti konkret, kryeministrit të emëruar, dhe lidhen me një marrëdhënie juridike individuale. Sipas saj, këto përcaktime nuk krijojnë në mënyrë autonome kompetenca apo struktura të reja dhe nuk vendosin rregulla të përgjithshme e abstrakte.

Për këtë arsye, Gjykata arriti në përfundimin se dekretet nuk mund t'i nënshtrohen kontrollit abstrakt të kushtetutshmërisë sipas nenit 131, pika 1, shkronja “c”, të Kushtetutës.

Një tjetër pretendim lidhej me ndërhyrjen e Presidentit në kompetencat e kryeministrit, Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit. Gjykata vlerësoi se kjo problematikë mund të lidhej me një mosmarrëveshje kushtetuese kompetencash, por arriti në përfundimin se një e pesta e deputetëve nuk legjitimohej për ta vënë në lëvizje Gjykatën mbi këtë bazë, pasi nuk kishte identifikuar cenimin e një kompetence kushtetuese që i përket drejtpërdrejt këtij grupi deputetësh.

Gjykata shqyrtoi gjithashtu pretendimin se “Diella” nuk përmbush kriteret kushtetuese për t'u emëruar ministre. Në këtë drejtim, ajo theksoi se nga dekretet nuk rezulton që Diella të jetë emëruar anëtare e Këshillit të Ministrave apo funksionare e një organi kushtetues.

Në një nga konstatimet më të rëndësishme të vendimit, Gjykata e cilëson Diellën si një platformë të inteligjencës artificiale, të organizuar në mënyrë jofrymore, pa personalitet juridik dhe pa zotësi për të vepruar në mënyrë të pavarur. Sipas arsyetimit të saj, platforma shërben si instrument për përpunimin më efikas dhe më të shpejtë të të dhënave në procedurat e prokurimeve publike dhe tenderimeve, me qëllim parandalimin e veprimeve të paligjshme.

Kushtetuesja kërkon kufizimin e përdorimit të inteligjencës artificiale në administratën publike

Gjykata Kushtetuese ka theksuar se inteligjenca artificiale mund të përdoret nga institucionet publike vetëm si një mjet ndihmës dhe nuk mund të zëvendësojë kompetencat e përcaktuara me Kushtetutë dhe ligj.

Në arsyetimin e saj, Gjykata nënvizon se përdorimi i kësaj teknologjie duhet të mbështetet në rregulla të qarta ligjore, të cilat përcaktojnë kufijtë e saj në institucionin përgjegjës. Po ashtu, kërkohet mbikëqyrje e vazhdueshme për të garantuar saktësinë, sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

Gjykata thekson se duhet të shmangen diskriminimi dhe paragjykimet algoritmike, ndërsa sistemet duhet të mund të pezullohen në rast rreziku apo manipulimi.

Një nga parimet kryesore të vendosura në këtë arsyetim është se përgjegjësia për vendimet e marra me ndihmën e inteligjencës artificiale mbetet gjithmonë te institucioni ose zyrtari kompetent. Sipas Gjykatës, teknologjia nuk mund të shërbejë si mënyrë për t'iu shmangur ligjit dhe llogaridhënies.

Mendimi i pakicës: 'Diella' s'mund të jetë ministre. Dy gjyqtarët e Kushtetueses kundër vendimit të shumicës

Dy gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllari dhe Asim Vokshi, kanë dalë kundër vendimit të shumicës për rrëzimin e kërkesës së 39 deputetëve, lidhur me emërimin e ministres virtuale të Inteligjencës Artificiale, Diella.

Ata argumentojnë se funksionet kushtetuese të ministrit mund të ushtrohen vetëm nga persona fizikë dhe jo nga programe kompjuterike apo sisteme të inteligjencës artificiale. Sipas tyre, Kushtetuta ia njeh pushtetin popullit dhe përfaqësuesve të tij njerëzorë, të cilët duhet të mbajnë përgjegjësi për vendimmarrjen.

Dy gjyqtarët theksojnë se Diella nuk mund të ketë statusin juridik të një ministri, pasi nuk është person fizik dhe nuk mund të mbajë përgjegjësi kushtetuese. Ata kundërshtojnë edhe argumentin se bëhet fjalë vetëm për një emërtim simbolik, duke vënë në dukje se Diella është përfshirë në akte zyrtare të emërimit dhe miratimit të qeverisë, si dhe i është dhënë fjala në Kuvend.

Sipas mendimit të pakicës, përdorimi i inteligjencës artificiale si mjet ndihmës në qeverisje është i pranueshëm, por ajo nuk mund të zëvendësojë njeriun në ushtrimin e pushtetit publik. Për këtë arsye, Xhaferllari dhe Vokshi vlerësojnë se Gjykata duhej të shfuqizonte përcaktimet që lidhen me krijimin dhe funksionimin e ministrit virtual Diella, si të papajtueshme me Kushtetutën.

Mendim paralel: Gjykata nuk duhej të zgjeronte objektin e shqyrtimit

Vendimit i është bashkëlidhur edhe një mendim paralel, në të cilin një prej gjyqtarëve, Sonila Bejtja pajtohet me rrëzimin e kërkesës, por shpreh qëndrim të ndryshëm për mënyrën se si shumica e ka arsyetuar vendimmarrjen.

Sipas këtij mendimi, konstatimi se dispozitat e kundërshtuara kanë karakter individual dhe jo normativ ishte i mjaftueshëm për të rrëzuar kërkesën.

Gjyqtari kundërshton zgjerimin e analizës edhe në drejtim të mosmarrëveshjeve të kompetencave dhe zgjedhshmërisë së funksionarëve, duke argumentuar se kërkuesit nuk kishin paraqitur kërkime të tilla.

Në vlerësimin e tij, parimi iura novit curia i jep Gjykatës të drejtën të përcaktojë normën juridike të zbatueshme, por nuk i jep mundësinë të ndryshojë objektin e kërkesës apo të shqyrtojë çështje që nuk janë vënë në lëvizje nga palët.

Ai paralajmëron gjithashtu se kjo mënyrë arsyetimi mund të krijojë probleme për të drejtën e aksesit në Gjykatë në të ardhmen, për shkak të mundësisë së zbatimit të parimit të gjësë së gjykuar (res judicata).