Lutje për kombin dhe thirrje për të mos e braktisur shpresën. Kështu e kanë uruar 28 Nëntorin krerët e komuniteteve fetare në Shqipëri të cilët nënvizuan se atdheu është një amanet i shenjtë që kërkon punë dhe dashuri çdo ditë, jo vetëm në ditë festash.

Në Kishën Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, Kryepeshkopi Joan e përcolli këtë mesazh gjatë shërbesës së veçantë të “Dhoksologjisë së Flamurit”, duke uruar shqiptarët me fjalë paqeje dhe dashurie për vendin.

Gjatë shërbesës, ai u lut për bekimin e flamurit kombëtar, mbrojtjen e shtetit dhe mirëqenien e popullit shqiptar, duke theksuar rëndësinë shpirtërore dhe historike të kësaj dite. Kryepeshkopi Joan tha se Shqipëria u përket të gjithë shqiptarëve dhe se secili ka përgjegjësi për ta mbrojtur dhe për ta çuar përpara. Ai bëri thirrje që shqiptarët të punojnë së bashku për vendin.

"Në këtë ditë të shënuar historike për kombin tonë, Kisha kryen  Dhoksologjinë e Flamurit. Kjo është traditë që përsëritet vazhdimisht. Arsyeja pse përsëritet është se ajo ka shumë rëndësi. Dhe shumë gjëra të rëndësishme duhet të përsëriten që të nguliten në mendjen dhe zemrën tonë. Kisha jonë e zhvillon Dhoksologjinë e Flamurit për disa arsye. E para, kjo Dhoksologji është një falënderim për Perëndinë që na ka dhënë një vend shumë të bukur, i cili i ka të gjitha gjërat.

Ndaj, është detyra jonë që këtë vend ta lulëzojmë. Së dyti, në këtë ditë përkujtojmë të gjithë klerikët dhe laikët që në shekuj ruajtën besimin, gjuhën dhe identitetin e tyre nëpër kohë shumë të ashpra të historisë. Ne u themi atyre të gjithëve, faleminderit. Dhe e treta, më e rëndësishmja, është që këtë vend të bukur që na ka dhënë Perëndia, kemi për detyrë ta mbrojmë, ta ruajmë dhe ta ndriçojmë. Ne nuk jemi pronarët. "Zotit i përket dheu dhe gjithçka që ndodhet në të", thotë psalmisti. Kjo do të thotë se ne jemi thjesht kujdestarët e tij. Mund të jemi kujdestarë të mirë ose kujdestarë të këqij. Nëse e duam Perëndinë, do t’i duam edhe njerëzit, se është e pamundur të duash Perëndinë dhe të mos e duash vendin ku je lindur dhe je rritur. Një njeri që nuk e do Perëndinë, shpeshherë, ka vështirësi për të pasur dashuri edhe për njerëzit", tha kryepeshkopi Joan.

Kryepeshkopi Joan shtoi se është detyra e gjithsecilit nga ne që këtë vend të bekuar ta ndriçojmë akoma më shumë, të jemi të gjithë së bashku dhe ta çojmë përpara.  

"E përsërisim vazhdimisht një episod nga Ungjilli. Përpara se Zoti t’i jepte Pjetrit një mision shumë të rëndësishëm, që të kujdesej për grigjën e Tij, e pyet tri herë dhe i thotë “Simon, i biri i Jonait, a më do më shumë sesa këta të tjerët?” E pasi Pjetri i thotë: “Po, Zot, të dua”, Ai i thotë “Kullot shqerrat e mia.” Kjo do të thotë se, nëse do ta duam Perëndinë, do ta duam mësimin e Tij dhe urdhërimet e Tij. Dhe urdhërimi kryesor është pikërisht ky: Ta duam Zotin me gjithë shpirtin tonë dhe ta duam të afërmin si veten tonë. Nëse e kemi këtë në zemër, do t’i duam njerëzit, do ta duam vendin tonë. Edhe njerëzit që kanë dashuri do të bëjnë gjithçka për ta ndriçuar dhe lulëzuar vendin e tyre.

Le ta kemi gjithmonë ndër mend se ne nuk jemi pronarët, jemi kujdestarët, dhe një ditë do të japim llogari. Le t’i lutemi Perëndisë që, për të gjithë punën dhe veprën tonë, kur të paraqitemi para Tij, të na thotë fjalët që janë në Ungjill. “Të lumtë, kujdestar dhe shërbëtor besnik! Hyr në gëzimin e Zotit tënd.” Prandaj është detyra e gjithsecilit nga ne që këtë vend të bekuar ta ndriçojmë akoma më shumë, të jemi të gjithë së bashku dhe ta çojmë përpara.  Sepse Shqipëria është e të gjithëve, nuk është e një grupi as e një personi. Të gjithë ne kemi përgjegjësinë për ta ndriçuar vendin. Në këtë ditë të bekuar do të doja t’ju uroja juve të gjithëve gëzuar dhe për shumë vjet", theksoi Kryepeshkopi.

Tek ndjenja e përgjegjësisë e vuri theksin Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu. Përmes një mesazhi urimi në rrjetet sociale, ai kujtoi kontributin e klerikëve patriotë ndër vite, duke e cilësuar dashurinë për vendin një detyrë që dëshmohet me vepra.

"Të jesh atdhetar nuk do të thotë vetëm të nderosh flamurin në festa. Do të thotë të punosh me ndershmëri, të edukosh brezat me dashurinë për vendin dhe të mos e humbasësh shpresën për një Shqipëri më të mirë."

Katedralja Katolike Shën Pali ka zgjedhur të urojë 114 vjetorin e Pavarësisë me një foto të Nënë Terezës.

Mesazh urimi dhe bekimi për shqiptarët kudo në botë përcolli edhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj në urimin e tij u ndal te deviza e njohur “Pa atdhe nuk ka fe”, ai bëri thirrje për më shumë paqe, unitet dhe solidaritet njerëzor për të përballuar sfidat e kohës.

" Është e domosdoshme të angazhohemi për rritjen e mirëbesimit, forcimin e unitetit, për bamirësi e ndihmë për ata që kanë nevojë, të ndalojmë ndasitë dhe të lutemi tek i Madhi Zot që të na ndihmojë në këtë mision të përbashkët, u shpreh ai.

Në këtë 28 Nëntor, krerët fetarë bashkohen në thirrjen se kur bëhet fjalë për Shqipërinë, besimi dhe identiteti kombëtar ecin krah për krah, duke e kthyer këtë ditë në një reflektim për paqen dhe të ardhmen e vendit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:07
'Pa atdhe nuk ka fe', Baba Mondi uron shqiptarët për 28 Nëntorin: Të forcojmë unitetin dhe të ndalojmë ndasitë!

Mesazh urimi dhe bekimi për shqiptarët kudo në botë përcolli edhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj në urimin e tij u ndal te deviza e njohur “Pa atdhe nuk ka fe”, ai bëri thirrje për më shumë paqe, unitet dhe solidaritet njerëzor për të përballuar sfidat e kohës.

" Me rastin e këtyre ditëve të shënuara, 28 dhe 29 nëntor 2026, si Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, uroj e bekoj të gjithë besimtarët, shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi e kudo që jetojnë e punojnë nëpër botë, që të kenë më tepër dashuri vëllazërore, harmoni, mirëkuptim, respekt e unitet, shpresë e besim tek Zoti i Madh, për një jetë më të mirë e më të begatë, në mënyrë që të përballohen me efektivitet situatat e vështira që po kalon sot njerëzimi, me synim të një jete më të mirë dhe të begatë për të gjithë. Duke qenë së bashku, duke predikuar triumfin e së mirës ndaj të ligës, humanen ndaj indiferencës, bashkëjetesën, ne mundemi të përballojmë më mirë problemet dhe të afrohemi gjithmonë drejt të mirës. Përkujtimi i këtyre dy ngjarjeve të shënuara, është një tregues i rëndësishëm e ndjenjë përgjegjësie për vlerësimin e udhës historike të kombit tonë ndër dekada e shekuj, vlerësimin e sakrificave për lirinë e pavarësinë, është njëkohësisht dhe tregues i përgjegjësisë për rritjen e dashurisë për kombin dhe të Madhin Zot. Është e domosdoshme, që veçanërisht në këto dit, të ndërgjegjësojmë veten e të bëjmë apel për të gjithë, që secili, të angazhohet për rritjen e klimës së mirëbesimit e dashurisë së ndërsjelltë njerëzore, forcimin e unitetit, për bamirësi e ndihmë për ata që kanë nevojë, të pastrojmë shpirtrat tanë e familjarëve, të ndalojmë ndasitë, sherret e mëritë, luftërat, të lutemi tek i Madhi Zot që të na ndihmoj në këtë mision të përbashkët…Zoti i Madhërueshëm u bekoftë ju e familjet tuaja! Amin!”– thuhet në mesazhin e Dede Edmond Brahimajt.

Ora 16:02
'Gëzuar Festën!' Katedralja e Shën Palit uron 114-vjetorin e Pavarësisë me një foto të Nënë Terezës

Katedralja Katolike Shën Pali ka zgjedhur të urojë 114 vjetorin e Pavarësisë me një foto të Nënë Terezës.

"114-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, Gëzuar Festën", shkruan Kisha Katolike. 

Ora 11:04
114-vjetori i Pavarësisë/ Kreu i KMSH-së uron shqiptarët: 28 Nëntori është kujtesë e sakrificave të brezave, e dashurisë për atdheun (VIDEO)

 

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka ndarë një mesazh urimi për shqiptarët në Ditën e Pavarësisë dhe Flamurit.

Spahiu shprehet se në këto ditë nëntori, zemrat e shqiptarëve mbushen me krenari për historinë dhe flamurin kombëtar.

Ai thekson se 28 Nëntori nuk është thjesht një datë në kalendar, por kujtesë e një sakrifice të madhe dhe ëndrre të shumë brezave.

Kreu i KMSH-së shton se dashuria për atdheun është një ndjenjë e thellë njerëzore, që gjen vend edhe në traditën islame. Spahiu thotë se flamuri kuqezi është dëshmia më e bukur e këtij bashkëpunimi.

Ai thekson se Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të vazhdojë të japë kontributin e tij për paqen, harmoninë ndërfetare, edukimin, solidaritetin dhe zhvillimin e vendit tonë.

“Atdheu, amanet i përbashkët

28 Nëntori është më shumë se një festë kombëtare; është kujtesë e sakrificave të brezave, e dashurisë për atdheun dhe e amanetit që kemi për ta ruajtur e zhvilluar vendin tonë.

Një dashuri që, siç na mëson edhe tradita jonë islame, shprehet përmes përkushtimit, përgjegjësisë dhe kontributit për të mirën e përbashkët.

Në këtë ditë të shënuar, nderojmë të gjithë ata që punuan dhe sakrifikuan për Shqipërinë, duke kujtuar se uniteti, respekti dhe bashkëjetesa janë vlera që duhet t'i përcjellim brez pas brezi.

Gëzuar festën e pavarësisë! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen”, thuhet në postimin e shpërndarë në Facebook.