116 ton kimikate asgjesohen jashtë vendit, Kodheli:Mund të shpërthenin
116 ton kimikate do të dërgohen për asgjesim jashtë vendit.Në kuadër të zbatimit të projektit “Për eliminimin e kimikateve stoqe”, është zhvilluar sot ceremonia e dorëzimit për asgjesim të këtyre municioneve, në ambientet e Grup Depove Qafë Mollë 2. VIDEO
116 ton kimikate të përbëra nga 47 lëndë të ndryshme kimikatesh do të dërgohen për asgjesim jashtë vendit.
Në kuadër të zbatimit të projektit “Për eliminimin e kimikateve stoqe”, është zhvilluar sot ceremonia e dorëzimit për asgjesim të këtyre municioneve, në ambientet e Grup Depove Qafë Mollë 2.
Ministria e Mbrojtjes ka nënshkruar një marrëveshje teknike me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Tiranë për realizimin e këtij projekti.
E pranishme në ceremoni Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli tha se kimikatet do të dërgohen drejt Portugalisë, Greqisë e Suedisë, që do të ndihmojnë për ti shkatërruar ato. Sipas Kodhelit këto mbetje janë një bombë me sahat që mund të shpërthente nga çasti në cast.
Në fjalën e saj ministrja e Mbrojtjes Kodheli theksoi se, projekti që po starton është pjesë e atyre sfidave me të cilat FA përballen sot, me implikime strategjike dhe ndikim të drejtpërdrejtë në të tashmen dhe të ardhmen e vendit dhe të popullit tonë.
Ndikimi në popullsi shfaqet për shkak të rrezikut që këto mbetje të dëmshme paraqesin për mjedisin dhe njerëzit, si dhe për joshjen që ato ofrojnë për t’u përdorur si armë në duart e elementëve kriminalë. Po ashtu, mbetjet e dëmshme kimike janë evidentuar edhe si sfida që lidhen drejtpërdrejt me cilësinë e mjedisit dhe jetës së qytetarëve por edhe me detyrimin që vendi ynë të përmbushë standardet mjedisore të BE.
“Falë angazhimit dhe kontributit të OSBE-së dhe vendeve mike si Norvegjia, Austria, Gjermania, Turqia e Republika Çeke, sot do të fillojë largimi nga vendi ynë, dhe shpërbërja përfundimtare, i 116 tonë lëndëve kimike të rrezikshme. Projekti për asgjësimin e lëndëve të dëmshme kimike është hapi i parë i një procesi i cili do të vijojë deri në asgjësimin e gjithë mbetjeve të dëmshme të trashëguara nga e kaluara”, tha Kodheli.