12 dhjetor 1949, arratisja e një diplomati shqiptar në Romë

12 dhjetor 1949, arratisja e një diplomati shqiptar në Romë

Faksimile të letrave për Nesti Josif Kopali

Në dhjetor 1949 përgjegjësi i zyrës së shtypit në Legatën Shqiptare në Romë, Nesti Josifi Kopali, me gradën e lartë diplomatike “Këshilltar”, u bë për atë vit i arratisuri i vetëm i rëndësishëm i kampit socialist drejt atij perëndimor.

Për shërbimet e fshehta anglo-amerikane ai konsiderohej një diplomat i kamufluar. Në të vërtetë nuk gabonin. Nesti Josifi qe punonjës i Sigurimit Shqiptar, madje rezident i sektorit të zbulimit në Itali, çfarë donte të thoshte se në Romë ishte i ngarkuar me detyrën e shefit për mbledhjen e informacionit në të gjithë territorin e këtij vendi.

Me fillimin e Luftës së Ftohtë, në fund të vitit 1946, pati qenë agjenti i fshehtë i KGB-së, shërbimit inteligjent sovjetik, Anatolij Granovski, ai që ia kishte mbathur për në Perëndim. Sipas një libri autobiografik, arratisja e tij ndodhi nga Stokolmi, në Suedi, ku ndodhej me mision agjenturimi.

Moti 1947 nuk pati asnjë ngjarje të tillë, por një vit më vonë ishte një shkrimtar çekosllovak, Jan Çep. Ikjen demostrative ky e kreu nga Franca, ku kishte nisur të njihej si njeri me ide antisocialiste.

Ndërsa në 1949, siç thamë më sipër, qe shqiptari Nesti Josifi Kopali, në 1950 do të ishte një çekosllovake, balerinë në akull. Gjatë motit 1953, vitvdekjes së Stalinit, do të ketë disa të ikur, mes tyre balerina, një pilot polak, madje prej ketij vendi edhe një politikan i rëndësishëm. Këtë vit do të arrestosej edhe agjenti i KGB-së Nikollaj Koklov, i cili refuzoi vrasjen e një kundërshtari politik të regjimit sovjetik, Georgij Okoloviçit, dhe pas kësaj u arratis për në Gjermaninë Perëndimore. Megjithatë në 1957 shërbimi i fshehtë rus arriti ta identifikojë ku mbahej sekretisht dhe e vrau.

Në aeroportin e Romës ndaj diplomatëve shqiptarë sjellje brutale    

Kur agjenti i kamufluar shqiptar Nesti Josifi, i pari dhe i vetmi për kryerjen e këtij gjesti prej njerëzve të nivelit të tij në Shërbimin e Fshehtë Shqiptar dhe në atë Diplomatik për tërë gjysmëshekullin komunist, ia doli të arratisej, anglò-amerikanët patën nisur ndaj Shqipërisë dhe nëpërmjet saj kundër kampit socialist operacionin sekret diversiv “Valuable”. Enver Hoxha dëshironte ta çante këtë rrethim agresiv në njërin krah, atë të gadishullit Apenin. Me greko-jugosllavët në Ballkan e kish të pamundur.

Ndërkohë vëzhguesit e huaj të raporteve ndërkombëtare patën vënë re se gjatë pranverës së motit 1949, kur prej 21 marsit deri në 10 prill Hoxha kreu një vizitë në Moskë dhe qe takuar me Stalinin, bisedimet patën përfunduar me shumë marrëveshje tregtare, por me asnjë nismë për të firmosur të dy vendet një traktat miqësie.

Me pak fjalë Shqipëria ishte me kampin socialist, por qëndronte ende disi pezull, e pakonfirmuar si vend me rëndësi gjeostrategjike të dorës së parë dhe për pasojë ndodhej në gjendje pasigurie për t’u mbrojtur nga shtrëngimi i fortë i darës greko-jugosllave me nga pas Uashingtonin dhe Londrën.

Në mes të vitit 1949 marrëdhëniet mes Tiranës dhe Romës linin një fije shpresë se mund të braktisnin tensionet e mëparshme, sepse nervozimin e kishin shkaktuar ndikimet jugosllave në politikën e jashtme shqiptare për mbështetjen që i bëri ajo Beogradit në çështjen e marrjes së Triestes. Ndërkaq pas ndarjes me Titon Enver Hoxha nguli këmbë në të kundërtën: përmirësimin e domosdoshëm të marrëdhënieve me Italinë.

Në 3 qershor 1949 qeveria shqiptare i kërkoi Romës autorizimin për të lejuar hyrjen në Itali të personelit të Legatës së saj me në krye ministrin fuqiplotë Zenel Hamiti. Përgjigja e palës italiane erdhi me shumë vonesë, në 22 qershor. Kjo plogëti nga Roma zyrtare, përfshi edhe zvarritjen e dhënies së vizave hyrëse, u justifikua me burokracinë e administratës.

Trupa diplomatike e Legatës shqiptare u nis nga Tirana në 16 gusht dhe mbërriti në Romë në të njëjtën datë, pasdite. Në përbërje bashkë me Zenel Hamitin ishin sekretari i parë Filip Koka, sekretari Sheme Beqiri, këshilltarët Asam Daja dhe Abaz Fejzo. Ndodheshin edhe tre nëpunës të thjeshtë si edhe familjarët.

Siç nuk pritej, në doganën e aeroportit të Romës u kërkua kontrolli i valixheve, çfarë nuk lejohet për personelet diplomatike. Megjithë protestën e shqiptarëve kjo u krye dhe nga doganierët u mbajtën, pa iu rikthyer, dy aparate radiomarrës.

Njëkohësisht dërgata diplomatike shqiptare vuri re se për pritjen e saj, siç është rëndom rregulli, në aeroport nuk kishte asnjë përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, por ndodhej vetëm komisari i Policisë së Romës si edhe disa agjentë të atij shërbimi. Këta i shoqëruan të porsaardhurit në distancë deri sa u vendosën në një hotel.

Ndërkaq dy ditë më pas një funksionar i MPJ të Italisë, Mario Pleti, shkoi tek Zenel Hamiti dhe i kërkoi falje për mospraninë e institucionit të tij në pritjen e trupës diplomatike shqiptare, duke u justifikuar se ajo nuk ishte në dijeni për atë mbërritje. Pleti e ftoi ministrin shqiptar të bënte një vizitë në MPJI dhe kjo ndodhi në 20 gusht. Hamiti këtë ditë u takua me shefin e Ceremonialit të kësaj Ministrie, ambasadorin Taliani de Markio (Taliani de Marchio). Biseda zgjati vetëm dhjetë minuta dhe Zenel Hamiti kërkoi një takim me ministrin e Jashtëm Karlo Sforca (Carlo Sforza). Duhej për paraqitjen e letërkredencialeve. Dyzetë e tetë orë më pas, në 22 gusht, Hamitit i bëri një vizitë personale Omero Formentini, ministri Fuqiplotë i Italisë, i caktuar për të kryesuar në Tiranë trupën diplomatike të vendit të vet. Ky ishte i shoqëruar nga sekretari i parë i saj, Remo Paolini.

Paraqitja e letërkredencialeve të ministri Karlo Sforca u bë në 1 shtator. Ky deklaroi se si qeveria italiane ashtu edhe ai personalisht dëshironin pavarësinë e Shqipërisë dhe tashmë bashkë me rifillimin e marrëdhënieve diplomatike, edhe bashkëpunimin ekonomik. Në 5 shtator Zenel Hamiti u prit dhe paraqiti letërkredencialet edhe në selinë e Presidencës, tek presidenti Luixhi Einaudi (Luigi Einaudi).

Arratisja

Këshilltari Nesti Josifi nuk ndodhej i regjistruar në pikëhyrjen kufitare italiane të aeroportit të Romës në 16 gusht, sepse erdhi në Legatë më pas. Ai vinte prej Sigurimit dhe ishte marrë dukshëm me shtypjen e rezistencës së antikomunistëve. Mes kolegëve të tij në Shqipëri binte në sy për ashpërsinë.

Në 12 dhjetor 1949, ndryshe nga ditët e tjera, Legata Shqiptare në Romë vuri re se iu nënshtrua një situate survejimi jashtë të zakonshmes. Këtë ngulmim kontrolli e kryenin dukshëm shtatë civilë të Policisë Italiane. Të shqetësuar nga kjo gjendje punonjësit shqiptarë dalluan se agjentët kishin si objektiv vëzhgimi vetëm njërin prej tyre: Nestin. U bindën për këtë kur vunë re se në orën 21.30, ndërsa kolegu i tyre doli nga selia dhe u nis për në shtëpi, ata iu vunë pas.

Sipas asaj që pati thënë në seli, por edhe një rregulli të brendshëm, pasi do të hante darkën në shtëpi, Nesti premtoi se do të rikthehej në Legatë. Për ta dëshmuar këtë rikthim ai nuk pati marë me vete pallton si edhe tërë sendet e zakonshme të tij, siç vepronte përditë.

Çuditërisht diplomati i kamufluar shqiptar as pas një ore nga çasti i largimit prej selisë nuk qe kthyer në shtëpi. Ishte një ngjarje tjetër që këtë çast ndodhi dhe shkaktoi alarm tek përfaqësia diplomatike shqiptare: një person i panjohur pati telefonuar në shtëpi, duke i thënë punonjëses së shërbimit se Nesti nuk do të kthehej në banesë dhe se prej të afërmëve atë natë nuk duhej të lejohej njeri që të vinte aty dhe të kontrollonte apartamentin.

Të nesërmen, më 13 dhjetor, diplomatët shqiptarë konstatuan se niveli i survejimit prej policisë vendase ra shumë, kurse në 14 dhjetor pothuaj u fik. Në mbrëmje të kësaj dite u hoq fare.

Shefi i Legatës, Zenel Hamiti, do t’i raportonte menjëherë Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, se nisur prej kësaj dinamike të zhvillimit të ngjarjes së mësipërme, “Duke marrë parasysh se personeli i Legatës gjatë datave 12, 13 dhe 14 nuk ka tregue asnjë lëvizje dhe aktivitet të tepërt nga se ditët e tjera, survejimi i policisë Italiane nuk shpjegohet ndryshe veçse ka patur si qëllim grabitjen e Nestit”.    

Në 14 dhjetor nga qendra mbërriti telegrami i prerë: “Protestoni energjikisht, na mbani në dijeni!” Firmoste zëvendësministri i Jashtëm Koço Tashko, i cili në vitet 1946-1947 pati qenë ambasador i Shqipërisë në BRSS.

Legata Shqiptare në Romë notën e protestës e dorëzoi në orën dhjetë dhe Zenel Hamiti vazhdimisht bëri presion që MPJI t’i kthente sa më shpejt një përgjigje. Kjo mbërriti tetë ditë më pas nga nisja e notës. Në të ngulej këmbë se për aq sa dinin Nesti Josifi qe larguar me dëshirën e vet. Policia Italiane e kishte identifikuar praninë e tij në 19 dhjetor në qytetin e Napolit.

Në 21 dhjetor ministri Fuqiplotë Zenel Hamiti bëri notën e dytë. Sipas udhëzimeve të Tiranës në të thuhej: “Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Popullore të Shqipërisë duke tërhequr edhe njëherë vëmendjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme Italiane mbi gravitetin e këtij akti të kryer nga organet e Sigurimit italian proteston me indinjatën më të thellë për këtë akt banditizmi dhe kërkon prej kësaj Ministrie të marrë të gjitha masat e duhura në mënyrë që Këshilltari i legatës së RP Shqipërisë në Romë, z. Nesti Josifi, të lirohet sa më parë  dhe në çdo rast të organizojë sa më shpejt një takim të lirë midis Përfaqësuesit të Legatës dhe z. Nesti Josifi”.

Në vijim të notës thuhej se në rast që kjo nuk do të ndodhte MPJI do të aprovonte përgjegjësinë dhe pleksjen e saj në këtë ngjarje. Teksti mbyllej me fjalët: “Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Popullore të Shqipërisë thekson se dëshiron që mbi këtë çështje të ketë një përgjigje në kohën sa më të shkurtër”.

Përgjigja e MPJI, e protokolluar me numrin 1446, mbërriti në Legatën Shqiptare dyzetë e tetë orë më pas dhe thoshte se forma me të cilën ajo notë qe dërguar ishte e papranueshme. Ajo përsëriste atë gjykim të vet, të cilën e kishte shprehur edhe më parë: Nesti Josifi ishte gjetur në Napoli nga organet e autoritetet e Policisë, se atyre ai u pati deklaruar se duhet të konsideriohet i paangazhuar më me punë pranë Legatës Shqiptare dhe se kishte kërkuar strehim në territorin italian.

Në 30 dhjetor 1949 Koço Tashko e porositi Legatën në Romë me një telegram të koduar: “Na njoftoni për protestat tuaja rreth çdukjes së këshilltarit Nesti Kopali dhe t’i kërkoni asaj Ministrie për t’ju infomuar si Legatë mbi gjendjen shëndetësore të tij dhe të merren të gjitha masat e nevojshme që këshilltari të rikthehet në Legatë”.

Takimi në hotelin e humbur të Napolit

Këtë ditë të 30 dhjetorit në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë erdhi nga Legata Shqiptare e Parisit raporti informativ, në të cilin thuhej se “gazeta “New Yorke Herald Tribune” e datës 22 dhjetor botoi një lajm, gjoja dhënë korespodentit të saj në Romë, të titulluar: “Këshilltari i shtypit ikën nga Legata në Romë”. Ajo e jep lajmin duke theksuar se Nesti Josifi i shtohet listës së përfaqësuesve të jashtëm të regjimeve komuniste që kanë lënë partinë e tyre”. “Këtë lajm, theksonte raporti informativ i ardhur nga Parisi, e ka dhënë natën e 20 dhjetorit Ministria e Jashtme Italiane. Ai shkrim përshkruan vizitën e Zenel Hamitit në Ministrinë e Jashtme Italiane dhe deklaratën e Filip Kotës se nuk dihet arsyeja e zhdukjes së Nestit dhe se për këtë Legata po bën korrespodencë me MPJI”.

Në mbyllje të këtij informacioni Legata Shqiptare në Paris vinte në dukje se “Shtypi frëng nuk ka shkruar gjë për këtë. Është mirë të na njoftoni si qëndron puna”.

Ky raport në 6 janar 1950 iu dërgua menjëherë “Komandantit”, Enver Hoxhës.

Takimi i të dërguarit të Legatës Shqiptare në Romë, këshilltarit Abaz Fejzo, me Nesti Josif Kopalin u krye në 11 janar, në një hotel të kategorisë së dytë. U bë në praninë e dy personave të panjohur, njëri prej të cilëve deklaroi se qe punonjës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë. Në kushte të tilla Abazi refuzoi të bisedonte. Ai kërkoi takim një me një me Nestin. Italianët i thanë se prezencën e tyre e pati kërkuar vetë këshilltari shqiptar i ikur nga Legata e tij, sepse i trëmbej sigurisë së tij fizike nga një takim kokë më kokë.

Ishte pikërisht Nesti Josifi që i tha Abaz Fejzos: “Flisni me mua, duke patur parasysh se bisedimi me çdo mënyrë duhet të bëhet në praninë e italianëve”. Abazi nuk iu përgjigj kësaj thirrjeje. Duke u larguar Fejzo ai u tha dy italianëve se Nesti nuk kishte liri për të biseduar.

Pas kthimit në Legatë ai, me porosi të Zenel Hamitit, i kërkoi një takim njërit nga të ngarkuarit në Drejtorinë Politike të MPJI, i cili quhej Lo Faro, dhe kur kjo ndodhi këshilltari shqiptar e vuri në dijeni çfarë pati ndodhur në hotelin e dorës së dytë të Napolit. Abaz Fejzo kërkoi një takim tjetër me Nesti Josifin me kusht që të bëhej pa prani njerëzish të tjerë, por Lo Faro e refuzoi. Njeriu i Legatës Shqiptare këmbënguli se Nesti nuk mund të fliste lirisht sepse qe futur nën frikë. Lo Faro u përgjigj menjëherë se një deklaratë të tillë nuk mund ta pranonte në formë verbale, por ata duhej ta jepnin me shkrim.

Një çast më pas, ndërsa e kishte refuzuar praninë në hotel edhe të një punonjësi të MPJI, Lo Faro u shpreh se kjo edhe mund të kishte ndodhur. Ai u kujtua dhe tha se mbase ata të Protokollit të kishin dërguar një njeri të drejtorisë së tyre. Pastaj përsëriti se Nesti Josifi nuk e ndjente veten të sigurt prandaj edhe kërkonte praninë e italianëve. Në fund Lo Faro shtoi se i ikuri nga Legata në të vërtetë nga të gjithë punonjësit e saj dëshironte të takohej dhe të fliste vetëm me Abazin dhe me asnjë tjetër.

Raporti rreth këtyre takimeve iu dërgua Tiranës në 13 janar dhe në të ministri Fuqiplotë Zenel Hamiti shprehej se kolegu Abazi ishte i gjykimit “se Nesti ka ikur me dëshirën e vet edhe për arsye të kaluarës së tij”. Po ashtu shkruante: “Jemi të mendimit se Nesti nuk dëshiron të takohet me asnjë prej nesh. Ata që e mbrojnë (italianët, shënimi ynë) janë të pakënaqur e ky iku nga Legata në këtë kohë”.

Në fund të raportit Zenel Hamiti i kërkonte MPJ-së në Tiranë: “Na dërgoni sa më shpejt udhëzime si të veprojmë!” Përgjigja i erdhi shumë shpejt prej Mihal Priftit, një nga zëvendëministrat e MPJ-së. Me një telegram në frëngjisht ai kërkonte: “Na përshkruani me hollësi gjendjen dhe sjelljen  e Nesti Josifit në momentin e bisedimeve të 11 janarit. Cila qe përshtypja e shokut Abaz Fejzo në lidhje me të”.

Ndërkaq në 19 janar vetë drejtori politik i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, Gastone Guidotti, i telefonoi Zenel Hamitit dhe i ofroi një bisedë në zyrën e tij. Kjo u krye në 21 janar. Me Gastonen ministri shqiptar Fuqiplotë kishte një kujtim të hidhur të disa muajve më parë, kur e pati akuzuar atë si përfaqësues të një shteti me synime imperialiste. I pranishëm në këtë sherr pati qenë edhe sekretari i Përgjithshëm i MPJI, Vittorio Zoppi, diplomat shumë i përmbajtur.

Në takimin e 21 janarit 1950 Guidotti, pasi i tha Zenel Hamitit se Nesti pati ikur nga Legata me vullnetin e vet, i propozoi se megjithatë mund të organizohej një takim i palës shqiptare me të në vetë godinën e Ministrisë. Hamiti nguli këmbë se Nesti Josifi qe marrë me forcë nga organet italiane. Kur u kthye në Legatë dhe i raportoi Tiranës, shtoi se italianët u ofronin një takim të dytë në selinë e Ministrisë thjesht për t’u larguar nga përgjegjësia e rrëmbimit të këshilltarit Josifi, të cilën duhet ta kenë bërë njerëz të Sigurimit italian.

Duke këmbëngulur në idenë se “Unë mendoj se Nesti ka ikur me dëshirën e tij”, Zenel Hamiti përsëriti se duhej të vijonin taktikën e tyre të mëparshme: takim kokë më kokë, pa prani të tjerësh dhe se ish-Këshilltari i Shtypit vepronte në kushte frikësimi. Një pozicionim i tillë u jepte mundësinë ta konsideronin këtë akt si veprim banditesk.

CIA nuk ka besim

Këtë histori arratisjeje diplomati shqiptar që ka hyrë në historinë botërore të raporteve të Luftës së Ftohtë mes Perëndimit dhe Lindjes, do ta ndërpresim këtu, ndërsa ajo ka një vijim edhe më intrigues përpjekjesh për ta shkëmbyer dorëzimin e Nesti Josifi Kopalit me të birin e një eksponenti antikomunist të mërguar në Perëndim, por që Sigurimi Shqiptar i pati mbajtur peng të birin. Bisedimet për këmbim, Nesti kthim në Shqipëri dhe djaloshi lejim për të shkuar tek i jati në Itali, do të nisnin në kryeqytetin çekosllovak, në Pragë.

Këtu dokumentat sekrete që kemi, përveç se në gjuhën shqipe, janë edhe në rusisht. Kjo tregonte se kishin hyrë në lojë sovjetikët. Tashmë Nesti Josifi dhe fati i tij qenë nomenklaturë e të gjithë kampit socialist.   

Për sa kemi mundur të mbledhim të dhëna prej palës tjetër të Perëndimit, anglo-amerikanëve, ikja e Nesti Josifit nga kampi socialist qe një arratisje relativisht e rëndësishme, sepse konsiderohej funksionar i lartë i Shërbimeve të Fshehta Shqiptare. Në Legatën e vogël të Romës ai qe dërguar si i ndëshkuar për pasukseset e tij. Ai do të kontrollonte në Itali një numër jo të vogël emigrantësh politikë me zell të madh antikomunist. Duke qenë i tillë pas ikjes nga Legata Nesti Josifi iu ofrua menjëherë për vetëdorëzim Ambasadës së SHBA në Romë, por këta e refuzuan. Kështu ai iu afrua Shërbimit të Fshehtë Italian. Pas pothuaj dy muajve që u pyet nga italianët, ai iu dorëzua prej këtyre CIA-s. Kjo e transportoi në territorin e Uashingtonit për një proces të dytë pyetjesh. Dëshironin të mblidhnin të dhëna për çfarë kishte kryer ai në Shqipëri gjatë viteve 1946-1947, ndërsa mbulonte një sektor të Sigurimit që luftonte Perëndimin. CIA dinte që Nesti Josifi Kopali kishte krijuar lidhje agjenturore edhe në SHBA, sidomos me një botues të një gazete shqiptare në Boston, tentativë gjithsesi e dështuar. Në pranverën e vitit 1950 amerikanëve Nesti u dha incormacione shumë të vyera për Sigurimin Shqiptar dhe mbrojtjen ushtarake të vendit, çfarë u duhej shumë sepse qe në veprim operacioni top sekret “Valuable”.

Por CIA-s të gjitha të dhënat që i dha Nesti Josifi nuk i mjaftuan për t’u bindur që t’i jepnin strehim politik në SHBA, kështu që e dërguan në Gjermani. Këtu u mbajt në një lloj burgimi, ku funksionarët e inteligjencies amerikane u përpoqën ta modelojnë për ta futur si agjent të tyre në Shqipëri. Këtu terri informativ për të në Perëndim bëhet më i dendur. Bie më fort në sy një fjalënajë se Nesti Josifi Kopali aventurën e ikjes demonstrative nga Legata Shqiptare në Romë e përfundoi i mbyllur në një spital psikiatrik në Greqi.

Ndërkaq një gjurmë e tij shfaqet në Shqipëri në fund të vitit 1959 (23 nëntor). Ai ndodhet në listën e 118 shqiptarëve, të cilëve nga qeveria e Tiranës u ndalohej, si “kriminelë lufte”, hyrja në Shqipëri “gjallë a vdekur”.






Faksimile të letrave për Nesti Josif Kopali

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Riatdhesimi i shqiptarëve nga Siria, Hasani: Puna vijon, kemi plane konkrete me ministrin Hoxha

Riatdhesimi i shqiptarëve nga Siria, Hasani: Puna vijon, kemi plane konkrete me ministrin Hoxha