Tetë prej tyre janë të akuzuar drejtpërdrejtë për vrasjen e efektivit në bashkëpunim dhe për armëmbajtje pa leje, të cilët po hetohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë.
17-vjeçari nga Gjirokastra Xhuliano Malo është i pari që ra në prangat e policisë mëngjesin e 24 qershorit kur humbi jetën efektivi, i cili dyshohet se furnizonte grupin me armë dhe municione. Operacioni arriti kulmin mbrëmjen e kësaj të shtune me prangosjen e dy vëllezërve nga Lazarati, Arbjon Aliko 20 vjeç dhe Albani 18, të cilët dyshohet se janë organizatorë të grupit të armatosur dhe autorët kryesorë të vrasjes së specialit Basha.
Të arrestuarit e tjerë që po hetohen nga Krimet e Rënda janë, Klodian Selimi 19 vjeç, Dervish Gaba 20 vjeç, Elvis Boci 19 vjeç, E.Kasma 16 vjeç dhe O.Proko 17 vjeç të gjithë banues në fshatin e Lazaratit.
Po ashtu, dy persona të tjerë çështja e të cilëve po hetohet nga Prokuroria e Gjirokastrës, u arrestuan si përkrahës të autorëve gjatë kohës së arratisë. Deivid Shehu 19 vjeç dhe Serxho Shehu 20 vjeç nga Gjirokastra, akuzohen se kanë ndihmuar me ushqime e veshmbathjes dy vëllezërit Aliko të cilët ju fshehën policisë për 4 ditë nga koha e sulmit ndaj policisë.
Po kështu, në pranga kanë rënë edhe dy të rinjtë, Dritan Shurdhi 23 vjeç dhe 20-vjeçari Elvis Mahmuti të dy banues në Lazarat. Ata akuzohen për prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit dhe prishje e qetësisë publike, ndërsa edhe dosja e tyre hetohet nga Prokuroria e Gjirokastrës.
Operacionit për kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në sulmin e armatosur ndaj policisë në Lazarat, vijon ende. Burime nga Prokuroria thanë se janë gjetur prova dhe fakte të reja që përfshijnë persona të tjerë në sulm. A1 Report mëson përmes burimeve nga organi i akuzës se mes të kërkuarve janë Bervin Basho, Ani Hiri dhe Bajram Boçi dhe nje i katert.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)