12 viktima më pak nga aksidentet në 3 muajit e fundit! 14 të ‘arratisur’ nga vendngjarja por më pas pendohen! Shefi i sigurisë: Nuk është fenomen shqetësues

Zef Keci, 68 vjeç, u gjet i pajetë nga kalimtarët në aksin Milot-Kryqëzimi i Arbërisë të shtunën e 9 prillit. Burri nuk u mbijetoi plagëve të përplasjes nga një automjet, drejtuesi i së cilës u largua menjëherë nga vendngjarja. Për shkak se zona përreth është e pasurvejuar mirë me kamera, identifikimi i tij ka qenë i pamundur.

Si ky drejtues mjeti vepruan edhe 14 të tjerë, që nga fillimi i janarit. Shefi i Sigurisë Rrugore në Policinë e Shtetit, Skënder Ismaili, tha për Report Tv se gjithsesi ky nuk është fenomen, kjo krahasuar me numrin e përgjithshëm të ngjarjeve rrugore.

“Mund të themi që janë raste tepër të izoluara. Është vetëm një rast i pazbardhur i një aksidenti rrugor, i cili është në rrugën e zgjidhjes. Janë grumbulluar fakte rreth ndodhjes së kësaj ngjarje, nga shërbimet e Policisë Rrugore në terren”, tha Ismaili.

Disa të tjerë largohen prej instinktit të frikës, e disa të tjerë sepse mbajnë me vete sende të jashtëligjshme. Por siç tregon Ismaili, shumica e tyre telefonojnë policinë pas disa orësh.

 “Nga investigimi që është bërë, shumica e tyre, si një rezultat i një fenomeni që ndodh çdo personi, tronditje, pas disa orësh kanë telefonuar dhe janë rikthyer në vendin e ngjarjes”, vijon Ismaili.

Bazuar në Kodin Rrugor, një drejtues mjeti që shkakton aksident duhet të qëndrojë në vendin e ngjarjes dhe t’i japë ndihmën e parë të dëmtuarit. Kur nuk e bën këtë, përballet me penalizime.

 “Ka detyrimin ligjor të ndaloj, t’i japë ndihmën e parë personit të dëmtuar. Të rrethoj vendin e ngjarjes dhe të njoftoj policinë. Por edhe detyrimi që ka për të duajtur provat dhe vendin e ngjarjes që të mos ndryshohet nga ai apo personat e tjerë të përfshirë në ngjarje rrugore”, përfundon Ismaili.

Përgjatë tre muajve të parë të vitit 2022 aksidentet rrugore kanë pësuar ulje me 12 viktima më pak, se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Me nisjen e sezonit veror, Policia Rrugore po bën një plan masash me synim minimizimin e ngjarjeve rrugore.

J.GJ./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave