Me dhurata në duar për t'u uruar mirëseardhjen, kryeministri Edi Rama ka vizituar 121 fëmijë, gra e burra nga Afganistani, të strehuar në hotelet në Durrës, pasi mbërritën në vendin tonë në orët e para të mëngjesit të sotëm, duke shpëtuar nga sulmet terroriste në Kabul që kanë sjellë një bilanc tragjik viktimash.

Duke arritur që të shpëtojnë nga kthetrat e rrezikshme të talebanëve, të strehuarit shprehen se ndihen sikur kanë ardhur nga ferri në parajsë. "S'ka qenë e lehtë për të qenë fort të ndershëm duket si një makth nga i cili do të zgjohemi dhe gjërat do të jenë ndryshe. Dhe të vish këtu, duket si të vish nga ferri në parajsë. Doja t’ju falënderoja për mikpritjen, për afganët në përgjithësi dhe grupin tonë në veçanti. Nuk është e lehtë që të strehosh kaq shumë njerëz", tha ajo. Një grua e cila fliste anglisht, e ka prezantuar Ramën me të gjithë afganët e tjerë. Falenderimet për bujarinë e Shqipërisë kanë qenë të pafundme, e ndërsa Rama tha se edhe shqiptarët kanë qenë në një pozitë të tillë vite më parë dhe se e kuptojnë shumë mirë situatën në të cilën ndodhen. "Ju thashë edhe ne kemi qenë në këtë pozitë vite më parë", nënvizoi Rama.

Me lodra në duar, fëmijëve që kanë braktisur vendin e tyre, iu është rikthyer buzëqeshja. Fati deshi që një prej 11 foshnjave ditëlindjen e parë ta festonte në Shqipëri dhe jo në atdheun e tij, ku nga momenti në moment mund të gjendje vdekjen nga shpërthimet e tjera që janë planifikuar nga talebanët për të ndaluar evakuimet. E ëma e fëmijës e cila po e mbante në krahë, e përcolli këtë lajm me shumë gëzim teksa u takua me kryeministrin. Gjatë shpërndarjes së dhuratave dhe prezantimeve, Rama nuk ka kursyer as batutat me fëmijët. Ndërsa ka mësuar për dëshirat e tyre, u ka sugjeruar atyre që të fillojnë të mësojnë shqip. "Tani duhet të fillojmë të mësojmë shqip", tha kryeministri. "Ia dolëm" tha një grua duke kujtuar skenat e frikshme që kishin kaluar për ditë me rradhë,  që kur Afganistani u mor nën pushtetin e talebanëve. Në këtë vizitë, kryeministri ka qenë i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

Kur akrepat shënuan 03:20 të mëngjesit të së premtes, 121 afganët e parë, mes të cilëve 11 foshnja prekën tokën shqiptare për një jetë më të sigurt dhe larg luftës në vendin e tyre. Pas nisjes nga Kabuli, avioni me afganët që u strehuan në Shqipëri, bënë një ndalesë në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi, dhe më pas drejt Rinasit. Me çanta mbi shpina, e fëmijët në duar, fillimisht afganët iu nënshtruan përpunimit të të dhënave individuale, regjistrimit dhe më pas ekzaminimeve mjekësore në çadrat e ngritura në Rinas posaçërisht për ta. Më pas me autobusë të dedikuar u drejtuan në 2 hoteleri në Durrës, ku do të qëndrojnë përkohësisht. Në një prej hoteleve, më konkretisht ‘Belvedere’ janë strehuar 60 afganë, të cilët sipas burimeve janë nëpunës që kanë punuar për fondacionin e George Soros. Ndërsa afganët e tjerë që do të vijnë në ditët në vijim do të strehohen për pak ditë në konviktet e Qytetit Studenti.  Pritja do të jetë për 4000 afganë që është parashikuar që afganët të qëndrojnë në vendin tonë për të paktën 1 vit, por nëse dikush prej tyre do të qëndrojnë përgjithmonë, është i lirë për ta bërë. 

Pjesë nga biseda e Ramës me afganët e strehuar në Durrës:

Gruaja afgane: Faleminderit për bujarinë që keni treguar për grupin tonë, nuk është e lehtë për të strehuar njerëz krejt papritur, por kolegët tuaj po bëjnë të pamundurën

Rama: Kemi qenë në këtë pozitë e dimë se çfarë është

Gruaja afgane: Çdo gjë është në rregull këtu e përsosur. Ia dolëm

Rama: Pa ia dolët. Iu është dashur të kaloni shumë por më në fund...

Gruaja afgane: Ska qenë e lehtë për të qenë fort të ndershëm duket si një makth nga i cili do të zgjohemi dhe gjërat do të jenë ndryshe. Dhe të vish këtu, duket si të vish nga ferri në parajsë. Doja t’ju falënderoja për mikpritjen, për afganët në përgjithësi dhe grupin tonë në veçanti. Nuk është e lehtë që të strehosh kaq shumë njerëz.

Rama: Kemi sjellë disa gjëra për fëmijët, do një top basketbolli (i drejtohet fëmijës)

Gruaja afgane: Ky është bashkëshorti im dhe vajza.

Rama: Spiderman, e do një... ( i drejtohet rama vajzës)

Gruaja afgane: Ky i vogli këtu ka ditëlindjen e parë. Ditëlindja e parë në Shqipëri

Rama: Gëzuar ditëlindjen... Ju sollëm disa gjëra të vogla. (shpërndan lodrat). A ai pëlqen futbollin. (i jep topin një fëmije). Tani duhet të fillojmë të mësojmë shqip (ata qeshin)

Gruaja afgane: Faleminderit kryeministër. Na keni mbështetur shumë dhe ju jemi falënderues

Rama: Ju thashë edhe ne kemi qenë në këtë pozitë vite më parë