Mbërrijnë 121 afganët e parë në Shqipëri, akomodohen në Durrës! Rama: Braktisën tokën e tyre për të shpëtuar jetën! Yuri Kim: Krenarë t'ju quajmë mik e aleat! Xhaçka: Detyrimi ynë të mos i braktisnim

TIRANË-Me fëmijë në duar, të trembur që po shkelin në një vend të huaj duke braktisur të tyrin, por edhe mirënjohës që jeta u dha një mundësi të dytë, pasi në vendin e tyre në Afganistan, do të ishin shënjestër e vrasjeve nga telabanët, mbërriti grupi i parë i afganëve në vendin tonë. Kur akrepat shënuan 03:20 të mëngjesit të së premtes, 121 afganët e parë, mes të cilëve 11 foshnja prekën tokën shqiptare për një jetë më të sigurt dhe larg luftës në vendin e tyre. Pas nisjes nga Kabuli, avioni me afganët që u strehuan në Shqipëri, bënë një ndalesë në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi, dhe më pas drejt Rinasit.

Me çanta mbi shpina, e fëmijët në duar, fillimisht afganët i janë nënshtruar përpunimit të të dhënave individuale, regjistrimit dhe më pas ekzaminimeve mjekësore në çadrat e ngritura në Rinas posaçërisht për ta. Më pas me autobusë të dedikuar i janë drejtuar 2 hotelerive në Durrës, ku do të strehohen dhe qëndrojnë për aq sa është e nevojshme. Në një prej hoteleve, më konkretisht ‘Belvedere’ janë strehuar 60 afganë, të cilët sipas burimeve janë nëpunës që kanë punuar për fondacionin e George Soros. Ndërsa afganët e tjerë që do të vijnë në ditët në vijim do të strehohen për pak ditë në konviktet e Qytetit Studenti.Ata u pritën në aeroport nga ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim dhe ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, që është njëkohësisht edhe drejtuesja e task-forcës që do të merret me menaxhimin dhe koordinimin për akomodimit të afganëve.

Në fjalën e saj gjatë pritjes së afganëve, Xhaçka tha se për 20 vjet ata ishin aleatët tanë dhe se ishte detyrim që të mos i braktisnim në mëshirën e talebanëve. Frika për sulme terroriste, si ajo që ndodhi ditën e djeshme në aeroportin e Kabulit tha Xhaçka ishte shtysa për t'i evakuuar sa më shpejt ata nga Afganistani.  

Edhe kryeministri Rama duke u uruar mirëseardhjen e 121 fëmijëve, grave e burrave nga Afganistani tha se ata janë fatkeqë të cilët braktisën shtëpinë e tokën e tyre, për të shpëtuar jetën dhe se populli shqiptar do u qëndrojë pranë. Ndërsa ambasadorja e SHBA, Yuri Kim tha se Shqipëria i ofroi edhe një herë mikpritje dhe mbrojtje atyre në nevojë më të madhe dhe se është krenare që dy vendet janë mike dhe aleate.

Shqipëria ishte ndër vendet e para që u angazhua për të strehuar qytetarët afganë të cilët po largohen nga vendi i tyre, pasi u kërcënohen nga talebanët. Pritja do të jetë për 4000 afganë që është parashikuar që afganët të qëndrojnë në vendin tonë për të paktën 1 vit, por nëse dikush prej tyre do të qëndrojnë përgjithmonë, është i lirë për ta bërë. 

Refugjatëve do t’u ofrohet menjëherë strehim i përshtatshëm, ushqim, veshmbathje, kushte minimale të higjienës dhe vizita mjekësore.  Qytetarët afganë që do strehohen në vendin tonë kanë punuar gjatë këtyre viteve me SHBA-në dhe NATO dhe duke qenë se do të jenë shënjestra e hakmarrjes talebane, largimi i tyre është parë si emergjente.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:42
Ambasadorja e Suedisë falënderon shqiptarët për mikpritjen e afganëve: Kemi nevojë për njerëz të tillë trima

Ambasadorja e Suedisë në Shqipëri Elsa Hastad, ka falenderuar popullin shqiptar për pritjen e 121 afganëve këtë mëngjes.

Përmes një postimi në Twitter, Hastad bën krahasimin me Roal Wallenberg, i cili shpëtoi mijëra hebre nga holokausti. Ambasadorja shkruan se shqiptarët janë njerëz trima dhe të gjithë kanë nevojë për njerëz të tillë.

“Sot është dita për të nderuar Raol Wallenberg i cili shpëtoi mijëra hebre nga holokausti, Suedia përkujton vlerat morale dhe njerëzore. Ne kemi nevojë për njerëz të tillë trima! Faleminderit Shqipëri që prite refugjatët e parë këtë mëngjes”, shkruan Hastad.

Ora 12:56
Flamuri amerikan gjysmë shtizë në nder të viktimave në Kabul, ‘vajton’ Ambasada në Tiranë: Zemrat tona ndiejnë dhimbje për jetët e heronjve tanë

Sot, flamuri në Ambasadë është i ulur në gjysmë shtizë, teksa vajtojmë amerikanët e ekipit të shërbimit, të cilët humbën jetët e tyre në sulmin e tmerrshëm terrorist në Kabul, ndërsa me vetëmohim përpiqeshin të shpëtonin jetët e të tjerëve.

Të shoqëruar me një foto të flamurit, Ambasada Amerikane në Tiranë përmes rrjetit social Facebook, është shprehur se po vajtojnë edhe për afganët, përfshirë fëmijët e vegjël, të cilët humbën jetën apo u plagosën në këtë sulm mizor.

“Zemrat tona ndiejnë dhimbje për jetët e heronjve tanë, të humbura në shërbim të lirisë dhe në shërbim të Amerikës, dhe për jetët e qytetarëve afganë, të humbura në kërkim të sigurisë dhe një të ardhmeje për të cilën të gjithë kemi të drejtë. Prandaj sot zemrat tona janë të mbushura me hidhërim, por ato janë të mbushura edhe me mirënjohje.”, shkruhet në postim.

Ambasada shkruan edhe lidhur me grupin e parë të afganëve, duke thënë se ata janë më shumë sesa njerëz të evakuuar, por jetë njerëzore të shpëtuara nga mundësia e pasojave tragjike. Ata janë gra, burra dhe fëmijë të cilëve u është ofruar diçka që ne e marrim të mirëqënë, një jetë. Mundësia për të jetuar dhe për të pasur një të ardhme.

“Dhe për këtë, ne si Ambasada Amerikane në Tiranë dhe Shtetet e Bashkuara, jemi mirënjohës për bujarinë dhe mikpritjen e pamasë të Shqipërisë dhe njerëzve të saj. Në kohë të tilla, ne nuk kemi kombësi, fe, ngjyra apo raca. Ne jemi qënie njerëzore që u shtrijmë dorën në ndihmë qënieve njerëzore si ne. Faleminderit Shqipëri!”, shkruhet në fund.

Ora 11:57
VIDEO/Itinerari i afganëve drejt Shqipërisë! Avioni u nis nga Kabuli, u ndal tranzit në Gjeorgji

Report tv ka pasqyruar në mënyrë grafike rrugëtimin e afganëve të parë që kanë mbërritur në vendin tonë. Siç shihet edhe nga grafika, avioni çarter është nisur nga aeroporti i Kabulit në Afganistan dhe është drejtuar fillimisht për në Gjeorgji ku është ulur në kryeqytetin Tbilisi dhe ka kryer një ndalesë tranzit.

Më pas avioni është nisur drejt Tiranës dhe është ulur në aeroportin e Rinasit. Nuk dihet nëse do të ndiqet i njëjti itinerar edhe për mbërritjen e afganëve të tjerë në vendin tonë, Kabul-Tbilisi-Tiranë.

Mëngjesin e sotëm në orën 03:20 mbërritën 121 afganët e parë, të cilët janë akomoduar në 2 hotele në Durrës.

Ora 10:22
VIDEO/ Akomodimi i afganëve në Durrës, larg zhurmës së krismave të armëve dhe frikës së luftës, fëmijët gëzojnë me lojërat në oborrin e hotelit

Larg zhurmës së krismave të armëve dhe frikës së luftës, fëmijët afganë tashmë të sigurt kanë filluar lojën në ambientet e hoteleve që janë akomoduar prej disa orësh në qytetin bregdetar, Durrësin.

Fëmijë, të pashqetësuar kanë dalë në natyrë dhe po luajnë në ambientet e  hotelit. Ata janë të lirë për të gëzuar fëmijërinë e tyre pa frikë se buzëqeshja e tyre e pafajshme 'do ju ngrijë' nga kërcënimet dhe dhuna që mund të të kishin në atdheun e tyre.

Të tjerë me plaçka nëpër duar i drejtohen dhomës së tyre për të gjetur qetësi pas “stuhisë” së përjetuar ditët e fundit. Ata mbërritën në Shqipëri në orët e para të mëngjesit të sotëm me shpresën se lufta është larg tyre dhe jetën tashmë e kanë të sigurt nga kërcënimet e talebanëve.

Ata janë akomoduar në 2 hotele në Durrës, ndërsa forcat e sigurisë kanë rrethuar të gjithë ambientin për të garantuar sigurinë e tyre. Në hotel ka mjekë që do të kujdesen për shëndetin e afganëve, edhe sipas protokolleve për Covid, si dhe psikologë, nisur nga situata e rënduar prej nga ata vijnë.

Ora 09:29
Afganët e parë akomodohen në 2 hotele në Durrës! Siguri e lartë, mjekë e psikologë për afganët

Pas mbërritjes në aeroportin e Rinasit në fluturimin që i largoi nga rreziku për jetën nga talebanët, grupi i parë i afganëve janë akomoduar në dy ambiente hoteliere në qytetin bregdetar të Durrësit. Report Tv ishte këtë mëngjes pranë Hotel “Belvedere”, ku i gjithë ambienti është i rrethuar me forca të shumta të policisë për të garantuar sigurinë e afganëve që do të qëndrojnë përkohësisht në Shqipëri deri në rrugëtimin e tyre, ndoshta të gjatë, drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në këtë hotel janë strehuar 60 afganë, të cilët sipas burimeve janë nëpunës që kanë punuar për fondacionin e George Soros. Siç është theksuar, në hotel ka mjekë që do të kujdesen për shëndetin e afganëve, edhe sipas protokolleve për Covid, si dhe psikologë, nisur nga situata e rënduar prej nga ata vijnë.

 

Ora 07:37
Mbërritja e afganëve, Xhaçka: Ishin për 20 vjet aleatët tanë, e kishim detyrim mos i braktisnim në mëshirën e talibanëve! Jetë të shpëtuara nga tmerri i luftës

 

'Ishin për 20 vjet aleatët tanë, ishte një detyrim,që të mos i braktisnim në mëshirën e talibanëve', kështu u shpreh Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka nga aeroporti i Rinasit, ku priti 121 afganët e parë që mbërritën në vendin tonë.

Xhaçka e cilësoi momentin e mbërritjes së afganëve 'shumë emocionues', ndërsa u shpreh se janë 121 jetë të shpëtuara nga tmerri i luftës. Sipas Xhaçkës, frika për sulme terroriste, si asi që ndodhi ditën e djeshme në aeroportin e Kabulit, ishte shtysa për t'i evakuuar sa më shpejt ata nga Afganistani.

Xhaçka vë edhe njëherë theksin tek tradita shqiptare e mikëpritjes, ndërsa shkruan se nuk ishte rastësi as strehimi i hebrenjve e shqiptarëve të Kosovës.

Ministrja bën me dije se grupi i parë i afganëve do të strehohet në një strukturë hoteliere në Durrës, duke shtuar se afganët e tjerë që do të vijnë në ditët në vijim do të strehohen për pak ditë në konviktet e QS.

Fjala e plotë e Xhaçkës:

Është vërtet një moment shumë emocionues. Këto kanë qenë ditë shumë intensive, me shumë punë për të koordinuar një operacion humanitar në një kohë rekord. Por mbi të gjitha kanë qenë ditë shumë të vështira, me shumë shqetësim për fatin e qytetarëve afganë që presim sot sepse situata e sigurisë në Kabul është përkeqësuar shumë.  Fatkeqësisht, sulmet e tmerrshme që ndodhën sot, humbja tragjike e jetës e mbi 60 qytetarëve dhe trupave të partnerëve tanë amerikanë, ishte prova e asaj që na shqetësonte ne, që shqetësonte të gjithë partnerët. Ishte pikërisht frika nga sulme të tilla, që na ka shtyrë të bëjmë maksimumin që këta qytetarë të vinin sa më shpejt në Shqipëri, ku janë larg rrezikut e larg frikës për jetën. Ditë pas dite, na është dashur të përballemi me shtyrje, vështirësi të reja, pengesa të reja si pasojë e situatës së sigurisë. Prandaj sot jam aq e lehtësuar që më në fund avioni i parë arriti të ulet duke sjellë këtu një kontigjent të parë afganësh, burra, gra, fëmijë. Është vërtet një moment emocionues sepse çdo burrë, çdo grua, çdo fëmijë që shihni këtu sot, është një jetë e shpëtuar nga tmerri i luftës dhe i një regjimi që i sheh si armiq për t’u vrarë, për t’u persekutuar.

Unë ndihem vërtet krenare sot, dhe çdo qytetar shqiptar duhet të ndihet vërtet krenar sot, që edhe njëherë, ashtu siç kemi bërë në kushedi sa raste në historinë tonë, shqiptarët po tregojnë atë që është shpirti i vërtet i këtij populli, solidaritetin, mikpritjen, bujarinë. Dhe kur sheh një shfaqje të tillë solidariteti, kur sheh sesi Shqipëria që nuk është një vend i pasur, që nuk është një vend me mundësi të mëdha materiale apo logjistike, e kupton që nuk është një rastësi që pikërisht në Shqipëri pati më shumë hebrenj pas lufte sesa para lufte, apo që shqiptarët pavarësisht kushteve ekonomike vetëm 2 vjet pas vitit të mbrapshtë 1997, arritën të strehonin gjysmë milioni vëllezër e motra kosovare që ishin detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre si pasojë e luftës e krimeve të një tjetër regjimi terrorist e vrastar.  Por këtu nuk bëhet fjalë vetëm për mikpritjen dhe besën tradicionale të shqiptarëve, këtu bëhet fjalë edhe për një detyrim moral. Sepse këta afganë, pedagogë, artistë, intelektualë, aktivistë të shoqërisë civile, të drejtave të njeriut apo të grave, ishin për 20 vjet aleatët tanë, aleatët e NATO, besuan tek vizioni i një Afganistani modern e rrezikuan gjithçka për të punuar bashkë me ne për ta bërë realitet atë vizion. Prandaj, ishte një detyrim, që këta aleatë të mos i braktisnim në mëshirën e talibanëve, por të bënim çfarë mundëshim për t’ju dhënë mundësinë të largohen nga rreziku qe u kanosej në vendin e tyre.

Shqipëria ka pranuar të strehojë rreth 4000 afganë përkohësisht, teksa përpunohen aplikimet e tyre për të emigruar për në Shtetet e Bashkuara. Kemi bërë gjithçka, që t’i mirëpresim e t’u ofrojmë kushte sa më të mira e sa më dinjitoze jetese. Grupi që ka zbritur sot, që është grupi i parë, do të strehohet në një strukturë hoteliere në Durrës. Ndërkohë që teksa presim që të kalojë piku i sezonit e të çlirohen kapacitetet e strukturave hoteliere për pjesën tjetër, afganët e tjerë që do të vijnë në ditët në vijim do të strehohen për pak ditë në konviktet e QS. Ne kemi marrë masa për gjithçka, për përpunimin e dokumentacionit e regjistrimin, për kontrollet e kujdesin shëndetësor, për paketat higjienike, për ushqimin, transportin e padyshim edhe sigurinë.

 Dhe sot, dua t’ju bëj një falënderim të gjithë strukturave të shtetit që janë duke bashkëpunuar për të bërë të mundur këtë operacion, sepse bashkëpunimi ka qenë vërtet i shkëlqyer dhe ia kemi dalë të organizohemi vërtet në mënyrë shumë efikase pavarësisht kohës së shkurtër, mundësive të kufizuara dhe përmasave sfiduese të këtij operacioni.

Ora 07:14
Mbërritja e afganëve, Rama poston video nga momenti i mbërritjes në Rinas: Fëmijë, gra e burra që braktisën tokën e tyre, për të shpëtuar jetën

 

Me pamjet nga aeroporti i Rinasit, kryeministri Edi Rama i ka uruar mirëseardhjen 121 afganëve të parë që mbërritën në vendin tonë rreth orës 03:20 të mëngjesit. M enjë postim në Twitter, Rama vë theksin edhe njëherë te tradita e mikëpritjes shqiptare. Rama shkruan se 121 fëmijët, gratë e burrat nga Afganistani që mbërritën mbrëmë, janë fatkeqë të cilët braktisën shtëpinë e tokën e tyre, për të shpëtuar jetën.

"Mirëmëngjes pa u gdhirë dhe me këtë episod live mikpritjeje shqiptare, që na kujton kush ishim dikur e na bën nder si vend e si popull, që krenohemi me traditën jo veç me fjalë, ju uroj një ditë të mbarë të gjithëve, duke i uruar së bashku me të gjithë ju mirëseadhjen, në tokën ku ligji i të parëve thotë se shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut, edhe 121 fëmijëve, grave e burrave nga Afganistani fatkeq, të cilët braktisën shtëpinë e tokën e tyre, për të shpëtuar jetën", shkruan Rama.

Ora 06:58
Mbërritja e 121 afganëve në Shqipëri, Yuri Kim: Siç ka bërë gjithmonë, Shqipëria i ofroi mbrojtje atyre në nevojë, krenarë t'ju quajmë mik dhe aleat

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, e cila ishte e pranishme në aeroportin e Rinasit në orë e para të mëngjesit të sotëm, për të pritur grupin e parë me 121 afganë që mbërritën në vend, ka falënderuar Shqipërinë për vendimin për t'i strehuar ata.

Me një postim në Twitter, Kim shkruan se Shqipëria i ofroi edhe një herë mikpritje dhe mbrojtje atyre në nevojë më të madhe. "Jemi krenarë t'ju quajmë një mik dhe aleat", shprehet mes të tjerash Yuri Kim.

"Ministrja Olta Xhaçka dhe unë mirëpritëm grupin e parë të afganëve që kërkonin strehim të përkohshëm në Shqipëri. Siç kanë bërë gjithmonë, populli i Shqipërisë edhe një herë u ofron mikpritje dhe mbrojtje atyre në nevojë më të madhe. Ne jemi krenarë t'ju quajmë një mik dhe aleat. Faleminderit", shkruam Yuri Kim në Twitter.

Ora 02:12
Ardhja e afganëve, Xhaçka dhe përfaqësues të ambasadës amerikane mbërrijnë në Rinas për t'i pritur

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka dhe përfaqësues të ambasadës amerikane në Tiranë mbërrijnë në Rinas për të pritur grupin e parë të afganëve që pritet të mbërrijnë në vendin tonë.

/J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 27/08/2021 23:39

    Menyra si perfundoi kjo lufte dhe renien e Afganistanit ne duart e talebaneve nuk e parashikoi dhe nuk e deshi askush dhe askujt nuk i pelqejne pasojat;askush nuk deshiron te detyrohet te lere vendin e vet e t'ju zere deren te tjereve,askush nuk deshiron te perballet papritur, me nje krize humanitare te ketyre permasave,askush nuk deshiron qe t'i lutet tjetrit per ndihme per raste te tilla.Kur amerikanet na falenderojne per pritjen e afganeve,i kuptojme,po ashtu i kuptojme dhe afganet,por e shoh gati hipokrite deklaraten e ambasadores suedeze te mbushur me falenderime e komplimente.Perse na falenderon, perse te duhen trimat shqiptare ne keto momente?Per te pritur afganet?Per t'i hequr nje pjese te presionit afgan,vendeve si Suedia me shoke? Sa afgane do te pranoje Suedia,etj ? Jam e sigurte qe sa U.S.A, nuk do prese.Nuk ka per te pritur as sa Kanadaja,GB,apo Katari,sa Shqiperia jo e jo,keshtu qe komplimentet,falenderimet,apo kujtimet me hebrejte mbajini per vete.

    Përgjigju
  • Politikani: 27/08/2021 10:52

    Te jesh politikan duhet me te vertet te kesh cilesi te rralla. Ne kemi te pakten 30 vjet e fundit duke ike nga Shqiperia prej ketyre politikaneve, dhe po keta po na qajne hallin e afganeve se kane ike nga vendi i tyre.

    Përgjigju
    • Arbëri: 27/08/2021 13:49

      Një gjë është brengosëse, qfar është duke u fshehur pas kësaj ”maskerade” të km ? Shpresojë që të mos del ”termer” që do e përfshijë tërë vendin e sidomos Kosovën ! Unë jam pozitiv që të ndihmojë njerëz në nevojë patjeter, por i njejti km ka ra në përqafim të fashistëve serb që na masskruan dhe dhe dëbuan shqipëtarët në Kosovë!!!

  • Ladi: 27/08/2021 10:35

    Detyrim? Jo jo asnje detyrim ndaj tyre nuk kemi, na i kurse propaganden.

    Përgjigju
  • Ehhh o popull: 26/08/2021 19:36

    Na rrofte qe kemi lene lesht me pagesat ne hotele per sezonin e plazhit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë