122 familje në Bubq kanë marrë çelësat e shtëpive të tyre të reja nga procesi i rindërtimit. Ishte kryeministri Edi Rama i cili u dorëzoi çelësat banorëve të Bubqit, një nga fshatrat më të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Rama tha se ky fshat tashmë është kthyer edhe më i bukur dhe modern me shtëpi të reja më të forta se para tërmetit, ku familjet do kalojnë festën e fundvitit.

Duke e konsideruar rindërtimin një program të suksesshëm, pa zbuluar shumë detaje kryeministri Rama tha se po punohet për reformën kombëtare të strehimit, ku do fitojnë shtëpi ata që nuk kanë mundësi ta blejnë.

“Po përgatitemi për një reformë për strehimin. Ne duam që këtë dekadë të bëjmë me shtëpi edhe shumë familje të tjera të cilat nuk kanë mundësi për 1001 arsye nuk kanë mundësi ta blejnë me të ardhurat e tyre, do ju japim mundësinë edhe shumë qytetarëve të tjerë pavarësisht bindjeve të kenë një strehë për familjet e tyre”, tha Rama.

Rama nuk kurseu batutat dhe as thumbat për PD dhe të gjithë luftën që po ndodh brenda saj ku tha se "sëmundja e bravave që i ka zënë demokratët nuk është problem i qeverisë", ndërsa u ka bërë thirrje demokratëve se nëse kanë probleme me bravat të bashkohen me socialistët.

"Me shkollën e re një ndër 19 shkollat që janë ndërtuar dhe po ndërtohen të reja nga e para në bashkinë e Krujës, me ambiente kulturore për fëmijët dhe me hapësira që unë uroj dhe ju nxis që ti ktheni në hapësira të bukura dhe të gjelbëruara, pasi banesat nuk kanë vetëm kubaturën e mureve por edhe oborr. Nëse kujdeseni si duhet të gjitha këto oborre të gjelbëruar do e bëjë edhe më të bukur se kjo që shohim sot. Sigurisht që nuk ka qenë e lehtë, është dashur kohë dhe mes nesh sot dhe në momentin ku ra ajo fatkeqësi, hyri në mes pandemia që na detyroi të ngujohemi si kurrë më parë në shtëpitë tona. bllokoi shumë kompani dhe krijoi vonesë për mbylljen e këtij procesi. Ky proces nuk ngarkon familjes me asnjë qindarke për kredi sado te bute, por janë 100 % falas me titull pronësie në hipotekë ku secili mund të bëjë ç'të dojë. Vetëm kujdes bravat, ruhuni nga ndërrimi dhe bllokimi i bravave dhe nga çelësat. ky nuk është një program për socialistët por për shqiptarë që iu gjendëm pranë në një moment fatkeqësie. Për sa na takon të gjitha bravat janë të sigurta. megjithatë jam i sigurt se komshinjtë socialistë do i ndihmojnë fqinjët demokratë nëse u bllokohen bravat.Kushdo që nuk do të ketë problem me bravat lë të bëhet socialist", tha Rama.

Shpërndarja e banesave të rindërtuara kanë nisur gjatë javës së fundit ku banorët do të kalojnë natën e Virit të ri në shtëpitë e tyre te reja. Ditë më parë u dorëzuan çelësat e shtëpive edhe 500 familjeve të Laç, 153 familjeve në Kavajë dhe 97 familje në Lezhë. Qeveria ka theksuar se i gjithë procesi do të përfundojë në pranverë të vitit 2022.