DURRES- Në kujtim të 125-vjetorit të ndarjes nga jeta të rilindasit të madh Naim Frashëri, në Kullën Veneciane të Durrësit u organizua një mbrëmje letraro-muzikore me aktore te njohur te skenes dhe ekranit.

Aktorët e Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, së bashku me artistët e njohur të skenës dhe ekranit, Yllka Mujo dhe Ndriçim Xhepa, sollën për publikun interpretime të ndjera të disa prej poezive më të njohura të Naim Frashërit.

Naim Frashëri mbetet një ndër figurat më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare, dhe përkujtimi i përvjetorit të ndarjes së tij nga jeta përbën një nderim të merituar për veprën dhe idealin e tij patriotik.  Ne kete mbrëmjeje u prezantua edhe një skicë artistike e rilindasit të madh, realizuar nga Alketa Tragaj.

Naim Frashëri, i lindur në vitin 1846 në Frashër të Përmetit dhe i ndarë nga jeta më 20 tetor 1900, mbetet një prej figurave më të ndritura të kombit shqiptar. Veprat e tij, si “Bagëti e bujqësi”, “Historia e Skënderbeut” e të tjera, janë trashëgimia shpirtërore dhe atdhetare që ai i la brezave, duke e përjetësuar si poetin kombëtar të shqiptarëve.