14 ekipe e kanë siguruar tashmë fazën e 1/8 të Champions dhe janë gati për të pritur shortin e së hënës. Mbeten vetëm 2 ekipe emrat e të cilave do të mësohen nga ndeshjet e ditës së sotme. Vazo e parë tashmë është përcaktuar dhe janë emra “Big” ekipet favorite. Në vazon e parë janë PSG, Bayern Mynih, Juventus, Manchester City, Liverpool, Barcelona, Lajpcig dhe Valencia.
Priten superpërballje që në 1/8 pasi në vazon e dytë janë skuadrat e mëdha si Real Madrid, Napoli, Dortmund, Chelsea apo edhe Tottenham e Lyon. Interi mbeti jashtë Championsit ndërsa më tej kaloi Dortmundi.
Mes 16 më të mirave ka kaluar Borussia Dortmund që shfrytëzoi dhuratën e Barcelonës. Gjermanët me vështirësi mposhtën 2-1 Slavian e Pragës dhe kalojnë si e dyta e grupit F.
Kampionët në fuqi të Liverpool likujduan Salzburg në ndeshjen e fundit në grup dhe kualifikohen si e para në grup. The Reds fituan 2-0 në Austri falë golave të shënuar në pjesën e dytë nga Keita dhe Salah ndërsa Salzburg vijon në Europa League.
Kualifikimi nuk e shpëtoi Carlo Ancelottin. Trajneri u shkarkua nga drejtimi i Napolit mbrëmjen që fitoi 4-0 ndaj Genk në “San Paolo” dhe siguroi 1/8. Protagonisti i mbrëmjes ishte sulmuesi Milik me tre gola.
Mes 14 ekipeve të kualifikuara janë edhe Lajpcig dhe Olimpique Lyon që e mbyllën respektivisht në vend të parë dhe të dytë grupin G. Francezët barazuan 2-2 me Lajpcig dhe në frymën e fundit kalojnë më tej. Benfica mposhti 3-0 Zenitin dhe vijon në Europë.
Nga kryesues i grupit H Ajax eliminohet nga Champions. Valencia i mposhti 1-0 holandezët në Amsterdam dhe kualifikohet si e para e grupit. Skuadra tjetër e kualifikuar është Chelsea që mposhti 2-1 Lille në Londër./ Përgatiti Andi Kapxhiu