TIRANE- Festimet e Ditës së Verës, e cila simbolizon ardhjen e pranverës janë zhvilluar edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

KORCE, ZJARRET E DITES SE VERES “NDEZIN” QYTETIN
Ashtu si çdo vit qytetarët e Korçës kanë festuar mbrëmjen e 13 marsit deri në orët e para të datës 14 mars Ditën e Verës, një festë kjo tradicionale. Festimet për këtë ditë kanë nisur që prej natës së mbrëmshme duke ndezur zjarre që më pas janë kapërcyer nga të rritur dhe fëmijë si pjesë e një rituali që simbolizon largimin e së keqes. Festës nuk i kanë munguar simbolikat e saj, gatimet tradicionale, si kulaçi dhe petaniku, por dhe veroret, të cilat gjithashtu vendosen për të sjellë mbarësi gjatë gjithë vitit.

 NË VLORË, QYTETARËT ZGJEDHIN SHËTITJEN BUZË DETIT
Plazhet dhe shëtitoret e qytetit kanë qenë sot destinacioni i preferuar i qytetarëve, që këtë të premte të fillimverës e kanë shijuar buzë detit. Moti i favorshëm, i ngrohtë dhe deti i qetë kanë qenë ftesa më origjinale për fëmijët, prindërit e tyre dhe moshat e treta.
 
Ka patur edhe nga ata që kanë sfiduar moshën, pasi edhe pse herët kanë guxuar të provojnë zhytjen e parë për këtë vit.
 
Të shumtë në numër kanë qenë qytetarët e Vlorës që kanë tejmbushur zonën e Skelës dhe Ujit të Ftohtë, duke ja dedikuar këtë ditë tërësisht natyrës.
 
Trafiku i rënduar ka qenë një tregues për dyndjen e qytetarëve drejt bregdetit jo vetëm të Vlorës, por edhe Radhimës, Orikumit, Llogarasë, Dhërmiut dhe Himarës, në këtë fundjavë të pare të verës në qytetin bregdetar.
 
Baret dhe lokalet kanë qenë të tejmbushur në këtë ditë ku i vetmi aktivitet i organizuar ka qenë ai i Qendrës Kulturore të Fëmijëve me një performancë në pedonalen e Skelës.

GJIROKASTER
Në Gjirokastër qytetarët kanë preferuar ta festojnë ditën e verës në parkun natyror të Viroit. Dhjetëra qytetar kanë kaluar disa orë ndryshe në natyrë, duke shijuar edhe temperatuart e favorshme.

gjirokaster dita e veres
(Foto: Festimet për ditën e Verës në Gjirokastër) Foto të tjera

​Dita e Verës kremtohet më 14 Mars sipas kalendarit Gregorian, dita e parë e verës është 14 Marsi, e trashëguar nga banorët e Elbasanit. Kjo ditë është një festë mbarëshqiptare, që kremtohet si në veri edhe në jug, por me nuanca të ndryshme, sipas krahinave.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)