Avokati Idajet Beqiri thotë se 14 shtatori 1998 nuk ishte një ngjarje spontane, por një kryengritje e armatosur që sipas tij po përgatitej prej kohësh nga njerëz të lidhur me PD-në. Në Repolitix në Report Tv, ai tha se sinjalet ishin dhënë që pas humbjes së pushtetit nga demokratët në vitin 1997, me sulmet ndaj institucioneve në Shkodër.
“Jam dakord me konkluzionin se ajo ishte e përgatitur. Kjo kryengritje e armatosur kishte kohë që po përgatitej. Dhe nuk ishte vetëm problemi i 14 shtatorit. Pasi socialistët morën pushtetin në vitin 1997, pas zgjedhjeve të qershorit, u dhanë shenjat. Pati sulme, pati kryengritje të armatosura të pjesshme, si ajo e Shkodrës. U mor komisariati, u dogjën disa institucione, deri edhe biblioteka, dhe u mor prefektura.
Pra, sinjalet ishin dhënë. Ishin rreth 300 persona të armatosur, një lloj detashmenti që, sipas meje, përdorej nga Berisha.
Në atë periudhë u bë edhe një marrëveshje mes Berishës dhe Bujar Bukoshit. Bukoshi mori përsipër ta ndihmonte. Ai ishte kryeministër i Kosovës në ekzil dhe dispononte fonde të rëndësishme nga 3%-shi që mblidhej nga diaspora. Ahmet Krasniqi ishte ministër i Bukoshit dhe pjesë e FARK-ut, ndërsa ata ishin në përplasje të fortë me UÇK-në.
Nga ana tjetër, arrestimi i gjashtë ish-zyrtarëve të lartë të PD-së, mes tyre Safet Zhulali, ishte një pikëpyetje e madhe. Sipas meje, ai arrestim ka qenë një akt i shëmtuar i Arben Rakipit. Minimumi, kur një Prokuror i Përgjithshëm ndërmerr arrestimin e gjashtë ish-zyrtarëve të këtij niveli, çështja kërkon një përgjegjësi dhe trajtim tjetër", tha Idajet Beqiri.
Lajmi kryesor:
14 shtatori ’98/ Petro Koçi: Grusht shteti i përgatitur nga PD për të marrë pushtetin me forcë, vrasja e Hajdarit vetëm pretekst








