Ish-deputeti Petro Koçi e cilësoi 14 shtatorin 1998 një grusht shteti të dështuar, të përgatitur dhe organizuar nga PD për marrjen e pushtetit me forcë. Në Repolitix në Report Tv, Koçi tha se kapja e institucioneve kishte tiparet e një grushti klasik shteti, ndërsa sipas tij ndërhyrja e SHBA-së dhe faktorit ndërkombëtar pengoi realizimin e tij. Sipas tij, vrasja e Azem Hajdarit ishte vetëm pretekst.
"Ka qenë grusht shteti i dështuar. Ka qenë grusht shteti, ka qenë pak atipik, se zakonisht grushtet e shteti janë më ushtri, por rrëmbimi, kapja e institucioneve, shpallja e kapjes së institucioneve, janë tipare të një grushti klasik shteti. Është grusht shteti i dështuar, sidomos për shkak të ndërhyrjes së qartë të SHBA dhe të gjithë faktorit ndërkombëtar. Ka qenë ngjarje e përgatitur dhe organizim për të marrë pushtetin me forcë. Vijimësia e sjelljes politike të pd, është pikërisht si e 14 shtatorit, po të shohësh sjelljen e saj politike sidomos kur ka qenë në opozitë, janë të njëjtat ngjarje", thotë Koci.
Lajmi në përditësim...
Avokati Idajet Beqiri, i cili ka bërë një kallëzim penal ndaj disa personave, përfshi edhe kryedemokratin Sali Berisha, për hetimin e grushtit të shtetit të 14 shtatorit 1998, ka rrëfyer mbrëmjen e sotme në emisionin Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, arsyet që çuan në pushimin e çështjes.
Beqiri tha se Prokuroria e kohës e çoi çështjen në gjykatë për kryengritje të armatosur, por sipas tij ishin gjykatësit e vendosur nga Sali Berisha, mes të cilëve përmendi edhe Gjin Gjonin, që e sfumuan çështjen.
“Kur ka situate të tilla, ti të paktën duhet ta hetosh çështjen dhe hetimin duhet ta çosh deri në fund. A ka kryengritje të armatosur, apo nuk ka kryengritje të armatosur. Prokuroria e kohës e çoi çështjen në Gjykatë për kryengritje të armatosur, neni 221 që parashikon edhe dënimin e përjetshëm. Por gjykata e katandisi kokoshin një thelë. Edhe u zgjodhën gjyqtarët dhe e parcializuan çështjen. E gjithë kjo organizatë që bëri kryengritjen e armatosur, grupi i zjarrit ku ishte Izet Haxhia, Sali Lusha, sëbashku me një agjent të shërbimit serb dhe të tjerë, këta iu dhanë gjyqtarit Gjin Gjoni. Këta pastaj e katandisën çështjen një thelë”, tha mes të tjerash avokati Idajet Beqiri.
Idajet Beqiri rrëfeu në Repolitix se gjatë kryengritjes së armatosur më 14 shtator 1998 ndodhej në Kryesinë e Kuvendit bashkë me ministra dhe zyrtarë të tjerë, kur godina u qëllua me armë dhe plumbat thyen xhamat. Duke komentuar deklaratat e Fatos Klosit gjatë dokumentarit në transmetuar nga Report Tv, gjatë të cilit ish-kreu i SHIK deklaroi se ndërkombëtaret kërkuan që të sulmohej selia e PD, Beqiri thotë se kjo është kërkuar nga shërbimi italian i asaj kohe.
“Më 10 shtator mua më emëruan zëvendësministër të Brendshëm. Vendimin ma komunikoi Fatmir Xhafaj, që ishte sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Pra, katër ditë para se të ndodhte grushti i shtetit. Nuk kisha shkuar ende në detyrë, sepse ministri do të më prezantonte ditën e hënë. Ndërkohë u vra Azem Hajdari. Më 14 shtator ne u grumbulluam te Kryesia e Kuvendit, te Skënder Gjinushi. Aty ishim me Gramoz Ruçin, ministra dhe zyrtarë të tjerë. Që në mëngjes ishim aty dhe nga dritaret ndiqnim çfarë po ndodhte poshtë. Edhe Kuvendi u sulmua me armë. U qëllua për të vrarë, sepse godina u mbush me plumba. Plumbat erdhën deri aty ku ishim ne dhe u thyen xhamat.
Ishte kryengritje e armatosur, jam i bindur për këtë. Është e vërtetë që në atë kohë kisha komunikime shumë të mira me Fatos Klosin. Ata që përmend Fatosi, nga NATO-ja, ishin nga shërbimi italian. Sugjerimi ishte: ‘Arrestojeni menjëherë’. Por nuk veproi njeri. Edhe sepse nuk ishte kryeministri, por edhe sepse do të kishte të vrarë. Nuk mund të shkoje t’i arrestoje ata aty pa pasur një përballje të armatosur. Ata do të reagonin me armë. Situata përfundoi vonë në mbrëmje. Pasi erdhi telefonata, ata u larguan dhe u zhdukën. Më pas nuk kishte më atë rezistencë të armatosur”, thotë Idajet Beqiri në Repolitix.
Avokati Idajet Beqiri thotë se 14 shtatori 1998 nuk ishte një ngjarje spontane, por një kryengritje e armatosur që sipas tij po përgatitej prej kohësh nga njerëz të lidhur me PD-në. Në Repolitix në Report Tv, ai tha se sinjalet ishin dhënë që pas humbjes së pushtetit nga demokratët në vitin 1997, me sulmet ndaj institucioneve në Shkodër.
“Jam dakord me konkluzionin se ajo ishte e përgatitur. Kjo kryengritje e armatosur kishte kohë që po përgatitej. Dhe nuk ishte vetëm problemi i 14 shtatorit. Pasi socialistët morën pushtetin në vitin 1997, pas zgjedhjeve të qershorit, u dhanë shenjat. Pati sulme, pati kryengritje të armatosura të pjesshme, si ajo e Shkodrës. U mor komisariati, u dogjën disa institucione, deri edhe biblioteka, dhe u mor prefektura.
Pra, sinjalet ishin dhënë. Ishin rreth 300 persona të armatosur, një lloj detashmenti që, sipas meje, përdorej nga Berisha.
Në atë periudhë u bë edhe një marrëveshje mes Berishës dhe Bujar Bukoshit. Bukoshi mori përsipër ta ndihmonte. Ai ishte kryeministër i Kosovës në ekzil dhe dispononte fonde të rëndësishme nga 3%-shi që mblidhej nga diaspora. Ahmet Krasniqi ishte ministër i Bukoshit dhe pjesë e FARK-ut, ndërsa ata ishin në përplasje të fortë me UÇK-në.
Nga ana tjetër, arrestimi i gjashtë ish-zyrtarëve të lartë të PD-së, mes tyre Safet Zhulali, ishte një pikëpyetje e madhe. Sipas meje, ai arrestim ka qenë një akt i shëmtuar i Arben Rakipit. Minimumi, kur një Prokuror i Përgjithshëm ndërmerr arrestimin e gjashtë ish-zyrtarëve të këtij niveli, çështja kërkon një përgjegjësi dhe trajtim tjetër", tha Idajet Beqiri.
Rezart Kthupi thotë se për grushtin e shtetit të 14 shtatorit 1998 mungoi qëllimisht vullneti politik për një hetim të plotë, pasi sipas tij asnjë prej aktorëve politikë nuk kishte interes që e vërteta të zbardhej. Në Repolitix në Report Tv, Kthupi tha se klima për një revoltë ishte krijuar më herët dhe se vrasja e Azem Hajdarit shërbeu si shkëndijë.
“Kishte vullnet politik për të mos e hetuar. Askush nga aktorët nuk kishte interes që e vërteta të zbardhej. PS-së në atë kohë i interesonte një kundërshtar si Berisha. Faktet provuan se në momentin që Berisha u kthye në pushtet, nuk kishte më kuptim hetimi i çështjes. Problemi ishte zgjidhur me votë politike.
Para se të lexojmë ’98-n, duhet të kthehemi te ’97-a. Ata pretendonin se pushteti ishte marrë me dhunë dhe rimarrja e pushtetit me dhunë ishte një lloj barazimi me atë që, sipas tyre, kishte ndodhur një vit më parë. Ajo që përgatiste ‘Rilindja Demokratike’ ishte tema e një revolucioni. Nëse nuk do të ishte vrasja e Hajdarit, diçka tjetër do të ishte shkëndija. Fakti që njerëzit kanë shkuar të armatosur në varrim tregon se ekzistonte fryma për ta bërë grushtin e shtetit", tha Kthupi.
Analisti Endri Tafani thotë se pamjet e kryengritjës së armatosur të 14 shtatorit 1998 dëshmojnë se pas ngjarjeve kishte organizim, duke theksuar praninë e antitankëve gjatë varrimit të Azem Hajdarit dhe sulmet ndaj komisariateve në rrethe. Në Repolitix në Report Tv, Tafani tha se çështja nuk u zbardh deri në fund për mungesë vullneti nga një grup prokurorësh.
“Ka pasur një organizim dhe kjo vërtetohet edhe nga pamjet. Kush është ai që shkon me antitank në një varrim? Kjo nënkupton se je për një sulm të drejtpërdrejtë. Kemi edhe sulme ndaj komisariateve në rrethe. Shqipëria në atë kohë ishte në një periudhë shumë të vështirë. Një javë më parë ishte vrarë edhe Ahmet Krasniqi. Pra, situata ishte e ndezur, diçka vlonte, por se sa ka qenë ndikimi i faktorëve të brendshëm apo të jashtëm në provokimin e ngjarjeve të tilla, mbetet për t’u parë. Edhe vrasja e Ahmet Krasniqit ende nuk është zbardhur. Ka qenë një grup prokurorësh që nuk kanë dashur t’i shkojnë deri në fund ngjarjes. Është çështje vullnett", thotë ai.








Komente
Komento