140 pemë në përkujtim të policit të vrarë, Veliaj: Pistë biçikletash dhe vrapimi te Liqeni

140 pemë në përkujtim të policit të vrarë, Veliaj: Pistë biçikletash dhe vrapimi te Liqeni

Njëzetë vjet më parë, efektivi i RENEA-s, Elham Elezi humbi jetën në krye të detyrës në moshën 29 vjeçare. Sot, në kujtim të tij, por edhe të të gjithë efektivëve të policisë së shtetit, të cilët kanë sakrifikuar jetën për sigurinë e qytetarëve, mbollën 140 pemë të reja në pjesën jugore të Parkut të Liqenit Artificial; pemë të cilat u dhuruan nga vetë punonjësit e policisë dhe Banka Kombëtare Tregtare (BKT).

Në mbjelljen e fidanëve të rinj, së bashku me ish-kolegë dhe familjarë të efektit të RENEA-s, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se sot detyra e çdo qytetari është të përkujdeset për qytetin ku punon dhe jeton. “I falenderoj shumë miqtë dhe familjen e dëshmorit të policisë, Elham Elezi. Në një moshë shumë të re dhe në vite shumë të vështira për Shqipërinë, ai dha jetën për vendin. Sot, teksa flasim për patriotizëm, unë besoj se mënyra se si familja e tij dhe miqtë e tij e përkujtojnë atë është një formë tjetër patriotizmi; sot është e nevojshme ta duam qytetin, ta mbajmë pastër dhe të përkujtojmë të dashurit tanë, me një stol, me një pemë”, tha Veliaj.

Babai i Elham Elezit, efektivit të RENEA-s që ra në krye të detyrës në Tiranë, i falenderoi mes emocioneve punonjësit e policisë që kontribuan për përkujtimin e të birit dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për sigurinë e qytetarëve, me mbjelljen e pemëve në Parkun e Liqenit.

Nismës së Bashkisë së Tiranës për shtimin e gjelbërimit në kryeqytet i janë bashkuar me qindra qytetarë dhe biznese, të cilët kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm. Falë kësaj nisme u transformua e gjithë pjesa jugore e Parkut të Liqenit Artificial, i cili nga një vendgrumbullim mbetjesh, është kthyer në një hyrje dinjitoze në park, me më shumë pemë dhe me pistë biçikletash. “Shumë njerëz as nuk e dinin që ekzistonte kjo pjesë e parkut sepse e kishin zaptuar me ndërtime pa leje, 27 vite rrumpallë. Por, më në fund, jo vetëm është çliruar, por siç e shihni, jemi në mes të një kantieri ku po shtrohen pistat për këmbësorët, çiklistët, për ata që duan të vrapojnë e të merren me atletikë. Po ‘qëndiset’ i gjithë bregu jugor dhe shtigjet e liqenit me pemë të dhuruara nga qytetarët që i janë bashkuar këtij aksioni”, tha Veliaj.

Aksioni për mbjelljen e pemëve të reja do të vijojë gjer më 22 prill, që përkon me Ditën e Tokës. Duke vlerësuar angazhimin e qytetarëve në këtë nismë, kryebashkiaku Veliaj shtoi se detyra numër një e çdo banori të Tiranës është të jetë së pari, qytetar, dhe më pas profesionist i mirë. “Kartolinë më të bukur për Ditën e Tokës nuk ka, duke dhuruar gjelbërim. Sot jam jashtëzakonisht i lumtur se kam fatin të drejtoj dhe të shërbej në qytetin më solidar që ka Shqipëria, ku njerëzit pavarësisht profileve të tyre, pavarësisht profesioneve, ngarkesës ditore, ndonjëherë stresit, gjithmonë gjejnë kohë për të qenë qytetarë. Më vjen mirë që nga fëmijët e vegjël në çerdhe, kopshte, shkolla, e deri tek ata që janë në pension apo që janë në shtëpitë e të moshuarve, kanë treguar solidaritet dhe jemi sjellë si një familje e madhe”, u shpreh ai.

Në kuadër të përgjegjësisë sociale, përkujdesjes ndaj ambientit dhe komunitetit, pjesë e realizimit të këtij projekti u bë edhe Banka Kombëtare Tregtare.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja