145-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Begaj: Nuk duhet ta harrojmë të shkuarën, të përçojmë te brezi i ri vlerat e atdhedashurisë

145-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Begaj: Nuk duhet ta harrojmë të shkuarën, të përçojmë te brezi i ri vlerat e atdhedashurisë

Presidenti Bajram Begaj ka marrë pjesë në ceremoninë e nderimit të 145-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në fjalën e tij, presidenti Begaj tha se edhe ky 145 vjetor i gjeti shqiptarët sërish së bashku, ndërsa tha se sot nderohen me krenari veprimtaria e lavdishme e atyre që ëndërruan dhe punuan për kombin tonë shqiptar.

Begaj tha se e ardhmja e kombit do të jetë më e begatë nëse ne luftojmë ndasitë dhe përçarjet mes vetes tonë, -nëse nuk harrojmë te shkuarën dhe nëse përçojmë te brezi i ri vlerat e atdhedashurisë dhe miqësisë,

"Historia e kombit tonë të lashtë është e pasur me momente, të cilat na mbushin me krenari, për atë çka ne shqiptarët jemi dhe vlerat që ne përfaqësojmë.  Lidhja Shqiptare e Prizrenit është një prej këtyre ngjarjeve të jashtëzakonshme, ku patriotët vizionarë u bashkuan për të krijuar një qëndresë mbarëshqiptare kundër shtypjes dhe sundimit. Ishte kjo lidhje, që punoi me të gjitha forcat, për të afirmuar kombin tonë dhe për të kundërshtuar copëzimin e trojeve etnike shqiptare. Ishte kjo besëlidhje, që projektoi krjimin e një shteti shqiptar — të lirë dhe të pavarur.

Sot, tek sa mbushen plot 145 vjet nga themelimi i Lidhjes së Prizrenit, nderojmë me krenari veprimtarinë e lavdishme të atyre që ëndërruan dhe punuan për kombin tonë shqiptar. Por ndjenjat e krenarisë nuk mjaftojnë. Ne kemi përgjegjësinë për të respektuar dhe mbrojtur trashëgiminë që këto figura historike na lanë neve si trashëgim. Zhvillimi dhe fuqizimi i popullit shqiptar në të gjitha trojet e tij dhe integrimi ynë në familjen e madhe euro-atlantike është një mision për të cilin të gjithë ne duhet të punojmë bashkërisht.  Dhe për të përmbushur këtë detyrim jemi me fat që të parët tanë përveç gjuhës dhe kulturës na kanë trashëguar edhe miqësi të vjetra e partnerë strategjikë të besueshëm, tek të cilët mund dhe duhet të mbështetemi kurdoherë.

Jo çdo gjë ka qenë e lehtë, por e ardhmja e kombit tonë do të jetë gjithnjë e më e begatë: nëse ne luftojmë ndasitë dhe përçarjet mes vetes tonë, mes njëri-tjetrit, nëse ne ruajmë boshtin tonë moral, nëse nuk harrojmë te shkuarën dhe nëse përçojmë te brezi i ri vlerat e atdhedashurisë dhe miqësisë, vlerat e paqes dhe unitetit. Edhe pse hera-herës rrethanat gabimisht na shtyjnë të mendojmë të kundërtën: ja ku jemi mbledhur sot në këtë shtëpi të mbar-shqiptarëve, 145 vite nga Lidhja e Prizrenit, përsëri të gjithë bashkë, gjithmonë të gjithë bashkë. Rroftë Kombi Shqiptar! Zoti bekoftë të gjithë bashkëkombasit tanë", tha Begaj. 

Lidhja e Prizrenit

10 qershori është një datë me shumë peshë në historinë e kombit shqiptar. Në vitin 1878 të kësaj date u mbajt Kuvendi i Prizrenit, i cili shpalli formimin e Lidhjes së Prizrenit. Punimet e këtij kuvendi u drejtuan nga Iljaz Pashë Dibra, ndërsa programi politik ishte hartuar nga ideologët e kombit shqiptar si Sami Frashëri, Pashko Vasa, Abdyl Frashëri, Jani Vreto, Zija Prishtina e të tjerë. Lidhja e Prizrenit përbën organizatën e parë politike dhe ushtarake të mbarë kombit shqiptar.

Asokohe, Kuvendi hapi dyert për të pritur delegatët, të cilët do të vinin nga të katërt Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës.  Kjo lidhje synonte bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm, shpalljen e ndarjes përfundimtare nga sundimi osman, si dhe të dëshmonte në mbarë opinionin publik europian se shqiptarët ishin një komb i veçantë në Ballkan pavarësisht ndryshimeve fetare.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Më shumë se 40 të vrarë nga sulmet pakistaneze në Afganistan

Më shumë se 40 të vrarë nga sulmet pakistaneze në Afganistan