Emisioni “Fiks Fare” ka publikuar dëshmitë e një 14-vjeçareje dhe familjarëve të saj për ngacmim seksual në shkollë. E mitura tregon se mësuesi e puthi në buzë me forcë. Gjyshja e të miturës tha se kishin frikë të bënin denoncim, sepse djali i saj është i vetëm, ndërsa fisi i mësuesit ka shumë meshkujt të rinj.
Ndërkohë halla tregoi se dëgjoi zërin e mbesës që bërtiste në shkollë ndaj shkoi me vrap te ajo. “E dëgjova që bërtiste, e dëgjoi gjithë fshati ndaj shkova me vrap, mësuesit i thashë si nuk të vjen turp” tregon halla për Fiks Fare.
Mësuesi Servet Bejo mohon ta ketë bërë këtë gjë, sipas tij duke qenë se ka probleme hasmërie me familjen e nxënëses, ata po hakmarren, dhe se halla e vajzës ka shkuar atë ditë në shkollë me thikë. Ai pretendon se ka lajmëruar edhe specialistin e Policisë së Zonës, Zenel Koçin, por ai i ka sugjeruar t’i sheshojnë vetë gjërat. Ky I fundit mohon kategorikisht të ketë dijeni për këtë situatë dhe të jetë telefonuar nga mësuesi.
Një banor që nuk donte të identifikohej tha se kanë konflikt dy familjet, pasi halla e vajzës kërkon të vendosë kunatin e saj mësues të shkollës.
Ngjarja e pretenduar nga nxënësja ka ndodhur më datë 10 nëntor, në shkollën 9-vjeçare të fshtatit Barç, Skrapar, ku mësonin 5 fëmijë nga klasa e parë deri në klasën e nëntë dhe kishin vetëm një mësues, Servet Bejo, i cili është banor i fshatit.
Drejtoresha e Zyrës Arsimore Skrapar, Albana Bakiasi e kontaktuar nga Report TV tha se shkolla e Barçës ka qëndruar 6 ditë pa mësim. “Pasi shpallëm vendin vakant dhe pritëm të gjitha procedurat ligjore më datë 18 nëntor kemi prezantuar mësuesin e ri dhe mësimi vazhdon normalisht”.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat njoftoi të premten (18 nëntor) se Servet Bejo, mësues në shkollën e fshatit Barç të Skraparit, u shoqërua në komisariat dhe po vijon hetimi për të, në gjendje të lirë për “ngacim seksual”.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar e kanë shoqëruar menjëherë shtetasin S. B.(mësues), në ambientet e Komisariatit. Gjithashtu, në ambientet e DVP Berat, i është marrë deklarata nxënëses 14 vjeçe, në prani të prindit të saj, psikologut dhe avokates. Në përfundim të veprimeve, shërbimet e Policisë kanë referuar materialet në prokurori dhe ka nisur procedimi penal për shtetasin S. B., 62 vjeç, banues në fshatin Barç, Skrapar, për veprën penale “Ngacmimi seksual”.