15 rrëfime poetike
nga Vikena Kamenica

15 rrëfime poetike<br />nga Vikena Kamenica
Në një përsiatje mes lirikës poetike dhe kantos, mezzosopranoja Vikena Kamenica, e njohur për zërin e saj timbrik i bashkohet një "dueti" në interpretim me pianisten e njohur Merita Rexha Tershana. Të dyja artistet virtuoze do të shfaqin koncertin "Ëndërr Vere" që do të jepet më 7 qershor në Sallën e Madhe të Universitetit të Arteve në orën 19.00. Në këtë koncert do të jepen pjesë nga Schubert, Massenet, Mascagni, Saint-Saens, Tchaikovsky, Weill, Gershwin, etj. Biletat e këtij koncerti po shiten këto ditë pranë Teatrit të Operas, ku Vikena Kamenica ka dhënë një kontribut të madh si artiste. E pyetur për veçantësinë e këtij koncerti nga gazeta "Shqiptarja.com", Vikena pohon se e veçanta qëndron tek përzgjedhja e programit. "Unë dhe Merita Rexha vijmë me një ëndërr të ngrohtë vere, duke ju ftuar të bëheni edhe ju pjesë e 15 rrëfimeve poetike", thotë ajo. Ashtu siç janë rrëfimet e këtij koncerti delikate, romantike, ngazëlluese, dhe ruajnë në fund një vel magjie, ashtu e njohim edhe artisten Vikena Kamenica. Në të gjitha intervistat ajo është shumë modeste dhe e kursyer në fjalë. Por..., duke e ndjekur nga një sukses në tjetrin Vikena Kamenica asnjëherë nuk kursehet që të jap maksimumin në punën e saj si artiste. Kamenica rrëfen thjesht dhe natyrshëm pozicionin e saj si nënë, rrokëzon disa fjalë të ëmbla për vajzën e saj, flet pak për gjërat private, por kur e pyet për projektet skenike, ajo synon "për të qenë gjithmonë pjesë e vlerave të vërteta dhe për të ''imponuar'' më të mirën, më të bukurën për artdashësin tonë shqiptar...!"

Vikena, vetëm pak ditë ju ndajnë nga "Koncerti piano-vocal" që do ta jepni së bashku me kolegen tuaj Merita Rexha Tërshana. Çfarë të rejash presim nga ky "duet"?
-Prej pothuajse një viti ne gjendemi përsëri së bashku në skenë dhe më pëlqen kur cilësohet si një duet!!! E veçanta qëndron tek përzgjedhja e programit... Më saktë është një përsiatje mes lirikës poetike dhe kantos. Ndryshe nga sa ndodhi tek rrugëtimi i dimrit, sonte, unë dhe Merita vijmë me një ëndërr të ngrohtë vere, duke ju ftuar të bëheni pjesë e 15 rrëfimeve poetike. Janë rrëfime delikate, romantike, ngazëlluese, magjia e së cilave do të uroja dhe do të dëshiroja t'i kënaq dhe çlodh të gjithë...

Si e keni njohur pianisten Tërshana, çfarë ju ka lidhur bashkë?
-Për Meritën mund të flas me dashuri. Mund të kem shumë për të folur për të, sepse kjo marrëdhënie profesionale që kemi krijuar së bashku vjen pas një miqësie dhe njohje të gjatë shoqërore! Mendoj se kjo njohje luan një rol të rëndësishëm në suksesin e komunikimit tonë artistik. Kjo njohje ka një bazë të fortë intuitive dhe vlerësimi ndaj artit të njëra-tjetrës. Ndaj kjo lidhje vjen edhe në formën më natyrale nëpërmjet artit tonë në skenë.

Ajo që e bën më interesante jetën e një artisteje të njohur është edhe të qenit nënë. Si e përjetuat këtë moment magjik?
-Është thënë magjik edhe nga unë kaq shumë. Kemi thënë gjithçka! Por e theksoj është nga ndjenjat më të forta dhe më të bukura që mund të përjetoj çdokush nga ne!

Duke kujtuar ato nëna që iu përkushtohen totalisht fëmijëve dhe nuk dihet ku i gjejnë forcat për të qenë edhe artiste të zonjat, ju vetë ku i gjeni forcat për të qenë gjithmonë aktive?
-I gjej tek ndihma e madhe e familjes time, duke filluar nga bashkëshorti dhe deri tek prindërit e mi dhe të tijët, gjithashtu.

Çfarë ka ndryshuar tek ty që nga ardhja në jetë e vajzës tuaj Kristës?
-Kam fituar një stimul të madh për jetën, për punën dhe pse në Shqipëri jeta bazohet në vështirësi jo të pakta.

Cilat janë çastet më të bukura që keni përjetuar me që nga lindja e fëmijës?
-Është çdo ditë e jetës së saj një çast i bukur për mua... Janë shumë dhe që t'i rendis të gjitha e di që do jetë një përsëritje e atyre gjërave që çdokush në pozitën time i ka ndjerë dhe i ndjen akoma.

Cili është hapi tjetër që do hidhni në skenë pas këtij koncerti?
-Pa diskutim, nga fakti që jam soliste pranë Teatrit Kombëtar të Operas, që ka angazhimet e veta, jam pjesë e pandarë e kalendarit operistik. Teatri ka ngarkesën e projekteve të sezonit dhe unë do jem patjetër pjesë e asaj ngarkese që i përket sezonit të ardhshëm artistik.

Keni ndonjë projekt tuajin në sirtar?
-Kam shumë projekte dhe jam e sigurt që do të jenë shumë interesante, por do të doja t'ia lija një momenti tjetër për t'i bërë publike.

Si e shihni veten tuaj në tri dimensionet nënë, bashkëshorte dhe artiste, i planifikonit këto gjëra në rininë tuaj apo erdhën natyrshëm?
-Jam shume e sinqertë, kur them që aspak nuk kanë qenë pjesë e një planifikimi surprizat që erdhën në jetën time. Çdo gjë erdhi si një rrjedhë e natyrshme, jetësore....

Cili është roli i familjes, i prindërve në suksesin tuaj?
-Shumë i madh dhe është ai rol që ka vënë bazat më të forta tek unë që sot e kësaj dite e ndjej ende nevojshmërinë e madhe të mbështetjes tek ta.

Çfarë ju frymëzon për të shkuar përpara me sfida të reja skenike dhe cilat janë lidhjet e tua me muzikën duke na kujtuar disa episode nga fillimet e karrierës suaj?
-Jam shumë e dashuruar me muzikën, artin dhe unë e shijoj çdo hap të punës time! Jam rritur dhe frymëzuar nga arti i familjes time në breza dhe është pjesa genetike që mbase nuk di ta shpjegoj siç duhet, por më ka bërë kjo që jam sot dhe akoma më të fortë e të bindur në kërkesat e mia profesionale për të qenë gjithmonë pjesë e vlerave të vërteta dhe për të ''imponuar'' më të mirën më të bukurën për artdashësin tonë shqiptar.

(dhh/im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Nga Pëllumb Gjoka, tek Kasandër Noga dhe Gjergj Cukali, ja 51 emrat e plotë të operacionit të SPAK-ut

Nga Pëllumb Gjoka, tek Kasandër Noga dhe Gjergj Cukali, ja 51 emrat e plotë të operacionit të SPAK-ut